1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rinia kapitali më i çmuar në Ballkan

18 Tetor 2016

Rinia është kapitali më i çmuar në Ballkan, por mungojnë të dhënat për organizatat rinore dhe aktivitetet e tyre.

https://p.dw.com/p/2RLK7
Deutschland Schulen und Internet im Unterricht
Fotografi: picture-alliance/dpa/W. Kastl

DW:  Znj. Haçkaj, sapo janë publikuar gjetjet e projektit rajonal "Fuqizimi i ndërlidhjes rinore rajonale”, që u zhvillua në tri vende të rajonit: Shqipëri, Serbi, Mali i Zi. Cilat janë rrethanat e konceptimit të këtij projekti dhe çfarë keni synuar?

Krisela Haçkaj: Ky projekt u mbështet nga Fondi Evropian për Ballkanin. Zbatimi i tij u drejtua  nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, në bashkëpunim me dy organizata partnere në Serbi dhe Mal të Zi. Qëllimi i projektit është "të fotografojë” organizatat rinore në këto tri vende, të ketë informacion për profilin e aktiviteteve të tyre dhe t'u ofrojë institucioneve politikëbërëse dhe Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor, RYCO- Youth Regional Cooperation, një seri të dhënash mbi gjendjen e nismave rinore, nevojat e të rinjve dhe planet e tyre si edhe me rekomandime për mbështetjen e kapaciteve rinore.

DW: Rinia është ndër aktoret kryesore të procesit të Berlinit. Bashkëpunimi mes organizatave rinore në nivel rajonal është një dimension i rëndësishëm në ambicien rajonale për ndërlidhjen, connectivity, që sot është kryefjala e Procesit të Berlinit dhe për rrjedhojë e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor. Cilat janë gjetjet, si është situata e organizatave rinore dhe aktiviteteve të tyre në terren në tri vendet ku u zbatua projekti juaj dhe  faktorët pro & con për zhvillimin e tyre?

Krisela Haçkaj Tirana
Krisela HaçkajFotografi: DW/A.Ruci

Krisela Haçkaj:  Politika e BE-së apo e vendeve të caktuara të BE-së drejt rajonit të Ballkanit Perëndimor po shkon duke u konkretizuar me projekte rajonale që ndërlidhin politikat ekonomike, rinore, etj për të siguruar që këto vende të konvergojnë, të puqen në bllok drejt standardeve të BE-së duke marrë parasysh që vendet rajonale që aspirojnë integrimin  në BE kanë karakteristika te ndryshme. Ne pyetëm 193 organizata rinore dhe intervistuam 35 syresh. Shqipëria vuan nga mangësia e të dhënave, mungesa e data base, e regjistrave pra në përgjithësi dokumentimit në mënyrë të rregullt të strukturave rinore dhe aktivitetit të tyre. P.sh. mungon një regjistër i organizatave rinore që veprojnë në të gjithë vendin. Serbia ka një regjistër kombëtar të organizatave rinore. Mali i Zi ka mungesë të përditësimit të regjistrit të Organizatave jo-Fitimprurësë, OJF me fokus rininë. Shqipëria, në ndryshim nga vendet e tjera, ka një përqëndrim të theksuar të aktivitetit rinor në Tiranë. Rreth 67% e organizatave që iu përgjigjen pyetësorit deklaruan që kryejne aktivitete në Tiranë. Në Serbi dhe në Mal të Zi ka një shpërndarje më homogjene në gjithë territorin kombëtar të aktiviteteve rinore. Grupet me të cilat organizatat rinore bashkëpunojnë më shumë në tri vendet janë studentët dhe gratë e reja. Rreth 80% e organizatave i cilësojnë burimet financiare të limituara si pengesën kryesore në veprimtarine e tyre. Organizatat rinore në Shqipëri janë në përgjithësi më të reja në moshë, 38% e tyre janë themeluar pas vitit 2012. Në Shqipëri, rreth 77% e organizatave rinore përzgjedhin si burim primar financimi, mbështetjen nga donatorët, kryesisht  te huaj. Në Malin e Zi kjo përqindje zbret në 53%. Në Serbi, qeveria vendore është burimi kryesor i financimit për 54% të totalit të organizatave rinore. Përgjithësisht, organizatat rinore krijojnë me shumë partneritete me organizata në rajon sesa me organizata te vendit të tyre.

DW:  Ndërkohë pritet të fillojë funksionimi i RYCO, Zyrës Rajonale të Rinisë, me qendër në Tiranë, një premisë  e rëndësishme që bashkëpunimi rajonal rinor të marrë jetë. Çfarë ofron situata në terren e organizatave rinore për këtë zyrë nisur nga gjetjet e projektit në fjalë?

Krisela Haçkaj:  Në fillim të këtij muaji, më 5 tetor, Këshilli i Ministrave të Shqipërisë, miratoi projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së kësaj zyre. RYCO  pritet te fillojë verpimtarine e saj ne fillim të vitit 2017. 44% e organizatave rinore shqiptare u përgjigjen që e njohin RYCO dhe misionin e saj, 71% presin që RYCO të financojë projekte, 59% presin financimin e aktiviteteve të ngritjes së kapaciteteve dhe 51% presin që RYCO të mbështesë programe shkëmbimi, 77% e organizatave rinore në Shqipëri deklarojnë që donatorët e huaj janë burimi kryesor i financimit të aktiviteve rinore. Kësisoji mund të arrijmë në përfundimin që organizatat rinore në Shqipëri janë të prirura ta shohin RYCO si burim alternativ financimi të aktiviteteve rinore rajonale dhe të ngritjes së kapaciteteve. Interesant është fakti që rezultoi nga faza e intervistimi: organizatat që njohin RYCO rekomandojnë që fondet që RYCO do të alokojë për mbështetjen e tyre të mos zëvendësojnë mbështetjen që shteti alokon nëpërmjet politikave dhe strategjive rinore.

DW:  Në cilat drejtime duhen forcuar organizatat rinore në rajon që të kenë kapacitetet dhe diversitetin që kërkon bashkëpunimi mes tyre në kuadër të Procesit të Berlinit?

Krisela Haçkaj: Organizatat rinore duhen mbështetur së pari në përpjekjet e tyre për të mobilizuar dhe përfshirë rininë në politikëbërje dhe në mirëqeverisjen e komuniteteve të cilave u përkasin. Sidomos, organizatat ombrellë mund të veprojnë si ndërmjetëse midis politikëbërjes dhe qytetarëve. Levizjet rinore, sidomos ato që lindin në mjediset e arsimit (shkolla, universitete, etj) duhen inkurajuar, sidomos duke ndërtuar nyje bashkëpunimi me sektorin privat në këto mjedise. Procedurat administrative për regjistrimin e organizatave/lëvizjeve rinore apo kuadri financiar/rregullator për veprimtarinë e tyre duhet të jetë më lehtësues. Kjo do të ndihmojë edhe në reduktimin e numrit të organizatave rinore që nuk regjistrohen në organet tatimore për shkak të kostove dhe të procedurave të gjata. 14% e organizatave rinore deklarojnë që veprojnë pa u regjistruar në organet tatimore. Duhen gjithashtu mbështetur fuqimisht organizatat rinore në zonat rurale, që tradicionalisht janë më mbrapa në përthithjen e fondeve. Skema specifike mbështetëse duhet të ndërtohen për të mobilizuar energjinë rinore në këto zona. Duhet mbështetur vullnetarizmi  në të gjitha komponentet e tij duke synuar veçnërisht përfshirjen e grupeve rinore me më pak mundësi për të shmangur fenomenin e përjashtimit social.

DW: Cilat janë rekomandimet kryesore për politikëbërësit në forcimin e bashkëpunimit të organizatave rinore në nivel rajonal?

Krisela Haçkaj: Rekomandimi kryesor është të prodhohen të dhëna, që do t'i shërbejnë një politike më cilësore ndaj rinisë. Çdo politikë për të qenë e suksesshme dhe efektive bazohet në të dhëna të disponueshme që të pasqyrojnë në mënyrë të mjaftueshme realitetin. Politikëbërësit duhet të qartësojnë rolet dhe kompetencat e të gjitha institucioneve me target rininë në nivel qendror, lokal, etj. Buxhetimi i politikave/strategjive rinore duhet të jetë i planifikuar në shumë nivele dhe për të gjitha kategoritë e aktiviteteve rinore. Qeveritë duhet të kalojnë nga një logjikë "dialogu” në një logjike "partneriteti”: kjo nënkupton që organizatat rinore të marrin pjesë në të gjithë ciklin e politikëbërjes dhe jo vetëm gjatë konsultimeve paraprake.

Krisela Haçkaj është drejtuesja e projektit "Fuqizimi i ndërlidhjes rinore rajonale”, nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, me seli në Tiranë.

Intervistoi: Ani Ruci