1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reshjet e dëborës shkaktojnë probleme në procesin e votimit

22 Mars 2009

Nën masa të rrepta të sigurisë po votohet sot në Maqedoni për zgjedhjen e presidentit dhe kryetarëve të komunave. Reshjet e pandërprera të dëborës gjatë natës vështirësuan procesin zgjedhor.

https://p.dw.com/p/HHA7
Reshje dëbore në Maqedoni në ditën e votimeve
Si pasojë e dëborës nuk hapen 98 qenda votimiFotografi: AP

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka konfirmuar, se për shkak të bllokimit të akseve rrugore nga të rreshurat e dëborës, në 98 vendvotime në gjithsejt 23 komuna nuk janë hapur vendvotimet për shkak të mungesës së materialit zgjedhor. Zëdhënësi i KSHZ-së Zoran Tanevski, tha se shtabi i krizës ka intervenuar në pastrimin e rrugëve dhe ka ndihmuar në dërgimin e anëtarëve të Komisioneve Zgjedhore në fshatrat malore.

"Sipas ligjit, nëse vonohet hapja e vendvotimit, më tepër se tre orë atëherë procesi zgjedhor në to ndërpritet," tha zëdhënësi i KSHZ-së Zoran Tanevski. Gjithnjë sipas tij deri më tani zyrtarisht është konfirmuar se nuk janë hapur disa vendvotime në komunën e Velesit. Probleme ka edhe në fshatrat e Gostivarit dhe Tetovës. Deri më tani jehona e daljes së votuesve në zgjedhje sillet prej 5,6 përqind deri 9.7 përqind. Pritet që numri i votuesve të rritet dukshëm në orët e pasditës, sepse që vendin e ka kapluar një mot i lig me dëborë dhe temperatura të ulëta, i cili po ndikon edhe në daljen e qytetareve në zgjedhje.

Në qendrat e votimit vërehen masa të shtuara të sigurisë

Pamje nga qyteti i Shkupit (20.03.2009)
Shkupi në votime për presidentin e vendit dhe kryetarët e komunave (20.03.2009)Fotografi: AP

Në vendvotime po vërehet një prani e madhe e policisë, e cila gjatë ditës së sotme është duke vepruar me një strategji të veçantë për ruajtjen e qetësisë dhe rendit.

“ Gjithçka është duke shkuar në rregull, kemi patur edhe qytetarë të cilët që në orën 7 kanë pritur para objekteve për të votuar,” thotë një anëtar i Komisionit Komunal Zgjedhor në komunën Qendër.

Pra sa i përket votimit në vendet urbane, procesi zgjedhor po rrjedh sipas parashikimeve, në mënyrë të qetë dhe të rregullt.

“E realizova të drejtën e votës. Në vendvotim ishte qetë, ashtu së paku unë fitova bindjen ,e si do të jetë deri në fund të ditës nuk e di, “ deklaroi Vesna Açkovska, nga Shkupi.

Qytetar i Maqedonisë me kutinë e votimit
Zgjedhjet po monitorohen nga 7000 vëzhguesFotografi: AP

Zgjedhjet Presidenciale dhe ato lokale të 22 marsit janë duke u monitoruar nga mbi 7000 vëzhgues vendas dhe të huaj.

Zgjedhje të rëndësishme për të ardhmen evroatlantike të Maqedonisë

I dërguari i Bashkimit Evropian në Maqedoni Erwan Fouere foli të dielën për "zgjedhje absolutisht të rëndësishme dhe vendimtare," për Maqedoninë. Vendi duhet të tregojë se mund të zhvillojë zgjedhje paqësore, sepse nëse nuk e bën këtë do të humbasë sërish një shans dhe "trenin për në Evropë", tha Fouere, për agjensinë e lajmeve AP.

Autor: Fatos Musliu / Esat Ahmeti

Redaktoi / Esat Ahmeti