1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rrahje masive në parlamentin e Ukrainës

Olena Perepadia/Bahri Cani14 Dhjetor 2012

Mykola Asarov u rizgjodh në postin e kryeministrit të Ukrainës. Por zgjedhja e tij shkaktoi pakënaqësi të shumtë në parlament, që rezultuan me rrahje masive.

https://p.dw.com/p/172HP
Fotografi: dapd

Nuk pati ndonjë befasi: Parlamenti i Ukrainës rizgjodhi në postin e tij të deritanishëm kryeministrin Mykola Asarov. Kandidatura e kryetarit të Partisë së Rajoneve u propozua nga presidenti i vendit Viktor Janukoviç dhe u mbështet prej 252 deputetëve. Të enjten për kryetar parlamenti u zgjodh Volodimir Rybak, nga e njëjta parti.

Zgjedhjet parlamentare në Ukrainë janë mbajtur në tetor. Ndërsa votimi për organet e reja të pushtetit u mbajt me një ditë vonesë (13.12. 2012) dhe u përcoll me pakënaqësi të shumta, që rezultuan edhe me grushtime dhe shqyrje të petkave të shtrenjta të deputetëve. Deputetët e opozitës u rrahën me kolegët e tyre nga Partia e Rajoneve për shkak të modaliteteve të votimit.

Rrahje në parlamentin në Kiev
Rrahje në parlamentin në KievFotografi: dapd

Janukoviçi nuk do ndryshime

Para dhjetë ditësh 64-vjeçari Asarov dhe kabineti i tij qeveritar dhanë dorëheqje për shkaqe formale. Në Kiev pati spekulime se Asarovi do të zëvendësohet nga shefi i Bankës Kombëtare Serhij Arbusov, që do të ishte një sinjal për gatishmërinë e krerëve politik në në Ukrainë për ndryshime.

Por kjo nuk ndodhi. Presidenti po mbështetet tek kuadrot e sprovuara. "Presidenti Janukoviç ka treguar me emërimin e Asarovit së është i interesuar për mbajtjen e status quo-së", pohon për Deutsche Wellen Arsen Steckiv nga Qendra Rasumkov për Studime Politike dhe Ekonomike. Ndërsa Olexij Haran, profesor në Akademinë Mohyla, thotë se Janukoviçi po luan me letra të sigurta. "Që nga zgjedhjet parlamentare shihet se Partia e tij e Rajoneve i ka pozicionet më të dobëta", thotë Haran. Janukoviçi duket se nuk do të mund të siguronte shumicën për ndonjë kandidat tjetër, mendojnë ekspertët.

Në zgjedhjet e 28 tetorit partia e tij ka fituar rreth 30 % të votave, që është 2 % më pak se më parë. Por votimi i ditës së enjte në parlament tregoi se partia e tij dhe komunistët kanë shumicën e duhur për koalicion qeveritar. Tri partitë opozitare, të cilat së bashku kanë fituar përmes listave të partive më shumë se gjysmën e votave, mbeten jashtë qeverisë, sepse koalicioni i presidenti ka mbështetjen edhe të deputetëve, që kanë fituar jashtë listave partiake.

Kryeministri ukrainas Mykola Azarov
Kryeministri ukrainas Mykola AzarovFotografi: picture-alliance/dpa

Kriza ekonomike

Presienti Janukoviç nuk ka dashur të bëjë ndryshime edhe për shkaqe ekonomike. "Ukraina gjendet në krizë", thonë ekspertët Ricardo Giucci dhe Robert Kirchner. Në tremujorin e tretë të këtij viti prodhimi bruto në Ukrainë krahasuar me një vit më parë ka rënë për 1,3 %. Prodhimi industrial ka shënuar rënje prej 4,2 %. Ndërsa rezervat në ushqime janë zvogluar për 15 %.

Nëse vazhdon trendi i tanishëm, Ukraina do të përballet me një krizë edhe më të rëndë ekonomike, mendojnë ekspertët, që do të thotë se do të hapej edhe mundësia për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Asarov.