1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Referendumi nuk do të ketë ndikim në statusin e Kosovës

Bekim Shehu27 Tetor 2006

Një ditë para mbajtjes së referendumit për kushtetutën e Serbisë, udhëheqësit politik ndërkombëtarë dhe kosovarë thonë se, referendumi është çështje e brendshme e Serbisë, ndërsa përcaktimi i statusit të Kosovës është çështje e bashkësisë ndërkombëtare dhe kosovarëve

https://p.dw.com/p/Arba
Përgatitjet për referendumin në Serbi, 24 tetor 2006
Përgatitjet për referendumin në Serbi, 24 tetor 2006Fotografi: AP


Krerët e institucioneve të Kosovës dhe ata të administratës ndërkombëtare, thonë se referendumi për Kushtetutën e re të Serbisë, nuk mund të ketë asnjë ndikim në procesin e zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës. Referendumi për kushtetutën e re të Serbisë e cila Kosovën e përcakton si pjesë integrale të saj, do të mbahet në shtunën dhe të dielën edhe në territorin e Kosovës në pjesët ku jeton
shumica serbe.

Autoritet në Serbi thonë se, Kosova është pjesë e saj dhe më anë të referendumit dhe miratimit të kushtetutës do të mundësohet ruajtja e territorit të Serbisë. Mirëpo, shefi i UNMIK-ut, Joakim Rycker, thotë se, statusi i Kosovës do të përcaktohet sipas rezolutës 1244 të KS-it.

Është qëndrim i UNMIK-ut se referendumi i Serbisë për kushtetutën nuk do të ketë ndikim në përcaktimin e statusit të Kosovës meqë ai përcaktohet nga rezoluta 1444 dhe nga misioni i Marti Ahtisarit, tha Joakim Rycker.

Një qëndrim të ngjashëm e shprehu edhe kryeministri i Kosovës, Agim Çeku. Sipas tij, e ardhmja e qytetarëve serb të Kosovës është në Kosovë. "I vetmi proces legjitim është ai, i cili po udhëhiqet nga Marti Ahtisari. I ftoj serbët që t'i bashkohen këtij procesi dhe të ardhmen e tyre ta gjejnë brenda këtij procesi i cili është i orientuar që edhe atyre t'ju sigurojë jetë të dinjitetshme, fatin e tyre ta gjejnë në këtë proces, e jo brenda referendumeve që janë çështje e shtetit fqinj dhe që nuk prodhojnë asnjë efekt në statusin e Kosovës", tha kryeministri Çeku.

Referendumi për kushtetutën e Serbisë ka ngjallur reagime të ashpra të institucioneve të Kosovës. Kuvendi i Kosovës, përmes një deklarate, mbajtjen e
referendumit serb për kushtetutën edhe në tereitorin e Kosovës e ka shpallur të paligjshëm. I dërguari amerikan në bisedimet për statusin Frank Wisner tha në
Prishtinë se çështja e përcaktimit të statusit të Kosovës është çështje e kosovarëve dhe bashësisë ndërkombëtare dhe sipas tij nuk ka të bëjë asgjë me sovranitetin e Serbisë.

Autoritetet e Beogradit, kanë paraparë që në pjesët ku jetojnë pjestarët e komunitetit serb të hapin mbi 250 vendvotime në 19 komuna të Kosovës. Gjatë referendumit në vendanimet serbe do të ketë forca të shtuara të trupave paqeruajtëse, me qëllim të menjanimit të ndonjë incidenti që mund të rrezikojë situatën e sigurisë.