1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grenell dhe Palmer vizitojnë Kosovën dhe Serbinë

Bekim Shehu
9 Tetor 2019

Dy përfaqësuesit më të lartë amerikanë për Ballkani Perëndimor Palmer dhe Grenell vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin.Tema kryesore dialogu Kosovë-Serbi.

https://p.dw.com/p/3QxDt
US-Botschaft in Berlin | Richard Grenell (Links) Ramush Haradinaj (Mitte) und Hashim Thaçi (Rechts)
Fotografi: US-Botschaft Berlin

Matthew Palmer muaj një muaj më parë u emërua nga administrata amerikane si i ngarkuar për Ballkanin Perëndimor. Ndërsa, ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, katër ditë më parë u ngarkua drejtpërdrejt nga Presidenti Tramp, si ndërmjetësues amerikan në dialogun Kosovë-Serbi. Lajmin për vizitën në Prishtinë dhe Beograd, të dy zyrtarëve amerikan e bëri ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

Philip Kosnett bëri të ditur përmes rrjetit Twitter se mbështetja e SHBA-së, për Kosovën dhe Serbinë në procesin e dialogut kërkon angazhim të përbashkët dhe punë intensive. "Mbështetja e SHBA-së për Kosovën dhe Serbinë në procesin e dialogut kërkon punë ekipore. I dërguari i posaçëm i Presidentit Trump, Grenell dhe përfaqësuesi special i Departamentit të Shtetit Matthew Palmer, do të vijnë së bashku nga Berlini dhe të dy do të vizitojnë Kosovën”, shkruan Kosnett. Ai ka shpërndarë edhe një fotografi në Ambasadën së SHBA-së në Gjermani, dhe ku të dy zyrtarët e lartë amerikanë shihen në takim me zyrtarët gjermanë, për situatën në rajonin e Ballkanit. Për vizitën e dy zyrtarëve amerikanë nuk janë dhënë hollësi, por merret vesh se ata do ta takojnë Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe autoritete të tjera.

Matthew Palmer
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/D. Vojinovic

Emërimi i Matthew Palmer dhe Richard Grenell, është mirëpritur nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. Vizita e tyre ndodhë në kohën kur në Kosovë sapo përfunduan zgjedhjet e përgjithshme, në të cilat Vetëvendosja dhe Albin Kurti kanë fituar më së shumti vota. Kurti ka qenë më parë kritik ndaj mënyrës së zhvillimit të dialogut Kosovë-Serbi. Ai ka paralajmëruar se në qeverinë e tij prioritet do të jetë fillimisht dialogu me serbët e Kosovës, por nuk e refuzon dialogun me Beogradin zyrtarë. Dialogu Kosovë-Serbi u ndërpre në nëntorin e vitit të shkuar kur qeveria e Kosovës vendosi taksë 100% ndaj produkteve serbe, si shenjë pakënaqësie ndaj fushatës agresive diplomatike të Serbisë kundër njohjeve të Kosovës.