1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rice: Nuk duhet të ketë shtyrje për Kosovën

Anila Shuka26 Prill 2007

Të premten ministrat e jashtëm të Natos të mbledhur në Oslo diskutojnë për Kosovën. Takimi më parë i Këshillit Nato- Rusi u mbyll me mosmarrëveshje të shumta mes SHBA-ve dhe Rusisë.

https://p.dw.com/p/ArWB
Lavrov, Rice dhe Scheffer të enjten në Oslo
Lavrov, Rice dhe Scheffer të enjten në OsloFotografi: AP

Tema kryesore e grindjes ishte ajo e planeve amerikane për ngritjen e mburojës antiraketore dhe kërcënimi i Putinit për t’u tërhequr nga kontrata për çarmatimin nga armët konvencionale në Evropë.

Por edhe Kosova ishte temë diskutimi në Oslo. Kondolica Rajs (Condolezza Rice), ministrja amerikane e punëve të jashtme, është për zgjidhjen sa më të shpejtë të statusit të Kosovës. „Ne nuk do t’i përmirësojmë mundësitë për stabilitetin e gjendjes në Ballkan po ta shtyjmë zgjidhjen”, - tha Rice mbas takimit me homologët e saj nga vendet anëtare të Natos.

“Ne po punojmë aktualisht me qeverinë e Kosovës, e cila do të duhet të tregojë mirëkuptim për mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe të drejtave fetare, e të marrë përsipër detyrimet e nevojshme për të krjuar shtetin multietnik“, - tha Rajs. Sipas ministres amerikane, stabiliteti në Ballkan konsiston në një zgjidhje të shpejtë dhe në afrimin e mëtejshëm të Serbisë në institucionet evropiane: “Ne shpresojmë që perspektiva evropiane e Serbisë, do t’i mundësojë asaj që të kuptojë se si mund të arrihet stabilitet në Ballkan,” tha ajo dhe i bëri thirrje Serbisë që të mos ketë frikë nga Bashkësia Ndërkombëtare.

Përkundër Rajs, Sergej Lavrov, ministri i jashtëm rus, në konferencën e shtypit për Kosovën u shpreh shkurt e prerë: “Qendrimi ynë dihet: Ne duam një zgjidhje që mund të pranohet nga të dyja palët. Zgjidhje që i imponohen njërës palë janë të paqëndrueshme dhe shkaktojnë raste precedente.” Një pyetjeje të dytë për Kosovën, Lavrov nuk ishte më i gatshëm t’i përgjigjej: “Pyetja tjetër, ju lutem!” tha shefi i diplomacisë ruse pa e fshehur nervozizmin.

Pasi kontradiktat mes SHBA-ve dhe Rusisë në Oslo nuk kishin të bënin me Kosovën, por me planin e amerikanëve për ngritjen e mburojës antiraketore në Poloni dhe Çeki. Kërcënimi i presidentit Putin për tërheqjen e Rusisë nga programi i çarmatimit e rëndoi edhe më tej situatën e acaruar që më parë.

Ministri gjerman i punëve të jashtme, Shtajnmajer ( Frank Valter Steinmeier) u shpreh i pakënaqur me debatin e zhvilluar të enjten në kryqytetin norvegjez. “Duhet mënjanuar krijimi i një spiraleje mosbesimi midis SHBA-ve dhe Rusisë, sepse kjo është në interes të drejtpërdrejtë të Evropës,” tha ai. Por Shtajnmajer theksoi se ka edhe tema të tjera, ku mes SHBA-ve dhe Rusisë ka mosmarrëveshje. Në këtë kontekst ai përmendi çështjen e zgjerimit dhe atë të Kosovës. Për këto dy çështje ministrat do të diskutojnë të premten, por pa ministren amerikane, e cila qysh në mbrëmje mori rrugën për në SHBA.