1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rritja ekonomike e Kinës i kapërcen pritjet

18 Tetor 2023

Ekonomia kineze u rrit më shpejt se sa pritej në tremujorin e tretë. Ajo vuajti shumë nga bllokimet gjatë pandemisë së koronës dhe tani duket se po rimëkëmbet.

https://p.dw.com/p/4XgTN
Prodhimi i automjeteve ne Kine
Fotografi: Hu Guolin/ChinaFotoPress/picture alliance

Produkti i brendshëm bruto (PBB) në Kinë u rrit me 4.9 për qind në tremujorin e tretë të 2023 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo do të thotë se ekonomia kineze ka një pozicion nistor më të mirë nga sa prisnin ekspertët.

Ekonomistët e anketuar nga agjencia e lajmeve Reuters patën pritur që prodhimi ekonomik të rritej me vetëm 4.4 për qind për periudhën nga korriku deri në shtator.

Konsumi më i madh nxit rritjen

Sipas Zyrës së Statistikave të Pekinit, për këtë kontriboi në veçanti kërkesa e brendshme më e fortë: kinezët tani po konsumojnë më shumë dhe po bëjnë blerje në vendin e tyre. Rritja e shitjeve me pakicë, e cila është një tregues i konsumit, ishte 5.5 për qind në shtator, mjaft më e lartë se rritja e një muaji më parë.

Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, ekonomia kineze po bëhet gjithnjë e më dinamike. PBB u rrit me 1.3 për qind në tremujorin e dytë, pasi hopi nga tremujori i parë në atë të dytë ishte vetëm 0.5 për qind. Kjo rritje ka habitur edhe ekonomistët.

Objektivi i rritjes duket i arritshëm

Nga janari deri në fund të shtatorit, ekonomia e dytë më e madhe në botë u rrit me 5.2 për qind në bazë vjetore, sipas zyrës së statistikave. Kjo do të thotë se objektivi i rritjes së Kinës prej pesë për qind për vitin në tërësi tani duket të jetë i arritshëm, me përjashtim të rastit nëse do të ketë një rënie në tremujorin e katërt.

Qeveria kineze është përpjekur të stimulojë ekonominë me një sërë masash muajt e fundit. Këto përfshijnë ulje të normave të interesit nga Banka Qendrore, kredi më të lira dhe mbështetje financiare, veçanërisht për kompanitë në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Përfundimi i vonuar i masave të koronas

Kina hoqi kufizimet e saj të rrepta të koronas vetëm në fillim të vitit. Rimëkëmbja e shpresuar për ekonominë nuk i kaloi pritshmëritë për një kohë të gjatë. Kohët e fundit, megjithatë, ka pasur shenja fillestare të stabilizimit. Rënia e shifrave të tregtisë së jashtme në shtator ishte më e vogël se sa pritej.

Nxjerrje qymyri ne Kine - salla  me vinca
Fotografi: AFP

Ekspertët thonë se kriza e vazhdueshme e pasurive të paluajtshme, pasiguria për punësimin dhe të ardhurat e familjeve, por edhe niveli i ulët i besimit mes kompanive private, vazhdojnë të përbëjnë rrezik për një rritje të qëndrueshme.

Nuk priten masa gjithëpërfshirëse stimuluese ekonomike

Në deklaratat fillestare, vëzhguesit janë optimistë të kujdesshëm kur vlerësojnë të dhënat nga Kina. Nga këndvështrimi i Dhomës Gjermane të Tregtisë (AHK), rritja në Kinë nuk është forcuar ende. "Mesazhi më i rëndësishëm është: ekonomia po stabilizohet, megjithëse në një nivel relativisht të ulët”, thotë Jens Hildebrandt, anëtar i bordit drejtues të AHK-së. Kriza e besimit të konsumatorëve nuk është kapërcyer ende.

Max Zenglein, kryeekonomist në Institutin Kinez Mercis në Berlin, e sheh Kinën në një "fazë konvertimi në të cilën qeveria me vetëdije po pranon një rritje më të ulët të PBB". Qeveria synon të sigurojë që rritja e ardhshme e Kinës të drejtohet nga fusha që janë në përputhje me qëllimet strategjike kombëtare. Kjo përfshin më shumë teknologji të lartë dhe më pak pasuri të paluajtshme.

Thomas Gitzel, kryeekonomist në VP Bank me seli në Lihtenshtajn, gjithashtu nuk pret një paketë gjithëpërfshirëse ndihme për ekonominë kineze. Do të ketë masa të reja mbështetëse në fusha të caktuara, por duke pasur parasysh normën tashmë të lartë të përgjithshme të investimeve ekonomike, "nuk do të ketë bazukë”.

aud (ard)