1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rritje drastike të çmimit të naftës

3 Janar 2008

Për shkak se rezervave të naftës dhe të gazit një ditë do t'u vijë fundi nuk mbetet rrugë tjetër përveç asaj të energjive të riciklueshme.

https://p.dw.com/p/Ck1M
Ari i ziFotografi: AP

Temë qëndrore e gazetave të sotme gjermane është rritja e çmimit të naftës dhe të energjisë.

Në lidhje me të "Mannheimer Morgen" shkruan:

"Ne duhet të mësohemi me çmimet e larta të naftës dhe njëkohësisht ta kuptojmë paralajmërimin që na përcjell ngritja e çmimeve. Sikurse edhe në rastin e përpjekjeve për minimizimin e sasive të CO2 që çlirohen në atmosferë, edhe në rastin e naftsë duhet të mendojmë për alternativa. Kjo sidomos në fushën e transportit, sepse në këtë drejtim do të jetë e vështirë që të gjendet ndonjë substancë që na zëvnedësojë naftën dhe derivatet e saj. Çmimi i naftës me siguri që sërish do të ulet pak. Por para në një aspekt afatgjatë energjia, qoftë në serbatorin e makinës qoftë në prizat e korentit do të shtrenjtohet, madje shumë më tepër se sot.

Gazeta "Pforzheimer Zeitung" vëren:

"Megjithë rritjen në tregun e lëndëve të para çmimi i naftës apo i benzinës nëpër pikat e furnizimit nuk pati ndonjë rritje të jashtëzakoshme, madje tek-tuk edhe ndonjë ulje të lehtë. Pra çmimi i tregut me pakicë nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me atë të tregut të lëndëve të para. Por koncernet e mëdha të naftës dhe të energjisë me siguri që do t'i ngrenë çmimet në muajin shkurt, pra sapo të afrohet sezoni i pushimeve për karnavalet dhe nuk do ta kenë të vështirë që të gjejnë një justifikim për këtë. Në një perspektivë afatgjatë në fushën e çmimeve të naftës dhe të benzinës nuk pritet të ketë ndonjë ulje. Instituti gjerman për ekonominë ka përllogaritur se në dhjetë vitet e ardhshme do të kemi një rritje drastike të çmimit të naftës deri në 200 dollarë për barrel. Në këtë drejtim ngritjet e tanishme të çmimit të naftës konsumatorët duhet t'i shohin si paralajmërim për të hequr dorë sa më shpejt nga lëndët djegëse fosile.

Ngjashëm shprehet edhe Ostsee-Zeitung (Rostock):

Një gjë duket e qartë, për shkak se rezervave të naftës dhe të gazit një ditë do t'u vijë fundi edhe në të ardhmen nuk pritet ndonjë rënie e spirales së çmimeve. Për këtë si konsumatorët edhe ekonomitë e të gjitha vendeve duhet të fillojnë të mendojnë që sot për nesër. Dhe në këtë mes nuk mbetet rrugë tjetër përveç asaj të energjive të riciklueshme dhe të kursimit të energjisë.