1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rezerva për arsye të pasojave të mundshme

15 Prill 2009

Ministrja gjermane e bujqësisë ndalon mbjelljen e misrit të manipuluar gjenetikisht

https://p.dw.com/p/HXd2
Kalli misri të manipuluar gjenetikishtFotografi: picture-alliance/dpa

Kjo histori filloi me një flutur. Flutura e ashtuquajtur "turjelë misri" (ostrinia nubilalis) sulmon fusha të tëra të mbjella me misër. Për kërë arsye firma amerikane e prodhimit të farërave "Monsanto" ka zhvilluar një lloj misri të përpunuar gjenetikisht, i cili prodhon një helm insektesh që lufton sulmet e fluturave. Në Gjermani mbjellja e misrit të manipuluar gjenetikisht është lejuar që prej vitit 1998. Megjithatë mbrojtës të ambientit thonë se pasojat njihen shumë pak. Për këtë arsye ministrja gjermane e bujqësisë Ilse Aigner vendosi ndalimin e mbjelljeve të tjera.


Ministria gjermane e bujqësisë u gjend javën e kaluar disa herë nën presion. Fshatarët në Gjermani do të fillojnë pas pak ditësh me mbjelljen e misrit dhe ministrja Ilse Aigner duhet të marrë më parë një vendim për llojin "MON 810" të misrit, misër i përpunuar gjenetikisht. Nga partia në të cilën bën pjesë ajo, Partia Socialkristiane CSU, pati kritika të forta kundër vazhdimit të mbjelljes së kësaj bime, e cila përdoret kryesisht si foragjer. CSU-ja, nuk dëshiron të shtojë pakënaqësitë e konsumatorëve bavarezë pak javë para zhvillimit të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian dhe atë gjerman (Bundestag). Megjithatë ministrja u përpoq të sqaronte se vendimi i saj nuk ka motive politike.


“Dua të theksoj se ky vendim nuk ka të bëjë me marrjen e vendimeve bazë për teknikën e gjelbër gjenetike. Ky vendim është një vendim i veçantë që është marrë në bazë të studimeve shkencore dhe pas shqyrtimit të pikëpamjeve pro dhe kundër. Çështja e hapur e lejimit në Evropë të mbjelljes të kësaj bime të vetme të përpunuar gjenetikisht, bën të qartë domosdoshmërinë e studimit të kushteve te sigurisë."


Labor des US Saatgutherstellers Monsanto in Frankreich
Laborator francez i prodhuesit amerikan të farërave Monsanto.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Para se të merrej ky vendim, politikanët e Të Gjelbërve patën nxjerrë në shesh se poleni i misrit "MON 810" është gjetur në mjalt. Rritësit e bletëve nuk mund të shesin produktet e tyre sepse ato përmbajnë pjesë të një foragjeri, i cili nuk është i lejuar si produkt ushqimor. Por, sipas të dhënave të punonjësit të ministrisë Christian Grugel, ky argument nuk ishte kryesori.


“Sepse aktualisht nuk janë bërë studime shkencore që të vërtetojnë ndikimin tek bletët, dhe ku ne mund të themi se ekziston një rrezik konkret. Nuk ekziston asnjë studim që të jetë marrë me bletët, megjithatë ne kemi disa pyetje që kanë mbetur pa përgjigje në studimet e tjera që janë bërë.”


Bundeslandwirtschaftsministerin Ilse Aigner
Ministrja gjermane e bujqësisë Ilse Aigner.Fotografi: AP

Ministria sheh rreziqe ndër të tjera për nuse pashket, fluturat dhe pleshtat e ujit. Shoqata e fshatarëve gjermanë u shpreh po ashtu kundër misrit të manipuluar gjenetikisht, sepse mbjellja e tij ka pak avantazhe. Me vendimin e marrë ministrja gjermane respekton dëshirën e partisë prej nga vjen dhe të zgjedhësve. Shumica e tyre nuk e pranojnë mbjelljen e bimëve të përpunuara gjenetikisht. Por me sqarimet për marrjen e vendimit ajo përpiqet njëkohësisht të mos zemërojë përkrahësit e teknikave të gjelbra gjenetike.

Autor: Zacharias Zacharakis / Aida Cama

Redaktoi: Elert Ajazaj