1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

070910 2 plus 4 Vertrag

13 Shtator 2010

Më 12 shtator 1990, ministrat e Jashtëm të RDGJ dhe të RFGJ, si dhe fuqitë fituese të Luftës së Dytë Botërore nënshkruan Marrëveshjen "2 + 4". Me të u hap rruga për ribashkimin e Gjermanisë.

https://p.dw.com/p/PAKX
12 shtator 1990: ministrat e jashtëm të dy shteteve gjermane dhe të fuqive fituese të L. II Botërore nënshkruajnë në Moskë Marrëveshjen "2+4"
12 shtator 1990: ministrat e jashtëm të dy shteteve gjermane dhe të fuqive fituese të L. II Botërore nënshkruajnë në Moskë Marrëveshjen "2+4"Fotografi: picture alliance/dpa

"Njëkohësisht me këtë ndodhi edhe një reduktim i konsiderueshëm i numrit të trupave, kështu që u bë një hap i rëndësishëm në drejtim të paqëtimit të Evropës Qendrore, të vendit dhe hapësirës, në të cilën deri tani kishte ndodhur përqendrimi më i lartë i trupave dhe armëve."

Lothar de Maiziere-it, kryeministrit të RDGJ i dallohet qartë lehtësimi për nënshkrimet nën Marrëveshjen "2+4". Para nënshkrimit pati katër raunde negociatash. Në to qe diskutuar për të drejtat si fuqi pushtuese të Francës, Anglisë, të SHBA dhe të BS mbi të dyja pjesët e Gjermanisë. Shpërbërja e këtyre të drejtave qe parakusht për sovranitetin e Gjermanisë së ribashkuar.

05.05.1990: Raundi i parë i negociatave për Marrëveshjen "2+4"në Bonn: Eduard Schewardnaxe (BRSS), Roland Dumas (Francë), Markus Meckel (RDGJ), Hans-Dietrich Genscher (RFGJ), Douglas Hurd (Britania e Madhe) und James Baker (SHBA)
05.05.1990: Raundi i parë i negociatave për Marrëveshjen "2+4"në Bonn: Eduard Schewardnaxe (BRSS), Roland Dumas (Francë), Markus Meckel (RDGJ), Hans-Dietrich Genscher (RFGJ), Douglas Hurd (Britania e Madhe) und James Baker (SHBA)Fotografi: picture-alliance/dpa

Probleme para nënshkrimit të Marrëveshjes

Për ministrin e Jashtëm të Gjermanisë Perëndimore, Hans Dietrich Genscher, Marrëveshja "2+4" është një pikë kulmore e karrierës së tij të gjatë politike. Së bashku me homologun e tij nga RDGJ, Markus Meckel ai arriti që të pastrojë terrenin nga të gjitha komplikimet. Por në mbrëmje para nënshkrimit u krijuan probleme të paparashikuara me kryeministren britanike, Margaret Thatcher:

"Sepse zonja Thatcher kishte kërkesa të tjera. Bëhej fjalë për çështjen, nëse trupat aleate do të lejoheshin të kryenin manovra në ish -RDGJ apo nëse kjo do t'u ndalohej atyre. Dhe pasi ish-Bashkimi Sovjetik qe shprehur dakord që e gjithë Gjermania të bëhej anëtare e NATO-s, ne thamë se një kërkesë e tillë shtesë - e formuluar edhe në minutën e fundit - ishte krejtësisht absurde (dhe gjetëm për këtë, shyqyr Zotit, mbështetjen e kolegëve tanë francezë dhe të kolegëve tanë amerikanë), kështu që këtu nuk u desh t'i rinisim edhe njëherë negociatat."

Ish-kryeministrja britanike, Margaret Thatcher, tetor 1992
Ish-kryeministrja britanike, Margaret Thatcher, tetor 1992Fotografi: AP

Pranohet kufiri i debatuar Oder-Neiße

Me Marrëveshjen "2+4" njihen të gjithë kufijtë evropianë, pra edhe ata midis Gjermanisë së ribashkuar dhe Polonisë. Për këtë Kufi-Oder-Neiße në RFGJ ka pasur grindje për dekada të tëra. Sepse për një palë, ky kufi ishte rezultat i Luftës së Dytë Botërore, për të tjerët ai ishte dorëzim vullnetar i ish-rajoneve lindore gjermane në lindje të këtij kufiri, të cilat tani u bënë përfundimisht pjesë të Polonisë.

Veç kësaj, Gjermania e ribashkuar heq dorë nga posedimi i armëve të shkatërrimit në masë ABC dhe e redukton ushtrinë e saj në 370.000 vetë. Trupat sovjetike u vendos të tërhiqen deri në fund të vitit 1994 nga Gjermania Lindore dhe rregullimet e kryera me reformën e tokës në RDGJ u fiksuan njëherë e përgjithmonë. Në dallim nga kjo, ndryshojnë të drejtat e aleatëve në Gjermani. Bashkimi Sovjetik humbet pjesë të ndikimit të tij në Evropën Qendrore.

Marrëveshja e paqes nuk konsiderohet e nevojshme

Me nënshkrimet nën Marrëveshjen "2+4" krijohen kushtet në politikën e jashtme dhe hapet rruga për ribashkimin e Gjermanisë. Veç kësaj u sqarua edhe çështja e një marrëveshjeje paqeje, e cila do ta përfundonte edhe formalisht Luftën e Dytë Botërore. Sepse nënshkruesit e Marrëveshjes nisen nga fakti që kjo Marrëveshje e zëvendëson një marrëveshje paqeje dhe përjashton kërkesa për reparacion të aleatëve. Ministri i atëhershëm i Jashtëm i RFGJ, Hans Dietrich Genscher e argumenton këtë pikëpamje:

Zonat e pushtimit në Gjermani dhe korridori ajror për Berlinin
Zonat e pushtimit në Gjermani dhe korridori ajror për Berlinin

"Të dyja shtetet gjermane ishin anëtare të OKB-së, ne ishim anëtarë të Komunitetit Evropian, me hyrjen e RDGJ në RFGJ, edhe kjo pjesë e Gjermanisë u bë anëtare e Komunitetit Evropian. Ne patëm dhënë kontribut shumë aktiv në Konferencën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE), sepse na hapi rrugën për bashkimin e Gjermanisë. Duhet ta dimë, këto qenë të gjitha vendime të vështira për t'u pranuar në Gjermani".

Më pak se tri javë pas nënshkrimeve në Moskë, në Berlin u ndezën fishekzjarre. 29 vjet pas ndërtimit të Murit, gjermanët kremtonin ribashkimin shtetëror dhe kapërcimin e përçarjes në Evropë.

Autor: Matthias von Hellfeld/ Auron Dodi

Redaktoi: Elert Ajazaj