1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rojtar i të drejtave të njeriut në Evropë

Cai Rienäcker6 Tetor 2005

Suedezi, Thomas Hammarberg zgjidhet komisari i ri i Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut

https://p.dw.com/p/ArD8
Këshilli i Evropës, Strasburg
Këshilli i Evropës, Strasburg

U desh një raund i ri zgjedhor i asamblesë parlamentare në Strasburg në mënyrë që 63 vjeçari, Thomas Hammarberg të ngjitej në postin e komisarit të Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut. Në konferencën e tij të parë për shtyp, Hammarberg u paraqit i qetë para kamerave: Unë jam pro Evropës. Unë jam një nga paktët suedezë që besojnë tek Evropa dhe bashkëpunimi evropian.
Kështu u shpreh Thomas Hammarberg në Strasburg. Gazetari i dikurshëm u zgjodh në fillim të viteve 80-të Sekretar i Përgjithshëm i Amnesty International. Më pas Hammarberg punoi për Kombet e Bashkuara dhe së fundi ai drejtoi qendrën "Olof -Palme" në Stokholm.

Posti i komisarit për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës u krijua me qëllim të mbrojtjes së lirive themelore dhe të drejtave të pakicave në 46 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës. Spanjolli Gil-Roble, në këtë post mbeti veçse i panjohur, një problem ky me të cilin përballohet i gjithë Këshilli i Evropës. Organizata e Strasburgut është vërtet më e vjetra dhe më e madhja aleancë e shteteve evropiane, por ajo prej kohësh ka kaluar në plan të dytë për shkak të pushtetit të rëndësishëm të Bashkimit evropian. Komisari i ardhshëm i Këshillit të Evropës për çështjet e të drejtave të njeriut, Hammarberg lidhur me këtë shprehet: Unë besoj se Këshilli i Evropës ka një rol shumë të rëndësishëm. Kjo është organizata, e cila angazhohet drejtpërdrejt për mbrojtjen e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetin e së drejtës. Problemi i vetëm është se kësaj organizate nuk i kushtohet vëmendja e duhur.

Tanimë pritet nëse komisari i ri do të përmbushë shpresat, që ky post i Këshillit të Evropës të jetë edhe më prezent në opinionin publik.