1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Revizion po, dëmshpërblime jo

Daniel Pelz
31 Korrik 2018

Përfaqësues të hererove nga Namibia kanë hedhur në gjyq Gjermaninë. Një gjykatë amerikane merret ditën e martë me këtë çështje. Rasti tregon sa të vështirë e ka Gjermania me revizionimin e historisë së saj kolonialiste.

https://p.dw.com/p/32LrZ
Berlin Kolonialgeschichte Afrika
Fotografi: Imago/IPON

Ministrja i kishte sytë gati me lot kur tha: "Ne gjermanët pranojmë përgjegjësinë tonë historiko- politike, etiko- morale dhe fajin, që gjermanët kanë bërë në atë kohë". Heidemarie Wieszorek- Zeul, i tha këto fjalë kur vizitoi Namibinë në vitin 2004, kur ishte ministre në Gjermani për çështjet e zhvillimit. Ajo foli në Waterberg, aty ku ushtarët e Kajzerit Wilhelm II. mbytën me gjak një rezistencë kundër sundimit kolonialist gjerman, njëqind vjet më parë. Dhjetramijëra pjesëtarë të fiseve herero dhe nama u vranë në vijim nga "trupat mbrojtëse", ose vdiqën në kampet e përqëndrimit dhe historianët flasin për genocidin e parë që ka ndodhur në shekullin e 20-të.

Namibia pati pritur gjatë për të dëgjuar këto fjalë, por qeveria e atëhershme gjermane ruajti distancën. Fjalët e mësipërme Wieczorek-Zeul i pati thënë si person privat. Një gjë që dihej prej kohësh, pavarësisht kush ka qenë në krye të qeverisë në Bon apo në Berlin. Gjermania meritoi respekt të madh nga e gjithë bota për rishkruajtjen e historisë së Holokaustit, ndërkohë që injoron të kaluarën e saj kolonialiste.

Litographie der Schlacht von Tsingtao 1914 Ausschnitt
Fotografi: gemeinfrei

Qeveria gjermane flet për herë të parë për revizionin e historisë në paktin e koalicionit qeveritar

Tani pritet të ndodhë një kthesë e ngadaltë: "Kush lexon paktin e koalicionit qeverisës, habitet dhe thotë "Zot i madh, kjo qeveri duket se po i dedikohet me shumë vullnet temës së kolonializmit, sepse në një formë të tillë nuk është folur kurrë më parë'", shpjegon eksperti për çështjet e kolonializmit, Henning Melber. Sepse qeveria gjermane pati premtuar të merret me historinë gjermane të kolonializmit. "Ne duam të ngremë një urë që të lidhë të kaluarën me të ardhmen", theksoi edhe ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas, gjatë vizitës së tij në Tanzani në muajin maj.

"Nga njëra anë ky është që refleks që tregon se diskutimi publik është bërë i rëndësishëm në temën e trashëgimisë koloniale. Dhe nga ana tjetër bëhet e njohur, se krah historisë së komunizmit dhe nacionalsocializmit duhet rishikuar edhe historia e kolonializmit", thotë Jürgen Zimmerer, profesor i historisë afrikane në Universitetin e Hamburgut. Sepse debati për periudhën e kolonializmit gjerman dhe pasojat e tij janë bërë me zë të lartë vitet e fundit. Aktivistët kritikojnë për shembull Forumin Humboldt, të planifikuar të ndërtohet si koleksion shtetëror etnologjik. Ai është një projekt prestigjoz për qeverinë gjermane dhe pritet të hapet vitin e ardhshëm në Berlin.

Mbas diskutimeve të ashpra gjithnjë e më shumë muzeume dhe arkiva janë duke parë nëse objekte nga periudha e ish kolonializmit kanë përfunduar në mënyrë legale apo jo në koleksionet e tyre. Shembulli më i mirë është një skelet gjigand Brachiosaurus, që ndodhet në muzeumin e natyrës në Berlin. Ai është marrë në kohën e kolonive nga territoret e Tanzanisë së sotme dhe është sjellë në Berlin. Aktivistë nga Tanzania kërkojnë kthimin e tij, kurse qeveria e Tanzanisë jo. Debate shumë emocionuese zhvillohen edhe për mijëra skelete njerëzish, që ndodhen në arkiva dhe muzeume. Ato janë sjellë në kohën e kolonive në Gjermani nga studiues jo seriozë. Disa institucione kanë bërë plane për kthimin e tyre.

Propagandaplakat Erster Weltkrieg General Paul Emil von Lettow-Vorbeck
Fotografi: Ullstein

Gjermania ndihet si ndihmës-magjistar

Presion në rritje vjen prej jashtë Gjermanisë. Përfaqësues të hererove dhe namave të Namibisë kërkojnë, që Gjermania të kërkojë zyrtarisht falje për kohën e kolonializmit. Edhe grupe të veçanta dhe politikanë nga Tanzania, ish "Afrika lindore gjermane", kërkojnë dëmshpërblime.100 000 deri 250 000 vetë kanë humbur jetën në të ashtuquajturën "luftën Maji- Maji", kundër sundimit kolonialist gjerman nga viti 1905 deri në vitin 1907. Presion indirekt qeverisë gjermane i është bërë edhe nga presidenti francez, Emmanuel Macron: Në nëntor 2017, ai tha se brenda pesë vitesh Franca do të kthejë të gjitha veprat kulturore të marra nga ish-kolonitë. Në Gjermani shumë vetë kërkojnë që edhe Gjermania të ndjekë këtë rrugë.

Por trashëgimia kolonialiste gjermane ka shumë më tepër gjëra se sa vepra kulturore të vjedhura, thotë Zimmerer për Deutsche Wellen. "Kemi të bëjmë me krime të tjera të kolonializmit. Për shembull konfliktet e armatosura, dëbimi nga toka dhe genocidi në Namibi".

Për këto gjëra nuk flitet në paktin e koalicionit. Falja zyrtare e palës gjermane për genocidin në Namibi, u ka pas parë si projekt prestigjioz i qeverisë gjermane. Që prej 2014, qeveria gjermane është duke zhvilluar bisedime me qeverinë namibiane dhe falja zyrtare duhet të ishte bërë vitin e kaluar, para zgjedhjeve. Por palët nuk kanë rënë dakord. Ndërkohë, që qeveria gjermane thekson se kërkon të arrijë në marrëveshje, në Namibi rritet zhgënjimi. Pasojë e kësaj është që përfaqësues të hererove dhe namave, kanë ngritur padi në një Gjykatë në Nju Jork. Me të ata kërkojnë të hyjnë në bisedime direkte me qeverinë gjermane dhe dëmshpërblime. Por gjykata nuk ka vendosur ende nëse është kompetente për këtë rast. Qeveria gjermane nuk pranon të paraqitet në gjyq. Tani ajo ka bërë kërkesën që padija të mos pranohet. Ditën e martë gjykata do të marrë vendim për këtë.

Namibien Zeremonie Regentanz Ethnie Sand Omahake Windhoek
Fotografi: Kossivi Tiassou

Në mënyrë indirekte qeveria gjermane ndihmon Namibinë për të larë fajet. Që prej pavarësisë Namibia ka marë ndihma të shumta për zhvillim. Po ashtu për territoret ku jetojnë hererot dhe namat janë bërë plane për projekte shtesë. Politika gjermane sapo ka filluar të merret me periudhën e kolonializmit, dhe me siguri që kjo do zgjasë shumë.