1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rama: Ëndrra jonë bashkimi kombëtar përmes BE-së

28 Nëntor 2017

Si mund të bashkohet Kosova me Shqipërinë pa përsëritur historinë e konflikteve të përgjakshme në ish-Jugosllavi? Formula është gjetur: përmes Bashkimit Europian

https://p.dw.com/p/2oQRh
Kosovo erklärt Unabhängigkeit 2008
Fotografi: picture-alliance/dpa/G. Hochmuth

Nga Vlora, ku 105 vjet më parë, u shpall Pavarësia Kombëtare e Shqipërisë, Kryemistri Rama paraqiti përsëri sot ( 28.11.2017)në prani të presidentit të Kosovës, Hashim Thaҫi, vizionin për bashkimin kombëtar: jo përmes ndryshimit të kufijve aktualë mes Shqipërisë dhe Kosovës, por përmes hyrjes së të dyja vendeve në Bashkimin Evropian. Këtij vizioni i përgjigjet edhe fotomontazhi i flamujve kombëtarë të dy vendeve fqinjë me atë të BE, me të cilin kryemnistri Rama uroi nga Vlora sot 105 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë Kombëtare me fjalët "gjithë shqiptarëve kudo ku  janë."

Vizioni sesi do të ndodhë në të ardhmen bashkimi kombëtar mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk është i ri.  Ai është përmendur nga drejtuesit politikë të Shqipërisë edhe më parë përballë frikërave dhe akuzave për krijimin e Shqipërisë së Madhe, Shqipërisë Etnike, që shihet në një rajon vulnerabël ndaj përkatësive etnike dhe bashkëkjetesës mes tyre si Ballkani Perëndimor, si hapja fatale e "kutisë së Pandorës".

Si do të mund të bashkohet Kosova, që u nda nga Shqipëria 105 vjet më parë, më 17 dhjetor 1912, nga Fuqitë e Mëdha, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, pa përsëritur historinë e konflikteve të përgjakshme në ish-Jugosllavi? Formula është gjetur: Bashkimi Europian dhe hyrja e dy vendeve në këtë bashkim. Po kështu edhe mjetet: rritje e bashkëpunimit mes dy vendeve, partneritet gjithëpërfshirës strategjik si pjese e bashkepunimit rajonal.

Shtyllat e partneritet-marrëdhëniet dypalëshe dhe diaspora shqiptare në botë

Një deklaratë e përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës, nënshkruar në Prizren më 11 janar 2014, përvijoi rrugën për realizimin e  bashkëpunimit dhe krijimin e sinergjisë në marrëdhëniet dypalëshe, ato rajonale dhe evropiane.

Në takimin e radhës që përfundoi sot në Vlorë, i katërti  që nga takimi i Prizrenit, mes dy qeverive u nënshkrua një paketë prej 12 marrëveshjesh të ndërsjellta. Ato përfshijnë të gjitha fushat e bashkëpunimit që nga ato ekonomike dhe tregtare, unifikimi doganor deri tek ato politike dhe diplomatike. Ndërkohë pala shqiptare dhe ajo kosovare po bashkërendojnë projektet infrastrukturore, që janë pjesë e interkonektivitetit në kuadër të Procesit  të Berlinit, të inicuar në verën e vitit 2014, nga kancelarja Merkel për t'i dhënë impulse të reja perspektivës së anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Edi Rama und Hashim Thaci
Fotografi: DW/B. Shehu

Shtylla tjetër e afrimit mes dy vendeve është diaspora shqiptare në botë, e konsideruar një faktor kyҫ për zhvillimin ekonomik të dy vendeve dhe progresin e  tyre ne procesin e integrimit evropian. Kryeministri Rama e cilësoi atë së fundmi "një aset të vyer dhe të përbashkët, një potencial të pasur, të pamatë, por të pashfrytëzuar". Marrëveshjet që u nënshkruan lidhur me diasporën kanë të bëjnë me financimin e mësimit të shqipes, kultivimit të kulturës dhe ngritjen/ funksionimin e qendrave kulturore në diasporë prej dy qeverive.

Partneriteti strategjik mes dy vendeve- model për bashkëpunimin rajonal

Shifrat zyrtare të bashkëpunimit ekonomik Shqipëri-Kosovë janë inkurajuese pas nënshkrimit të Deklaratës së Përbashkët për Bashkëpunim dhe Partneritet Strategjik. Në 2015 në Kosovë kishte të regjistruara 80 biznese të reja nga Shqipëria, në vitin 2016 ato kanë arritur 160. Sot në Kosovë ushtrojnë aktivitetin e tyre rreth 930 biznese nga Shqipëria, ndërsa rreth 600 kompani nga Kosova operojnë në Shqipëri. Volumi tregtar me Kosovën përbën 2,7% të tregtisë së përgjithshme të Shqipërisë, ndërkohë që 10 vjet më parë përbënte vetëm 1,1%. Në dekadën e fundit tregtia midis dy vendeve fqinje është pesëfishuar, nga rreth 30 milionë euro në 165 milionë euro.

Rritja me progresion gjeometrik i marrëdhenieve ekonomike mes Shqipërisë dhe Kosovës mund të jetë një model i mirë edhe për marrëdhëniet me vendet e tjera të rajonit  në kuadër të aspiratës së përbashkët për të hyrë në BE. Politikanët drejtues të dy vendeve deklarojnë që afrimi mes Shipërisë dhe Kosovës nuk ka për vektor krijimin e Shqipërisë Etnike apo të Madhe por anëtarësimin në BE. Në një konferencë shtypi të mbajtur në fillim të këtij muaji në Tiranë, komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Politikat e Zgjerimit, Johannes Hahn tha se "Shqipëria ka shumë për të bërë në procesin e afrimit me BE-në dhe bashkëpunimin rajonal dhe ideja e krijimit  të Shqipërisë etnike nuk është pjesë e axhendës së saj".  

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana