1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Raporti hetimor për CIA-n në Këshillin e Evropës & Presidentja e re e Këshillit Qendror të Hebrejve në Gjermani

Vilma Filaj-Ballvora8 Qershor 2006

Nga temat që komentohen në shtypin e sotëm veçojmë: publikimin e raportit përfundimtar të hetuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marty, mbi aktivitetet e paligjshme të shërbimit sekret të ShBA, CIA, në vendet evropiane. Në qendër të vëmendjes së komentatorëve është edhe zgjedhja e Sharlote Knobloh, presidente e re e Këshillit Qendror të Hebrejve në Gjermani si pasardhëse e Paul Shpiegelit që ndërroi jetë së fundi.

https://p.dw.com/p/ArpY

Lidhur me temën e parë fluturimet ilegale të CIA-s në vendet evropiane dhe burgjet e fshehta të saj e përditshmja "Berliner Morgenpost" komenton: "Ka të dhëna të shumëllojshme, që hetuesit kanë rënë në gjurmët e duhura. Eshtë afër mendsh të kuptosh, se shumë shtete nisur nga mirëkutimi i gabuar për luftën e Amerikës kundër terrorit kanë lejuar aktivitete dhe aksione në territorin e tyre, që përpara 11 shtatorit 2001 do të ishin të paiamgjinueshme. E megjithatë nuk duhet që për hir të kompromiseve të tilla të heqësh dorë prej mbrojtjes parimore të të drejtave të njeriut. Kjo pasi është e rrezikshme, nëse qeveritë përdorin dy parametra të ndryshëm. Një gjë e tillë dobëson aftësinë e bashkësisë ndërkombëtare në ndalimin e shkeljes së të drejtave të njeriut", shkruan "Berliner Morgenpost".

Edhe në komentin e "Märkische Allgemeine" të Pocdamit tërhiqet vëmendja për faktin, se aktivitetet e CIA-s kanë ndodhur me dijeninë e vendeve përkatëse evropiane: "Kemi të bëjmë me fluturimet e shoqërive speciale ajrore, që siç dihet përdoren prej shërbimit sekret të ShBA dhe regjistrohen mëse normalisht prej vëzhgimit ajror evropian. Ndaj hetuesit e Këshillit të Evropës kishin mundësi që t´i numëronin këto fluturime në retrospektivë. Por vëzhgimi ajror evropian s´mund të regjistrojë se çfarë ndodhet në bordin e avionëve. Ndaj se cilat fluturime kanë qenë ilegale dhe cilat jo këtë e di vetëm CIA. Debati i deritanishëm ka qenë nën moton: Amerika shkel ligjet me këmbë dhe Evropa është e indinjuar, por si rjedhojë edhe e pandershme, sepse asnjëherë se ka ndërprerë bashkëpunimin trasnatlantik të shërbimeve dhe të hetuesvetë anti-terrorit, madje as në kohën e krizës së Irakut. Thënë shkoqur: arrijmë në përfundimin, se evropianët e dinin, atë ç´ka bënte Uashingtoni dhe përfitonin edhe vet prej këtyre njohurive", nënvizon "Märkische Allgemeine".

"Wiesbadener Kurier" duke komentuar këtë raport i referohet vetëm aspketit që ka të bëjë me Gjermaninë: "Në Gjermani është fjala vetëm për bashkëpunimin mes shërbimeve sekrete, mbi përdorimin e deponimeve të marra nën presion dhe për rjedhën e fluturimeve të CIA-s mbi territorin gjerman, por mbetet të sqarohet përgjegjësia e qeverisë në këtë drejtim. Në këtë kontekst duhet të merret parasysh, që Gjermania tradicionalisht u lë dorë të lirë amerikanëve në aktivitetin që ushtrojnë ato në bazat e veta të aviacionit ushtarak. Kjo do të thotë të mbyllësh sytë me metodë. Raporti i Këshillit të Evropës e rrit edhe më shumë presionin, ndaj tani duhet vëzhguar më me kujdes", tërheq vëmendjen "Wiesbadener Kurier".

Kalojmë në temën e dytë që gjen jehonë masive në shtypin e sotëm: Sharlote Knobloh është presidentja e re e Këshillit Qendror të Hebrejve në Gjermani. Gazeta që del në Berlin "Tagesspiegel" i referohet rolit të kësaj organizate dhe vëren: "Këshilli Qendror i hebrejve në Gjermani është dhe ka insistuar të jetë si një instancë morale, zëri i së cilës duhet të dëgjohet gjithmonë, kur vendi trazohet prej ekseseve të racizmit, ekstremiszmit dhe ksenofobisë. Ky është roli që ka kjo organizatë nga jashtë. Por detyra e vërtetë e saj është e orientuar nga brenda: orientimi i jetës hebreje në bashkësi në një shoqëri jo hebreje. Në sfondin e traditave krejt të ndryshme dhe mungesës së përhapur të njohurive për traditat hebreje tek të sapoardhurit, kjo përbën një detyrë që kërkon forca integrimi deri në rraskapitje. Këshilli qendror i Hebrejve kryesisht konservator-ortodoks e ka shumë të vështirë që të përfaqësojë bashkësitë liberale të hebrejve", komenton der Tagesspiegel".

"Hessische/Niedersächsische Allgemeine" e Kaselit thekson, se presidentja e re e Këshillit Qendror të Hebrejve Sharlote Knobloh merr përsipër një trashëgimi të vështirë: "Ajo merr përsipër të jetë pasardhëse e Heinc Galinskit, që pa u lodhur ka qenë pasqyrë morale, të Ignaz Bubisit, që me insistim është përpjekur për pajtim, por që në fund konstatoi, se s´kish arritur asgjë, dhe së fundi pasardhëse e Paul Shpiegelit, që papushim paralajmëronte nga rreziku i rigjallërimit të antisemitzimit. Edhe Sharlote Knobloh do ta ngrejë zërin e saj. Asaj i duhet që të influencojë në bashkësitë hebreje, nëse dëshiron të integrojë emigrantët hebrej nga ish-Bashkimi Sovjetik. Me angazhimin e saj numri i hebrejve që jetojnë në Gjermani është rritur me reth 100.000. Përpara vitit 1933 ishin 600.000, pas 1945 numëroheshin vetëm 15.000 syresh. Këto shifra të bëjnë të qartë, se përse duhet t´i urojmë sukses Sharlote Knoblohut në punën e saj", komenton "Hessische/Niedersächsische Allgemeine".