1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rrezik për një valë të re dhune në Ukrainë

Roman Gonçarenko / Bahri Cani24 Janar 2014

Menjëherë pas dështimit të negociatave të opozitës me presidentin Viktor Janukoviç në Kiev ka vazhduar dhuna. Në rrugë ka pasur ndërhyrje të dhunshme të policisë.

https://p.dw.com/p/1AwUn
Demonstration und Proteste in Kiew 23.01.2014
Fotografi: Reuters

Pas një ditë qetësie, në Kiev të Ukrainës kanë vazhduar demonstratat dhe djegiet në rrugën Hrushevskoho, që çon tek zona e godinave qeveritare. Prej ditësh po vazhdon përballja e demonstruesve dhe policëve, që si pasojë ka pasur edhe të vrarë dhe qindra të plagosur. Gjatë natës së kaluar demonstruesit sërish kanë ndezur goma në barrikada, për t'u mbrojtur nga ndërhyrja e mundshme e forcave të sigurisë.

Takimi i dështuar me Janukoviçin

Për dallim prej ditëve të tjera aktivistët nuk kanë përdorur në fillim kokteje molotov. Edhe policia ishte më e tërhequr. Liderët opozitarë kishin kërkuar prej demonstruesve që të heqin dorë nga dhuna në ditën e takimit me presidentin Janukoviç, të enjten (3.01.2014).

Bisedimet e tre liderëve opozitarë me presidentin kanë zgjatur deri pas mesnate. Pas takimit pesëorësh ata dolën në sheshin Maidan, ku prisnin dhjetëra mijëra demonstrues, megjithë të ftohtin e madh. Por Vitali Kliçko, lideri i Partisë properëndimore UDAR Oleg Tiagnibok nga krahu nacionalist dhe ish ministri i Jashtëm Arsenij Jazenjuk, nuk kishin shumë gjëra pozitive për të raportuar. Janukoviçi nuk do të plotësojë kërkesën kryesore të demonstruesve për dorëhejqe. "Dorëheqja e presidentit dhe zgjedhje të reja? Jo, ai nuk do të plotësojë këtë kërkesë", bëri të ditur Kliçko. Në zërin e tij kishte një dëshpërim të thellë.

Vitali Kliçko dhe dy liderët e tjerë opozitarë, Oleg Tiagnibok (djathtas) dhe Arsenij Jazenjuk (majtas)
Vitali Kliçko dhe dy liderët e tjerë opozitarë, Oleg Tiagnibok (djathtas) dhe Arsenij Jazenjuk (majtas)Fotografi: Reuters

Kliçko dhe protestat kundër tij

"Presidenti është i gatshëm t'i lirojë demonstruesit e arrestuar, nëse dhuna nuk vazhdon", tha Kliçko më tej. Rreth 30 aktivistë janë arrestuar ditët e fundit gjatë protestave dhe kërcënohen me heqje të gjatë lirie. Ditë më parë opozita i ka parashtruar presidentit një ultimatum dhe ka kërcënuar me marsh në zonën qeveritare, në qoftë se nuk i plotëson kërkesat. Por Kliçko mendon se kjo nuk duhet të realizohet. "Kam frikë se njerëzit do të humbin jetën", tha Kliçko. Ai bëri thirrje për greva në mbarë vendin dhe për zgjerimin e protestave hap pas hapi. "Ne nuk mund të fitojmë menjëherë", tha ish kampioni i botës në kategorinë se rëndë në boks. Por fjalimi i tij u përcoll me fishkëllima dhe thirrje: "Turp të kesh".

Nuk ka negociata të tjera

Aktivistët e mbledhur në shesh me një shumicë të madhe vendosën që të mos ketë negociata të reja me presidentin Janukoviç. "Nuk mund të ulesh në tavolinën e negociatave me një person, i cili përpiqet të mashtrojë prej fillimit", tha Kliçko. U vendos edhe për zgjerimin e barikadave në qytet.

Kundërshtarët e qeverisë në Kiev duan t'i vazhdojnë protestat.
Kundërshtarët e qeverisë në Kiev duan t'i vazhdojnë protestat.Fotografi: Reuters

Demonstruesit në Maidan ishin të kënaqur me zgjerimin e protestave edhe në qytetet e tjera. Në radhë të parë në Perëndim dhe në Qendër të Ukrainës janë mbledhur demonstrues dhe kanë okupuar godinat qeveritare.

Dhuna vazhdon

Edhe qeveria ishte e dëshpëruar me negociatat me opozitën. Ministrja e Drejtësisë Olena Lukash ishte e dëshpëruar për faktin që krerët e opozitës nuk e kanë dënuar dhunën në Kiev dhe bëri të ditur se bisedimet do të vazhdojnë. Presidenti Janukoviç ka bërë të ditur mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme në Parlament, ku do të bisedohet për rrugëdaljet nga kriza e tanishme. Seanca do të mbahet të martën, që vjen (28.01.2014). Por është e mundur që opozita ta bojkotojë këtë seancë.

Vëzhguesit në Kiev mendojnë se dhuna do të përhapet në ditët e ardhshme. Ministria e Brendshme ka kërcënuar me spastrimin e barrikadave në qendër të kryeqytetit. Në kumtesën e Ministrisë thuhet se kjo nuk do të ndodhë, nëse hiqen barrikadat nga rruga Hrushevskoho. Por në këtë moment duket se kjo nuk do të ndodhë. Ekspertët në Kiev mendojnë se dhunën mund ta evitojë vetëm një ndërmjetësim i menjëhershëm nga jashtë.