1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reforma e federalizmit në Gjermani & Kongresi Popullor në Kinë

Vilma Filaj-Ballvora6 Mars 2006

Të hënën (06.03) qeveria, kryeministrat e landeve dhe fraksionet parlamentare të partive të koalicionit të madh do të miratojnë fazën e parë të reformës në sistem federal. Analistët trajtojnë edhe hapjen e Kongresit popullor të Kinës.

https://p.dw.com/p/Arr4

E përditshmja e Bonit "General Anzeiger" komenton: "Rrallë herë ndonjë reformë është mbivlerësuar kaq shumë. E kjo nisur qysh nga pagëzimi i saj si "nëna e të gjitha reformave", kështu quhet pra korrektura e federalizmit gjerman, që do të vihet në udhë gjatë kësaj jave. Për këtë reformë bëhet reklamë me argumentin, se
është ndryshimi më i madh i ligjit themelor, qysh nga viti 1949. Ndoshta kjo është e vërtetë, por në këtë mes ende nuk shohim vërtetë një reformë të madhe. Për një reformë federalizmi me efekt rrënjësor mund të flasim, vetëm nëse vërtetë do të ndryshojnë struktura të tilla themelore, që nga 16 lande të kemi në të ardhmen vetëm 10, kur t´i jepet fund gjërave të pakuptimta siç janë burokracitë më vete të disa landeve, që nuk janë në gjendje të mbijetojnë, qoftë ky Bremeni, Hamburgu, Landi i Zarës apo Berlini", shkruan "General Anzeiger".

Berlinezja "Tagesspiegel" analizon: "Sa mirë që koalicioni i madh nuk është i sigurtë në shumicën e vet të dy të tretave. Pra ka shpresë që të dështojë kompromisi, të cilin sot qeveria dhe landet duan t'a kalojnë në procedurat parlamentare. Reforma e federalizmit dëshmon, se koalicioni i madh është në gjendje të vërë në lëvizje reforma të mëdha, do të thuhet. Një gjë të tillë mund ta supozosh lehtë. Sepse askush nuk e gjen dot fillin kur është fjala për xhunglën e kompetencave mes federatës dhe landeve. Numri i ligjeve që kanë nevojë për aprovimin e landeve nga 60 do të ulet në 40, por edhe 40 është shumë. Ndërsa për këtë rezultat kaq të zbehtë federata do të pagujë çmimin, që do t´i heqë asaj forcën e vendimmarrjes në një çështje vendimtare siç është arsimi", tërheq vëmendjen Tagesspiegel".

Në artikullin e "Westfälischer Anzeiger" lidhur me kompetencat për arsimin lexojmë: "Disa kritikë të kësaj reforme krahas të tjerash kanë frikë, se mund të krijohet një konkurrencë shkatërruese midis landeve, nëse p.sh. do të kërkohen profesorët dhe të tjerë nëpunës akademikë. Por pikërisht frika nga krijimi në mënyrë të shumëanshme i forcave të reja dhe të panjohura ka qenë deri më sot shkak për stanjacionin, për të cilin ankohemi. Nëna e reformave duhet të vijë, por ajo nuk duhet të mbetet e vetme në rolin e edukatores. Një baba duhet t'a pasojë atë menjëherë, e kjo nënkupton reformimin e marrëdhënieve financiare mes federatës dhe landeve", shkruan Westfälischer Anzeiger.

Edhe dy zëra lidhur me Kongresin Popullor që filloi punimet të dielën në Pekin. "Frankfurter Neue Presse" shkruan: "Nga Kongresi Popullor dalin dy mesazhe: Gjigandi i Linjdes së largët po demonstron sërish muskujt dhe po rrit buxhetin për ushtrinë, që mund të kuptohet si një sinjal në adresë të Tajvanit dhe të ShBA. Por lajmi i ri është, se Kongresi Popullor vendosi një program social, që do të përmirësojë ekonominë agrare dhe rrjetin social në zonat fshatare. Ky sinjal drejtohet nga brenda. Sepse për t´u zhvilluar e zgjeruar edhe më tej me forcë, ekonomia kineze ka nevojë për stabilitet social. Deri tani Pekini ka marrë nga Perëndimi vetëm kapitalizmin e Mançesterit duke e shkrirë atë me despotizmin komunist. Nga një ekonomi sociale e tregut, që krijon mirëqenie për të gjithë, Kina është ende shumë larg", nënvizon "Frankfurter Neue Presse".

Gazeta "Der neue Tag" komenton në mënyrë të ngjashme: "Tani Pekini dëshiron që me inxheksione miliardash të verë në gjumë njerëzit në rajonet fshatare, nëpërmjet kësaj bën bujë kundrejt fqinjëve separatistë në Tajvan dhe fryn buxhetin ushtarak. Tajvani nga ana e vet provokon dragoin me ndalimin e këshillit të përbashkët për ribashkimin. Njëri prej konflikteve më të rrezikshme në botë po hyn në një raund të ri. Ndonëse dikur ka pasur periudha, kur në Kinë gjithçka mund të ndodhte, sot ajo kërcënon të trondisë të gjithë globin", paralajmëron "Der neue Tag".