1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Regensburgu ishte thjesht një pakujdesi

Goran Goic1 Dhjetor 2006

Intervistë me Prof. Dr. Thomas Bremer, drejtor i Institutit Ekumenik dhe Dekan i Fakultetit Katolik të Teologjisë në Universitetin e Mynsterit me rastin e vizitës së Papës në Turqi

https://p.dw.com/p/Ar9a
Papa Benedikt takon patriarkun ortodoks Bartolomeu
Papa Benedikt takon patriarkun ortodoks BartolomeuFotografi: AP

Deutsche Welle: Prof. Bremer përse vizita e Papës në Turqi është kaq e kontestuar jo vetëm atje, por siç mësojmë edhe në vetë gjirin e kuries romane? A është fjalimi i Papës në Regensburg shkak për këtë?

Prof. Dr. Thomas Bremer: Vizita e Papës ishte planifikuar fillimisht vetëm si vizitë në Kishën ortodokse atje dhe tek patriarkët ekumenikë në Kostandinopojë. Pas fjalimit të Papës në Regensburg vizita fitoi një tjetër dinamikë, pasi kështu u përqëndrua vëmendja në raportet mes kishës katolike dhe fesë islame. Tani po konstatojmë se tema "islamizëm" dhe kishë katolike luan një rol shumë të madhe; tani marrëdhëniet mes të krishterëve, pra mes ortodoksisë dhe Kishës Katolike dalin si të thuash në plan të dytë.

Deutsche Welle: A ishte me vend vendimi i Papës për ta kryer këtë vizitë pikërisht tani kur tensionet e forta në botën islame pas fjalimit të Regensburgut ende nuk janë zbutur?

Prof. Dr. Thomas Bremer: Vizita ishte planifikuar më parë dhe alternativa do të kishte qenë anullimi. Unë mendoj se ishte më mirë që u vendos që vizita të kryhej. Në deklaratat e Papës me mbërritjen në Ankara dallohet se ai përpiqet të përmirësojë marrëdhëniet e rënduara prej fjalimit të tij të mëparshëm.

Deutsche Welle: : Gjatë pontifikatit të tij relativisht të shkurtër Papa Benedikti i XVI ka shprehur shpesh shqetësime mbi mënyrën se si është zhvilluar dialogu me fenë islame gjatë pontifikatit të Papës Gjon Pali i II-të. A mos ishte ndoshta fjalimi i tij në shtator në Regensburg një provokim i qëllimshëm që synonte shpalosjen e një dialogu të ri me islamizimin?

Prof. Dr. Thomas Bremer: Unë nuk do të thoja se Benedikti i XVI ndryshon shumë nga paraardhësi i tij Papa Gjon Pali i II-të sa i takon qëndrimit ndaj fesë islame. Gjithashtu nuk besoj së fjalimi i tij ishte një provokim i qëllimshëm. Ishte thjesht një pakujdesi. Tema e fjalimit ishte krejt tjetër, nuk bëhej fare fjalë për islamizmin dhe fjalia e përfolur kishte të bënte me raportim mes besimit dhe arsyes. Kjo ë shtë një temë shumë e rëndësishme, pra deri në ç'masë besimi mund të justifikohet nga arsyeja. Papa nuk ishte i vetëdijshëm se ai nuk mund të flasë thjesht si profesor apo erudit, dhe se kur thotë të tilla gjëra qoftë edhe nën strehën e një universiteti, tërheq vëmendjen e opinionit në të gjithë botën. Edhe vetë fakti që Papa i mori mbrapsht fjalët e tij dhe shprehu keqardhje tregojnë se nuk bëhej fjalë për një provokim të qëllimshëm. Ai thjesht ka nënvleftësuar efektin e fjalëve të tij.

Deutsche Welle: Atëherë sipas mendimit tuaj çfarë pret të arrijë Papa nga vizita në një vend ku nga rreth 70 milionë banorët vetëm 100.000 janë të krishterë? Nuk mund të jetë vetëm përmirësimi i stuatës së tyre!

Prof. Dr. Thomas Bremer: Papa nuk do të kishte shkuar në Stamboll nëse aty nuk do të gjendej selia e patriarkëve ekumenikë. Qëllimi fillestar i vizitës ishte takimi i patriarkëve. Kjo është një temë shumë e rëndësishme për Papën, pra rigjallërimi i dialogut mes Kishës Katolike dhe ortodoksisë, dhënia një impuls të ri këtij dialogu. Meqenëse përpara kësaj vizite fjalimi në Regensburg ngalli shumë irritime në botën islame dhe mqs Turqia siç thoni ju është kryesisht islame, vizita fitoi një dinamikë të re.

Deutsche Welle: Si i vlerësoni ju shanset për një afrim mes kishës ortodokse dhe asaj katolike?

Prof. Dr. Thomas Bremer: Unë mendoj se në Romë i kushtohet shumë rëndësi ekumenisë të Lindjes. Ndoshta sepse ekziston edhe droja se dialogu me kishat reformatore mund të jetë i vështirë. Marrëdhëniet me ortodoksinë kanë qenë të rënduara vitet e kaluara. Kjo ka shumë arsye. Kisha katolike greke në Rumani apo Ukrainë luajnë këtu një rol, ndoshta edhe fakti që Papa i mëparshëm ishte polak. Mes dy kishave ka një komision teologësh që prej vitesh nuk funksionon dhe dialogu kishte ngecur në vend.

Deutsche Welle: A mendoni se ekumenia është vërtet një çështje që Papa e ka shumë për zemër?

Prof. Dr. Thomas Bremer: Besoj se po. Këtë e kanë treguar edhe deklaratat e tij përpara se të zgjidhej Papë. Në fjalimin e tij në hapje të punimeve të Konklavës kur ishte ende kardinal, Ratzinger është shprehur shumë kritik ndaj formave të modernizmit si, subjektivizmi, liberalizmi dhe individualizmi. Tek ortodoksia ai sheh një institucion i cili bashkë me kishën katolike është në gjendje t'i kundërvihet tendencave të tilla. Kjo vërtetohet edhe nga qëndrimet e ortodoksisë ruse ndaj fenomeve të tilla. Prandaj mendoj se kisha ortodokse ruse bashke me atë katolike mund të formojnë si të thuash një bastion kundër këtyre tendencave.