1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ramush Haradinaj arrestohet nga policia franceze

Bekim Shehu
4 Janar 2017

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj u arrestua në aeroportin Bazel-Mulhouse. Arrestimi i tij u bë të merkurën në mbrëmje (04.01) nga policia franceze në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Serbia.

https://p.dw.com/p/2VIXL
Ramush Haradinaj
Fotografi: picture-alliance/dpa

Lajmin për arrestimin e Ramush Haradinajt e konfirmoi Ministria e Punëve të Jjashtme e Kosovës, duke mos dhënë shumë detaje. "Ministria e Punëve të Jashtme është duke u marrë intensivisht me rastin e ndalimit të zotit Haradinaj. Ndalimi i tij nga autoritetet franceze është bazuar në një fletëarrest të Serbisë të vitit 2004, që për ne është i papranueshëm. MPJ ka nisur notat verbale nëpërmjet Ambasadës sonë në Paris dhe vetë ministri Hoxhaj është marrë personalisht për të shfrytëzuar të gjitha rrugët diplomatike që Haradinaj të lirohet sa më parë”, ka thënë Bashmir Xhemaj, shef i kabinetit të ministrit të Jashtëm Enver Hoxhaj.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, në reagimin e saj thotë se "një veprim i tillë është krejtësisht i padrejtë dhe i papranueshëm”.

"U bëjmë thirrje autoriteteve franceze qe t'i mundësojnë zotit Haradinaj që të vazhdojë udhëtimin e tij i papenguar dhe kërkojmë nga autoritet e Bashkimit Evropian dhe të shteteve evropiane veç e veç që të mos e pengojnë lëvizjen e lirë të autoriteteve të Kosovës, sipas urdhërarresteve të paligjshme të Serbisë. Njëkohësisht kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të ndërpres çdo komunikim me Serbinë deri sa ajo të mos i tërheqë fletarrestet ndërkombëtare kundër personaliteteve të Kosovës", thuhet në reagimin e AAK-së.

Nuk është hera e parë që Ramush Haradinaj, arrestohet në bazë të fletarresteve të lëshuara nga Serbia e që zbatohen nga Interpoli. Në qershor të vitit 2015 Haradinaj, u arrestua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, kur po kthehej nga një vizitë zyrtare nga Gjermania. Kosova nuk është pjesë e Interpolit, mirëpo, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, vazhdimisht kanë kërkuar nga Interpoli që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës.

Ramush Haradinaj në vitin 2012 u shpall i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për Krime lufte në ish-Jugosllavi, për të gjitha akuzat që e ngarkonin atë.