1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reformimi i OKB-së & Atentatet në Londër & Mbledhja e ministrave të financave të BE-së

VFB13 Korrik 2005

Në shtypin e sotëm ndër të tjera komentohen edhe këto tema: debati për reformimin e OKB-së në Asamblenë e Përgjithshme në Nju Jork, sulmet terroriste të 7 korrikut në Londër si dhe mbledhja e ministrave të financave të vendeve të BE-së.

https://p.dw.com/p/Aruh
Asambleja e Përtgjithshme e OKB-së në Nju Jork
Asambleja e Përtgjithshme e OKB-së në Nju JorkFotografi: AP

Sa i përket debatit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për reformimin e kësaj organizate, gazeta "Tageszeitung" komenton: "Në hapje të debatit për një reformë në Këshillin e Sigurimit plasi si një flluskë sapuni ambicja e qeverisë së socialdemokratëve dhe ekologjistëve për një vend të përhershëm të Gjermanisë në Këshillin e Sigurimit. E kjo pavarësisht se qeveria pretendonte të kish siguruar shumicën e nevojshme të vendeve që do ta përkrahnin. Tani u duhet afrikanëve "të pabesë" që të japin llogari për këtë kalkulim të gabuar. Se sa rëndë është gabuar, këtë e tregon më së miri parashikimi i deklaruar javën e shkuar nga përfaqësuesit e qeverisë në Berlin: se me një grup të fortë prej 40 shtetesh që përkrahin propozimin për reformë të G-4 (Gjermanisë, Indisë, Brazilit dhe Japonisë) vendet kundërshtare si Italia, Argjentina dhe Pakistani nuk do të mund të paraqesin kundërpropozim në asamblenë e përgjithshme", shkruan "Tageszeitung".

Ndërsa "Neue Westfälische" i referohet konkurrencës së interesave: "Ka kohë që nuk i kushtohet rëndësi nevojës së padiskutueshme për modernizimin e OKB-së, por vetëm interesave kombëtare si dhe xhelozive rajonale. Ndaj në fund gjithçka do të mbetet ashtu siç ka qenë, gjë që do t´i kënaqë SHBA. Dobësia e OKB-së i jep forcë superfuqisë së vetme të mbetur në botë. Gatishmëria e saj për krijimin e aleancave të reja është shumë e pakët. Kjo pasi një gjë e tillë do të binte ndesh me strategjinë përça e sundo. E sa u përket koalicioneve të të vullnetshmëve SHBA i kanë farkëtuar jashtë OKB-së", komenton "Neue Westfälische".

Lidhur me sulmet e 7 korrikut në Londër nga artikulli i "Stuttgarter Zeitung" veçojmë: "Lajmi i mirë: atentatorët në Londër kanë vdekur. Ata nuk do të vrasin më njerëz. Vetëm pesë ditë pas sulmeve ndaj sistemit të metrosë dhe atij urban hetuesit besojnë, se i kanë identifikuar terroristët. Nëse kjo vërtetohet, ky është një sukses sa i madh aq edhe befasues për shpejtësinë, që tregon, se sa me themel forcat e sigurisë dhe shërbimet sekrete i kanë mbledhur për vite me radhë të dhënat mbi terroristët e mundshëm. Autoritetet britanike e prisnin një sulm terrorist dhe kur ky ndodhi pak minuta më vonë u vu në veprim makineria e stërvitur e tyre për ditën X. Por lajmi i keq është, se atentate të reja do të pasojnë", tërheq vëmendjen "Stuttgarter Zeitung".

Po mbi këtë temë edhe një citat nga komenti i së përditshmes "Sächsische Zeitung": "Hetuesit ndodhen nën presionin e suksesit nga opinioni, që pret rezultatet konkrete pas serisë së sulmeve. Një kërkesë e kuptueshme kjo në sfondin e përmasave të kërcënimit. Padyshim që është e vështirë të pretendosh durim prej miliona qytetarëve të shqetësuar. Por nga ana tjetër nëse policia dhe forcat e rendit veprojnë shpejt, madje me nxitim dhe pa u menduar mirë, shtohet rreziku për gabime dhe abuzime. Një gjë e tillë nuk është në dobi të kapjes së shpejtë të terroristëve. Këta të fundit do të përfitonin prej gabimeve në hetime dhe mund t´i zhduknin gjurmët apo t´i shpëtonin rrjetit hetimor. Hetuesit nuk duhet të punojnë në klimën e kërkesave emocionale, por duke pasur mbështetjen publike pas vetes. Ka efekt kontraproduktiv nëse shefi i Scotland Yard-it pranon akuza të tilla, sikur ai nuk po i lufton, por po i mbron ekstremistët islamistë", vëren "Sächsische Zeitung".

Mbi çështjen e stabilitetit financiar në BE e përditshmja "Ost-Thüringer Zeitung" vëren: "Qeverinë federale e presin gjoba miliardëshe dhe një kurs i fortë kursimesh. Gjermania dikur modeli i Evropës për qëndrueshmëri dhe shpikje të rregullave buxhetore për BE-në, është tani nën survejim në aspektin e politikës financiare. Asaj i duhet sot të përbetohet si debitore. Madje as paragrafët e zbutur të paktit të reformuar të stabilitetit financiar në BE nuk janë aq elastikë sa t´i japin mundësi mëkatarit të deficitit buxhetor që të shpëtojë pa sanksione. Ministri i financave Hans Eihel ka deklaruar çdo vit nga e para dhe në mënyra të ndryshme në Bruksel dobësinë ekonomike të Gjermanisë duke përsëritur premtimet për kursime. Por shumë pak është bërë. Mbikqyrësi i arkës së shtetit nuk ka pasur forcë që të zbatojë shkurtimet e nevojshme të shpenzimeve", nënvizon "Ost-Thüringer Zeitung".