1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rahr: "Rusia nuk po kthehet në totalitarizëm"

DW16 Prill 2007

Lidhur me zhvillimet e fundit në Rusi, pasi policia ndërhyri ashpër ndaj demonstruesve që kanë protestuar kundër politikës së Vladimir Putinit, për Dojçe Velen prononcohet eksperti për çështjet ruse i Fondacionit për shkencën dhe politikën në Berlin, Aleksander Rahr.

https://p.dw.com/p/AqmX
Pamje nga demonstrata
Pamje nga demonstrataFotografi: AP

Policia rrahu dhe arrestoi demonstrues të qetë. Këto pamje nga Rusia kanë shkaktuar ditët e fundit reagime dhe kritika të ashpra në mbarë botën. Mirëpo megjithë ndërhyrjet brutale të policisë, opozita ka vazhduar protestat kundër presidentit Vladimir Putin dhe qeverisë së tij edhe këtë fundjavë.

Në Shën Petersburg dje ishin mbledhur mbi 1000 demonstrues. Demonstruesit dolën në rrugë megjithë zhvillimet e mëparshme në Moskë, ku policia arrestoi 170 demonstrues. Në mesin e tyre ishte edhe një prej kritikëve më të mëdhenj të presidentit Putin, ish-kampioni i botës në shah, Gari Kasparov. Deputeti kristiandemokrat në Parlamentin Evropian, Elmar Brok tha se arrestimet dhe sjellja brutale e policisë në Moskë dëshmojnë se Rusia edhe më tej pengon çdo zhvillim demokratik në vend.

Lidhur me këto pohime, eksperti për çështjet ruse i Fondacionit për shkencë dhe politikë në Berlin, Aleksander Rahr thotë: "Nuk e besoj se në Rusi pengohet çdo lloj aktiviteti i opozitës dhe se mund të flitet për kthimin e Rusisë në totalitarizëm apo dhe në stalinizëm. Mirëpo kemi të bëjmë me një pushtet, i cili po bëhet gjithnjë e më nervoz. Pyetja kryesore është pse?

Në sondazhet e fundit thuhet se Putini ka mbështetjen e 80 përqind të popullit rus, por klima aktuale politike nuk është shumë stabël. Duket se përfaqësuesit e pushtetit në Shën Peterburg dhe në Moskë kanë frikë nga mundësia e shndërrimit të këtyre demonstratave në një revolucion, i cili do të mund të çonte deri tek rrëzimi i regjimit, ngjashëm sikur në Ukrainë apo dhe në Kirgizi më parë."

Po sa reale në të vërtetë është kjo frikë e regjimit në Moskë? Rahr për këtë thekson:
"Besoj se frika absolutisht nuk është reale. Këtu kemi të bëjmë me një paraqitje jo reale të gjendjes, sepse edhe njerëzit e moshuar, të cilët me të drejtë protestojnë për shkak të gjendjes së rëndë sociale, njollosen me epitete të ndryshme. Përgjegjësinë për këtë gjendje duhet ta bartin udhëheqësit lokal në Shën Peterburg dhe në Moskë. Duket se ata kanë frikë nga mundësia e kritikave prej Kremlinit, në qoftë se nuk intervenojnë me tërë fuqinë.

Absolutisht jo reale është edhe frika nga mundësia që perëndimi, dhe në radhë të parë Amerika, janë të interesuara për shkaktimin dhe shkallëzimin e konflikteve në skenën e brendëshme politike në Rusi", pohon eksperti për çështje ruse, Aleksander Rahr.