1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Së shpejti ligj i ri për të huajt në Gjermani

Aarni Kuoppamäki14 Nëntor 2006

Në fund të javës ministrat e brendshëm të landeve gjermane do të mblidhen sërish për të diskutuar mbi ligjin e ri për qëndrimin e të huajve në vend. Rreth 200.000 njerëz jetojnë në Gjermani ne statusin "duldung", pra me leje të kufizuar qëndrimi.

https://p.dw.com/p/Aqo5
Të huaj duke mësuar gjermanisht
Të huaj duke mësuar gjermanishtFotografi: dpa - Bildfunk

Paimana Heydar takohet me një shoqe në kafene. Ajo dëshiron të studiojë në Berlin dhe po kërkon një banesë me qera. Për afganen kjo është një ngjarje e veçantë, sepse ajo ka status "duldung"-i, dhe si e tillë ka kufizime në jetën e saj në Gjermani. Përpara 12 vitesh prindërit e saj erdhën nga Afganistani së bashku me Paimanën, sepse donin të largoheshin nga lufta civile në vend. Ajo shkoi në gjimnaz, mësoi gjermanishten dhe bëri maturën. Por nuk kishte të drejtë të studionte dhe për të punuar kishte nevojë për një leje të veçantë pune nga zyra e të huajve. Pa lejen e tyre, ajo nuk kishte të drejtë as të largohej nga landi i Brandenburgut. Kështu vendi ku i rrit ajo u kthye në një burg të vërtetë:

"Unë ndjehem e huaj në Gjermani, sepse ndonëse jetoj prej shumë vitesh këtu, nuk kam të njejtat të drejta si gjermanët. Kështu që ndjehem automatikisht ndryshe nga të tjerët. Nuk ndjehem si në shtëpinë time këtu dhe jo e mirëpritur" - thotë ajo.

Paimana lindi në Kabul. Ajo ishte 5 vjeç kur prindërit e morrën me vete në Gjermani. Afganistani nuk i kujtohet dhe aq mirë. Me prindërit, të cilët janë të dy gazetarë, ajo flet dari. Por familja nuk mund të udhëtojë në atdhe për arsye financiare. Dhe në rast se familja Heidari del nga Gjermania, nuk ka më të drejtë të hyjë në vend. Paimana e di nga librat dhe televizioni se gratë vuajnë dhe htypen në Afganistan. Për të kthimi atje do të thoshte shkatërrimin e jetës së saj:

"Unë kam thënë gjithmonë se nuk do të kthehem kurrë atje duarbosh. Kjo do të thotë se në këtë vend, njerëz që vijnë nga jashtë pa para nuk i nevojiten askujt. Ata kanë nevojë për njerëz që kanë arritur apo janë diçka si mjekë, inxhinierë, pra gjithçka që mund të ndihmojnë në rindërtimin e vendit."

Gjatë kësaj jave ministrat e brendshëm të landeve gjermane do të mblidhen për të vendosur mbi një rregullore të re për të huajt dhe kështu edhe mbi fatin e familjes Hajdari. Në rastin më të keq ata do të duhet të rikthehen në Afganistan. Paimana, e cila është rritur në Gjermani duhet të kthehet kështu në një vend që nuk e njeh. Në një vend ku, siç shkruan ajo në faqen e saj të internetit, njerëzit janë të sëmurë fizikisht dhe psiqikisht. Ajo do ta ndihmojë vendin e prindërve të saj, por jo që tani:

"Në rradhë të parë duhet të pranohem këtu si qytetare e këtij vendi. Në rast se Gjermania do të më lejojë të studioj këtu, atëherë do të bëhem dikush dhe do të kthehem në atdheun tim për të ndihmuar me ato që kam mësuar këtu. Mendoj se kjo është ndihma më e mirë për zhvillim, që mund t´i jap atdheut tim" - thotë ajo.