1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rast ndërmjet drejtësisë, humanizmit dhe xhunglës së ligjeve

Baha Güngör20 Nëntor 2007

Procesi kundër nxënësit gjerman Marko të arrestuar në Turqi nuk solli asgjë të re. Marko duhet ta kalojë në burg kohën para krishtlindjeve.

https://p.dw.com/p/CPhG
Marko në burgun e Antalias
Burgu i Antalias, ku ndodhet MarkoFotografi: picture-alliance/ dpa

Të martën, Gjykata në Antalia e shtyu për 14 dhjetor procesin kundër 17 vjeçarit që akuzohet për keqtrajtim seksual. Marko u transferua në një burg të ri, më modern. 17 vjeçari akuzohet se gjatë pushimeve të pashkëve ka keqtrajtuar seksualisht një britanike 13 vjeçare. Ai e kundërshton akuzën. Mbrojtësi i Markos bëri të ditur, se do të ndërmarrë hapa kundër vazhdimit të arrestit.

Në rastin e Markos, Justicia edhe pa sytë e lidhur nuk do të kishte pasur shans të shihte si duhet. Perëndesha romake e drejtësisë do të ishte verbuar nga një gjykate turke, që vepron me kokëfortësi dhe pa asnjë sens të së vertetës, që e injoron krejtësisht parimin "in dubio pro reo" (në rast dyshimi në favor të të akuzuarit). E qartë është, se Marko nga Uelzen do ta kalojë edhe një muaj tjetër në arrest në Antalya në Mesdhe. Por shpresa për një mrekulli që mund të ndodhë gjatë krishtlindjeve mbetet. Nëqoftëse arsyeja do të zinte vend në sallën e gjyqit në Antalia, në vend të paragrafëve nuk do të kishte zgjidhje tjetër përveç lirimit të të riut me datën 14 dhjetor.

Marko Weiss është i akuzuar si fajtor, por ai është bërë prej kohësh viktimë e familjes së britanikes 13 vjeçare, për të cilën Marko akuzohet se e ka keqtrajtuar seksualisht. Lista e gjoja akteve penale, të cilat i ngarkohen Markos, arrin nga ketrajtimi seksual i një të mitureje, deri në përdhunim. Vetem se që prej arrestimit të tij para shtatë muajsh nuk ka asnjë dëshmi, që Marko ta ketë keqtrajtuar seksualisht, apo ta ketë përdhunuar britaniken, apo që ai e dinte me të vërtetë moshën e vajzës.

Paragrafët, që për Markon u bënë fatale dhe për të cilat këmbëngulin gjykatësit turq, janë krijuar në kuadër të përshtatjes së legjislaturës turke me atë të BE-së, për të mbrojtur të miturat nga keqtrajtimi seksual dhe të penguar shumë të përfolurat martesa me detyrim. Prandaj këto paragrafë janë të dobishëm dhe nuk duhen dobësuar.

Nëqoftëse pas shtatë muajsh gjykata nuk ka arritur që të prezantojë një deponim të britanikes së vogël, të përkthyer në turqisht, atëherë nuk do të ketë rrugë tjetër, veçse lirimit të Markos nga arresti. Eshtë e vërtetë se drejtësia turke është e ngadaltë. Por, me çfarë të drejte duhet rrezikuar e ardhmja e një të riu dhe të arrihet kufiri i ngarkesës fizike dhe psiqike.
Vrasja e ndërgjegjes së kryegjykatësit duhet të kenë qenë e madhe, sepse juristi kërkoi që ta lironin nga ky proces, gjë që u refuzua. Por gjykatësi nuk pati guxim ta lironte Markon dhe ta vazhdonte procesin pa e mbajtur në arrest. Arsyeja do të ketë qenë frika nga padia e familjes britanike për dëmshpërblimin në rast se Marko do t´i ikte dënimit në Turqi.

Kjo është njëra anë. Nga ana tjetër edhe disa politikanë gjermanë me emër nuk kanë korrur dafina duke u marrë me rastin e Markos. Sepse vendimi i avokatëve gjermanë, për të bërë rastin publik, çoi deri në postet e larta qeveritare në komente populiste dhe të pavend, sipas të cilave arrestimi i Markos ishte një dëshmi për largësinë e Turqisë nga standartet e BE-së. Por edhe deputetët më të painteresuar në parlamentin federal dhe në lande e dinë, se Turqia nuk i pranon diskutimet për shkallën e demokracisë së shtetit juridik dhe reagon ashpër. Fundja Marko nuk ishte viktimë e një gabimi policor apo juridik, por u arrestua si pasojë e padisë së një familjeje britanike, avokatët e së cilës mundën të mbështeteshin në paragrafë konformë BE-së.