1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rruga e vetme për t'u marrë vesh me Korenë e Veriut është diplomacia

10 Tetor 2006

Testi atomik i Koresë së Veriut si dhe takimi për energjinë në kancelarinë gjermane janë temat dominuese të shtypit të sotëm

https://p.dw.com/p/ArnY
Korea Veriut bën prova atomike
Korea Veriut bën prova atomikeFotografi: AP

Në lidhje me testin atomik të Koresë së Veriut "Stuttgarter Zeitung" shkruan:

"Kimit nuk mund t'i pritet rruga me mjete ushtarake. Udhëheqësi i dashur, sikurse e quan propaganda shtetërore, ka në dispozicion një arsenal të jashtëzakonshëm raketash konvencionale, që janë drejtuar drejt qyteteve koreanojugore dhe që në rast rreziku mund t'i shndërrojnë ato në kasaphana. Rruga e vetme për t'u marrë vesh me regjimin e Koresë së Veriut është diplomacia."


"Hessische/Niedersächsische Allgemeine" në Kassel shkruan:

"Të gjithë ata që mendonin se Kim Jong Ili vetëm donte të bënte një bllof tjetër të madh u zgjuan prej ëndërrave të tyre prej gjëmimit të fortë nga Koreja e Veriut. Gjëra të ngjashme na rrezikojnë edhe prej Iranit. Në mos jo sot po nesër ky vend do të ketë bombën e vet atomike, po gjithësesi e pasnesërmja vjen shpesh më shpejt nga sa na pëlqen neve."

"Abendzeitung" (Mynih) shkruan:

"Si t'i përgjigjemi këtij përshkallëzimi? SHBA-të propozojnë sanksione financiare, tregtare dhe ndërprerje të udhëtimeve. Po ç'do të sjellin këto kundrejt vendit më të varfër dhe më të izoluar të botës? Një goditje ushtarake me pasoja të pavlerësueshme? Gjithësesi një prgjigje duhet të jepet patjetër, sepse edhe Irani po ndjek me vëmendje se ç'ndodh, kur dikush prodhon një bombë atomike kundër dëshirës së SHBA-se. Mesazhi i deritanishëm është: vendet që nuk kanë bombë atomike sulmohen dhe pushtohen, vendet që kanë jo."

Berliner Kurier nuk shikon asnjë shanc për ndonjë zgjidhje diplomatike:

"Me sanksione nuk mund t'ia prishësh diktatorit Kim dëshirën dhe oreksin për bomba atomike. Ai dëshiron ta ketë atë me çdo çmim dhe kusht. Dhe ai s'do të jetë i fundit. Që prej vitit 1945 nuk është arritur që klubi i fuqive bërthamore të mbetet sa më i vogël. Për sa kohë edhe një shtet i vetëm të ketë armë atomike edhe të tjerët do të duan që të kenë të tilla. Ky reaksion zinxhir mund të ndërpritet vetëm përmes çarmatimit të plotë bërthamor. Për këtë duhet të fillojmë të diskutojmë sërish."

Handelsblatt (Dyseldorf) shkruan:

"Edhe në rast se forca shpërthyese e bombës që testoi Koreja e Veriut ishte relativisht modeste, dimensioni politik i kësaj prove ishte i madh. Botës i tregohet edhe një herë me forcë dhe mendjemadhësi se vetëm deklaratat për marrjen e masave ndëshkimore nuk mjaftojnë për të ndërprerë vrrullin e fantazmës së armëve bërthamore. Mohimi i vazhdueshëm i këtij fakti duket se po merr hak. Regjimi iranian do të nxjerrë mësimet e veta nga kjo situatë."

Ngjashëm shprehet edhe "Offenburger Tageblatt":

"Rasti i Koresë së Veriut nuk përbën ndonjë omen të mirë para së gjithash në rastin e konfliktit me Iranin. Përpjekjet e Teheranit për prodhimin e bombës atomike janë edhe më eksplozive. Në gjirin Persik është fjala nga njëra anë për naftën e cila ka rëndësi jetike për Perëndimin dhe nga ana tjetër për përplasjen mes dy kulturave asaj të krishterë dhe asaj islamike. Në këtë mes është i nevojshëm dialogu dhe vringëllima e jataganëve. Por ndërhyrja e SHBA dhje aleatëve të saj në Irak e kanë komplikuar gjendjen dhe për këtë për momentin nuk duket se do të kemi së afërmi ndonjë zgjidhje të konfliktit."

Kalojmë në temën tjetër, takimin për problemet e energjisë në kancelarinë gjermane.

"FAZ" shkruan:

"Ministri i ambientit Gabriel, akuzon koncernet se e vënë në qendër të vëmendjes energjinë atomike në mënyrë që t'u bëjnë bisht temave të tjera. Po cili u bën vërtet bisht temave? SPD nuk arriti në tetë vjetët që është në pushtet që prej përfytyrimeve të saj të arrijë të destilojë një koncept që t'u përgjigjet kritetereve të mbrojtjes së ambientit, të sigurimit të furnizimit të popullsisë dhe energji dhe të prodhimit të saj me kosto të ulët. Ajo nuk ka asnjë lloj ideje se si mund të zëvëndësohet energjia e prodhuar prej centraleve atomikë me energji burimesh të tjera më ekologjike dhe me kosto të përballueshme. SPD-ja nuk heq dorë prej idesë së mbylljes së centralëve atomikë vetëm se, sikurse thotë përfaëqsuesi më i fortë i energjisë solare në radhët e saj Scheer, në një rast të tillë do të tronditej një prej parimeve të saj themelore.

Südwest Presse që botohet në Ulm kërkon që koalicioni qeveritar të jetë në një mendje:

"Dialogu mes politikës dhe ekonomisë është i arsyeshëm, por qeveria nuk duhet të mendojë se gjigandët e prodhimit të energjisë do t'i mbrojnë me më pak dinakëri dhe kokëfortësi interesat e tyre nga ç'bëjnë përfaqësuesit e industrisë farmaceutike gjatë debateve për reformimin e sistemit shëndetsor. Mosmarrëveshjet mes partnerëve të koalicionit do të ishin në këtë mes kontraproduktive dhe do të çonin vetëm ujë në mullirin e lobit të të fuqishmëve."