1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ramush Haradinaj takohet zyrtarisht me presidentin Rugova

Bekim Shehu14 Tetor 2005

Pas heqjes së kufizimeve nga ana e Tribunalit të Hagës, ky është takimi i parë zyrtar i ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj

https://p.dw.com/p/Aqt0
Fotografi: AP

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar sot, takimin e parë zyrtar me presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, dy ditë pas vendimit të Tribunalit të Hagës, i cili i hoqi kufizimet dhe i lejoi zotit Haradinaj të angazhohet në politikë. Të dy bashkëbiseduesit u angazhuan që proceset politike të ecin më tutje ndërsa rëndësi të veçantë i kushtuan ruajtjes së unitetit politik sidomos në këtë fazë. Partia e presidentit Rugova dhe ajo e zotit Haradinaj, vazhdojnë të ruajnë koalicionin.
Ish kryeministri, Ramush Haradinaj: Ajo që unë dua t'a veçoj është se e përgëzova për punën që ka bërë për unitet në Kosovë, për delegacionin dhe koordiatorin dhe po ashtu ajo që po bën presidenti për të avancuar proceset në Kosovë. I dhashë premtimin që do të vazhdojë të mbështesë punën të tij që ka filluar dhe është duke u bërë në Kosovë.

Ndërkohë presidenti, Ibrahim Rugova, nga ana e tij, e vlerëson vendimin e Tribunalit të Hagës i cili i lejon zotit Haradinaj të merret me politikë, ndërsa, thekson se edhe zoti Haradinaj, tash e tutje do të jetë i angazhuar në proceset në vend.

Ish kryeministri, Ramush Haradinaj, në deklaratën e tij të parë për media menjëherë pas heqjes së kufizimeve nga Tribunali i Hagës, përmendi tri gjëra. E para, sipas tij dhe më e rëndësishmja është përqendrimi në mënyrën më efektive për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Të mbrohet Kosova, që të sigurohemi thuhet në deklaratë, që asnjëri të mos ketë më dhimbje. Për cilëndo familje, shqiptare apo serbe, apo këdo tjetër, është e rëndësishme që të përkrahet procesi politik në të cilin jemi të përfshirë tash. E dyta, sipas tij është se qytetarët e Kosovës do të dëmtojnë vetën nëse nuk janë të bashkuar për të ndërtuar një Kosovë demokratike, një liri të vërtetë, me respekt ndaj të gjithëve të cilët jetojnë këtu. Pra ku të gjithë janë të mbrojtur me rregulla të ligjit. Çështja e tretë, sipas zotit Haradinaj, është se duhet të përshpejtohet procesi i integrimit i të gjithë popujve që jetojnë në Kosovë, me të gjitha mënyrat të cilat janë të hapura.
Nëse këto tri gjëra jetësohen atëherë sipas ish kryeministrit Haradinaj, mund të pritet një ardhmëri më e mirë. Sidoqoftë, administrata ndërkombëtare akoma është duke e shqyrtuar vendimin e Tribunalit për të kuptuar se deri në çfarë mase në të vërtetë zoti Haradinaj, mund të përfshihet në jetën politike. Në pritje është se a do të mund të përfshihet ish kryeministri Ramush Haradinaj, në grupin negociator të Kosovës në bisedimet për statusin. Këtë çështje UNMIK-u, është duke e shqyrtuar në hollësi, mirëpo akoma nuk janë deklaruar.