1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Raporti: NSA mblidhte miliona SMS në ditë

AFP, dpa, Reuters / Amarildo Topi17 Janar 2014

Gazeta The Guardian disa orë përpara se Presidenti Obama të shpalosë platformën e re të organizimit të NSA, ka publikuar të dhëna të tjera. Sipas gazetës NSA ka mbledhur rreth 200 milion mesazhe në ditë.

https://p.dw.com/p/1Asdd
Symbolbild NSA Überwachung Handy
Fotografi: imago/avanti

Thirrje të humbura, kalime kufiri, pagesa me kartë krediti, geotagging, planifikimi i rrugëtimit dhe takimeve, madje edhe SMS banale, konsideroheshin si informacione me vlerë për NSA.

Kështu raportuan mbrëmjen e djeshme gazeta britanike The Guardian dhe televizioni Britain Channel 4 News. Sipas tyre NSA ka mbledhur miliona mesazhe në ditë në kuadër të operacionit të koduar "Dishfire."

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: fotolia/bloomua

Raporti bazohet në një prezantim të NSA në qershor të vitit 2011, i kopjuar nga ish agjenti i NSA Edward Snowden. Titulli i prezantimit ishte: "Mesazhet SMS: Një minierë ari për tu eksploruar". Sipas dokumentit të publikuar në faqen online të Guardian, dokumenti i NSA është bërë në prill të vitit 2011 dhe thuhet se NSA ka spiunuar më shumë se 194 milion mesazhe në ditë.

"NSA ka mbledhur shumë informacione nga mesazhet si psh planet për udhëtimet e njerëzve dhe transaksionet financiare, madje edhe për njerëz që nuk kanë qenë të dyshuar për aktivitet ilegal", shkruan gazetari i Guardian James Ball nga New York.

Të premten në mbrëmje, Presidenti i SHBA Barack Obama, do të njoftojë reformat që do të pësojë shërbimi i inteligjencës, si pasojë e kritikave të shumta që kanë ardhur pas publikimeve të dokumenteve nga Edward Snowden verën e shkuar. Njoftimi i tij, vjen pas një raporti të bërë nga një panel special hetimor dhe që iu dorëzua Obamës në dhjetor.

NSA: Do fshijmë të dhënat për qytetarët e pafajshëm

NSA në një deklaratë për shtyp në fillim i kundërshtoi këto raporte, por më pas thuhej se shërbimet inteligjente kishin "mbledhur aq shumë informacione sa ishte e mundur".

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: Fotolia/Pavel Ignatov

NSA foli edhe njëherë për aktivitetin e saj duke deklaruar se “është e fokusuar dhe veçanërisht e vendosur kundër shërbimeve inteligjente të huaja”. Ndërkohë premtoi për qytetarët amerikanë se "mbrojtja e privatësisë ekziston dhe do të zbatohet gjatë gjithë procesit të përdorimit, mbajtjes dhe fshirjes së mesazheve SMS", siguron NSA në deklaratën e saj.

"Përveç kësaj, NSA po punon aktivisht për të fshirë të gjitha të dhënat, të cilat përfshijnë ato të qytetarëve të huaj të pafajshëm, sa më shpetjt të jetë e mundur", thuhet në deklaratë.

Opinonistët presin se nëse Obama do të prezantojë ndryshime të rëndësishme në politikat e NSA. Kritikët si gazetari Glenn Greenwald kanë thënë se presin shumë pak ndryshime, ndërkohë që një ish agjent i shërbimeve sekrete tha për DW se ndryshimet mund të jenë aq radikale sa kërcënohet sigura e SHBA.