1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rinia e AfD-së - armiqtë e rinj të demokracisë

24 Shkurt 2024

Alternativa e Re kontribuoi në radikalizimin e AfD-së në Gjermani. Të rinjtë e AfD-së ëndërrojnë një vend pa emigrantë. Ata angazhohen edhe kundër demokracisë.

https://p.dw.com/p/4cnLi
Alternativa e Re, simboli i kësaj organizate
Alternativa e ReFotografi: Paul Zinken/dpa/picture alliance

Anna Leisten është e re, e lumtur - dhe radikale. Të paktën kështu paraqitet në shumë foto në profilin e tij në Instagram. Ajo është një nga fytyrat e njohura të "Alternativës së Re", të rinisë së Alternativës për Gjermaninë (AfD) populiste dhe pjesërisht ekstremiste të Gjermanisë. Përshkrimi i saj në Instagram thotë: "Nga një vajzë e lezetshme me gërsheta te një ushtare e hekurt”. Mes fotove 23-vjeçarja nga Brandenburgu publikon edhe mesazhet e saj politike. Në një imazh thuhet: Anna Leisten me "White-Power" - përshëndes skenën radikale të djathtë dhe neo-naziste.

Bombarduesi i Christchurch, Brenton Tarrant, e përdori këtë përshëndetje. Fotot tregojnë Anna Leisten duke shikuar drejt Götz Kubitschek, një nga ekstremistët më të famshëm të krahut të djathtë në Gjermani, i cili ëndërron një "Kundërrevolucion" antidemokratik. Ose fotoja e Annës që zvarritet nëpër baltë dhe tela me gjemba me një vështrim të lodhur. "Kampi stërvitor në Frontin Lindor 2025”, shkruan ajo tek kjo foto. Alternativa e re fantazon për luftën.

Anna Leisten
Anna LeistenFotografi: Christophe Gateau/dpa/picture alliance

"Ekstremist i besueshëm"

Leisten mishëron idealet e Alternativës së Re, në gjermanisht Junge Alternative (JA). Ajo bën thirrje për një ndryshim rrënjësor të sistemit në Gjermani: Të gjithë ata që janë "me origjinë të huaj" duhet, nëse është e mundur, të përjashtohen. Kjo është arsyeja pse Gjykata Administrative në Këln, pas dhënies së vendimit për Alternativën e Re nga 5 shkurti 2024, arsyeton: "Patjetër që janë aspirata ekstremiste”. Me konceptin e saj "etnik”, Alternativa e Re shkel nenin 1 të Kushtetutës gjermane, ku flitet për paprekshmërinë e dinjitetit njerëzor. Përveç kësaj, organizata agjiton masivisht kundër myslimanëve, azilkërkuesve dhe emigrantëve, sipas Gjykatës Administrative. "Emigrantët në përgjithësi quhen parazitë dhe kriminelë ose me emra të tjerë të përçmuar”.

Anna-Sophie Heinze nga Universiteti i Trierit ka bërë një studim të gjerë mbi Alternativën e Re. Në një intervistë për DW, ajo shpjegon se si janë afruar ndër vite lidhjet mes partisë dhe rinisë. "Në përgjithësi, rinia e AfD-së është një hallkë e rëndësishme e personelit dhe ideve për AfD-në. Të rinjtë jo vetëm që mobilizojnë votuesit për të votuar këtë parti në zgjedhje, por tregojnë një prani të fortë në rrjetet sociale”.

Heinze beson se Alternativa e Re është "motori qendror i procesit të radikalizimit të AfD". Sot, shumë anëtarë dhe mbështetës të shquar të të rinjve të AfD-së janë ulur në parlament. Matthias Helferich për shembull. Ky politikan i ri nga Dortmundi përfaqëson AfD-në në Bundestag. Në bisedat e brendshme, ai dikur e quajti veten "fytyra miqësore e nacionalsocializmit". Pra, partisë e cila nën udhëheqjen e Adolf Hitlerit, organizoi vrasje masive të hebrenjve evropianë. Në takimet e Alternativës së Re, Helferich festohet si "ministri i ardhshëm për riatdhesimin", si një njeri që duhet të organizojë dëbimin masiv të njerëzve me origjinë të huaj nga Gjermania.

"Tradhtia e Kushtetutës”

Demonstratat e AfD - banderolë ku shkruhet "Vendosuni kufij globalistëve"
Demonstratat e AfDFotografi: Sachelle Babbar/ZUMA Wire/IMAGO

Edhe zëdhënësi i Alternativës së Re, Hannes Gnauck, përfaqëson AfD-në si deputet në Bundestag. Gnauck mban titullin e rreshterit të Bundeswehr-it. Por Shërbimi Informativ Ushtarak i Ushtrisë Gjermane ia hoqi këtë detyrë - për shkak të mungesës së besnikërisë ndaj Kushtetutës gjermane. Aktualisht ka një rezistencë masive kundër AfD-së në Gjermani. Raportet e mediave për fantazitë e ekstremistëve të djathtë për debimet masive të të huajve shkaktuan një valë të paprecedentë protestash, në të cilat morën pjesë miliona njerëz.

Por ekstremistët si Hannes Gnauck nuk heshtën. Përkundrazi: "Lufta kundër krahut të djathtë është vetëm një justifikim, në realitet, është një luftë kundër nesh, një luftë kundër popullit gjerman," deklaroi Gnauck në kanalin Young Alternatives YouTube në fund të janarit 2024. Duke marrë parasysh rezistencën ndaj forcave radikale, ai kërkon unitetin e Alternativës së Re dhe të AfD-së: "Duhet të zhvillojmë një mentalitet dhe të themi: Sulmi ndaj një individi, që lufton për kauzën tonë, është sulm ndaj të gjithë neve, duhet të lëmë më në fund pas nesh kohët e ‘distancimit' dhe përjashtimit”. Uniteti mes të rinjve të AfD dhe krerëve të saj duket se po funksionon mirë.

Ndalimi i organizimit të rinisë?

Duke pasur parasysh vlerësimin e gjykatës se Alternativa e Re është "ekstremiste", filloi edhe një diskutim mbi ndalimin e saj. Ndalimi do të ishte relativisht i thjeshtë për t'u zbatuar pasi organizata rinore, edhe pse pjesë e partisë AfD, është organizatë më vete. Prandaj, gjykatat nuk do të duhej të vendosin për ndalimin sikur në rastet kur duhet të vendoset për ndalimin e ndonjë partie. Në vend të kësaj, mund të lëshohet vetëm urdhëri në Ministrinë e Brendshme federale për ndalimin. Shumë juristë kushtetues gjermanë besojnë se procedura e ndalimit do të duhej të konsiderohej si një mundësi, por ka dhe shumë rezerva.