1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rice dhe Straw ushtrojnë trysni në Bagdad

Björn Blaschke3 Prill 2006

Ministrja e jashtme amerikane Condoleezza Rice, dhe homologu i saj britanik Jack Straw, mbërritën dje papritur në kryeqytetin irakian për të kërkuar përparime në formimin e qeverisë.

https://p.dw.com/p/ArLw
Presidenti irakian Talbani në bisedë me Rice, Straw dhe Khalilzad
Presidenti irakian Talbani në bisedë me Rice, Straw dhe KhalilzadFotografi: AP

45 minuta zgjati takimi midis kryeministrit kalimtar irakian Ibrahim al Xhafari dhe kryediplomatëve të SHBA dhe Britanisë së Madhe, Condoleezza Rice dhe Jack Straw. Të tre buzëqeshën ngrohtë drejt kamerave, por poshtë buzëqeshjes duhet të ketë pasur ftohtësi.

Sepse Ibrahim al Xhafari konsiderohet personifikimi i pykës frenuese. Për sa kohë ai këmbëngul që të mbetet katër vjet kryeministër nuk do të ketë qeveri të re në Irak, nuk do të ketë koalicion të gjerë të unitetit kombëtar të synuar nga të gjitha partitë. Kështu kanë deklaruar shpesh politikanët irakianë kurdë, arabo-sunitë si dhe ata laikë. Dhe në fundjavë këtij qëndrimi i janë bashkuar edhe kolegë të fraksionit të al Xhafarit. Atij ju kërkua nga shumë anëtarë të rangut të lartë të aleancës shiito-fetare që të lironte postin. Kritikët e al Xhafarit e akuzojnë atë ndër të tjera se ka bërë shumë pak për sigurinë në vend.

Ende al Xhafari bën qëndresë duke tërhequr vëmendjen tek fakti se është caktuar kandidat për postin e kryeministrit në një zgjedhje ndërfraksionale të aleancës më të madhe partiake në parlament, për rrjedhim nga shumica e popullit ose së paku e përfaqësuesve të popullit. Që populli sa vjen e kthehet kundër tij sepse që prej thuajse tre vjet e gjysmë pret më kot për formimin e qeverisë nuk i intereson me sa duket.

Si përkrahës të popullit irakian u paraqitën gjatë konferencës së tyre për shtyp në Bagdad edhe Condoleezza Rice dhe Jack Straw. Në këtë mënyrë atyre nuk iu desh të kërkonin publikisht nga al Xhafari që ky të largohet.

"Populli irakian kërkon me të drejtë një qeveri pasi shprehu guximin të shkonte në vendet e votimit" - tha ministrja e jashtme amerikane Rice.

Në largimin e al Xhafarit janë shumë të interesuar SHBA-të dhe Britania e Madhe. Uashingtonit dhe Londrës nuk u nevojitet një kryeministër që mbështetet në lidhjet me njerëz si Muktada al Sadr.