1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sa e madhe është liria e medieve në Kosovë?

17 Shtator 2009

Në Kosovë ekziston në masë të madhe liria e shprehjes, por nuk mungojnë as presionet mbi mediat nga grupe të ndryshme interesi. Përfaqësues të mediave, thonë se gazetarët që zhvillojnë tema hulumtuese rrezikohen.

https://p.dw.com/p/Jinw
Hartë e Lirisë së Mediave nga Freedom House
Hartë e Lirisë së Mediave nga Freedom HouseFotografi: DW / Sonja Kanikova

Gazetarët jo gjithmonë arrijnë të thonë të vërtetën. Kjo për faktin që ata nuk ndihen të lirë, sepse kërcënohen nga grupe të ndryshme interesi, në shumë raste edhe nga zyrtarë, të cilët nuk dëshirojnë që e vërteta të thuhet. Kështu thonë disa përfaqësues të mediave, të cilët konstatojnë se ky fakt bën që liria e mediave në Kosovë të jetë e rrezikuar.

'Gazetarët kosovarë janë penguar në punën e tyre, janë rrahur dhe janë kërcënuar'

Ka dhjetra raste kur gazetarët kosovarë janë penguar në punën e tyre, janë rrahur dhe janë kërcënuar. Janë 12 raste të evidentuara vetëm gjatë vitit të shkuar nga Asociacinoni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës. Bul Salihu, anëtar bordi i këtij asociacioni, thotë se gazetaria profesioniste nuk duhet kuptuar si kërcënim ndaj tjetrit, por si kritikë dhe lajm për të vërtetën dhe në fund të fundit në Kosovë duhet të ekzistojë liria e të shprehurit.

“Shumë gazetarë që tentojnë të bëjnë gazetari profesionale, hulumtuese dhe të paanshme, shpesh herë hasin në pengesa të ndryshme, sepse qeveritarët, partitë politike dhe grupe të ndryshme interesi, nuk dëshirojnë që e vërteta të dalë në shesh. Fatkeqësia është se institucionet e Kosovës dhe grupet e interesit nuk e kuptojnë rolin e mediave. Ata medojnë se mediat duhet të jenë në shërbim të tyre dhe në këtë rast e vërteta është krejt ndryshe, sepse mediat duhet të jenë në shërbim të fjalës së lirë dhe qytetarëve”, thotë Bul Salihu.

'Gazetarët dhe një pjesë e mediave anojnë politikisht dhe janë të prirur të vetëcensurohen'

Kritike për mungesën e lirisë së mediave në Kosovë kanë qenë edhe shumë organizata ndërkombëtare. Rrahman Pacarizi, profesor i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, nuk pajtohet në tërësi më këto raporte. Ai thotë se, në këtë mes një problem shqetësues është edhe autocensura tek vetë gazetarët.

“Liria e mediave në Kosovë nuk mund të thuhet se nuk ekziston, sigurisht është e kufizuar deri në një farë mase, por dukuria më shqetësuese në këtë mes është se vetë gazetarët dhe një pjesë e mediave anojnë politikisht dhe janë të prirur të kryejnë punë të vetëcensurës duke ua lehtësuar punën autoriteteve, që të mos merren shumë më kufizimin e lirisë së mediave në Kosovë”, thotë profesori Pacarizi.

'Ka presione të drejtpërdrejta nga ana e politikës'

Kryeredaktori i së përditshmes kosovare, Koha Ditore, Agron Bajrami, thotë se në Kosovë është një situatë tejet e paqartë rreh lirisë së mediave, sepse kemi dy lloje mediash, ato që kontrollohen nga pushteti dhe partitë politike, por ka edhe mediave vërtet të pavarura.

“Natyrisht që ka presione të drejtpërdrejta nga ana e politikës, ekzistojnë media që janë të themeluara nga partitë politike dhe grupe të ndryshme interesi jo vetëm politik, por edhe ekonomik dhe ato media në mënyra të ndryshme e kufizojnë edhe lirinë e shprehjes”, thotë Agron Bajrami.

Raporti i fundit për lirinë e mediave në Kosovë ishte ai i organizatës amerikane Freedom Haus. Ai kritikon institucionet e Kosovës se po ushtrojnë ndikim tek mediat. Madje kjo organizatë e ka renditur Kosovën si të vetmin vend jo të lirë në Evropë.

Zyrtarët qeveritarë thonë se kategorizimi që i është bërë Kosovës se nuk ka liri të shprehjes nuk është i saktë. Ndërsa rastet kur gazetarët janë kërcënuar për punën e tyre dhe kur mbi ta është bërë presion, qeveria i cilëson raste të izoluara që megjithatë sipas saj nuk duhet të ndodhin.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi