1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sa shance ka Gjermania për t'u bërë anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së?

Rainer Sütfeld19 Korrik 2004

Gjermania përpiqet prej kohësh të bëhet anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Edhe në vizitën e tij aktuale në Azi, ministri i jashtëm gjerman, Joshka Fisher, po punon që të rrisë përkrahjen ndaj Gjermanisë. Republika Federale e Gjermanisë përfaqësohet në KS vetëm përkohësisht. Berlini dëshiron që deri në fund të vitit 2004 ta ndryshojë statusin e anëtarit jo të përhershëm. Gjermania vazhdon të jetë e interesuar për reformimin dhe zgjerimin e Këshillit të Sigurimit, tha një zëdhënës i qeverisë ne Berlin, duke përsëritur qëdrimet e politikanëve gjermanë.

https://p.dw.com/p/Ar6D
Këshilli i Sigurimit i OKB-së
Këshilli i Sigurimit i OKB-sëFotografi: AP

Organizmi më i lartë i Kombeve të Bashuara në Nju Jork përbehet nga pesë anëtarë të përhershëm dhe dhjetë jo të përhershëm. Anëtar të përhershëm me të drejte vetoje janë SHBA-të, Rusia, Kina, Britania e Madhe dhe Franca. Këshilli i Sigurimit është organi i vetëm i Kombeve të Bashkuara që merr vendime të detyrueshme për gjithë vendet anëtare të organizatës botërore dhe që po ashtu mund të detyrojë zbatimin e vendimeve të marra.

Gjermania është anëtare e Kombeve të Bashkuara që prej 31 vitesh, zë vendin e tretë në shumën e kontributeve që jepen për organizatën dhe përpiqet që nga mesi i viteve nëntëdhjetë të marrë vendin e përhershëm në organizmin më të lartë të organizatës.

„Këshilli i Sigurimit vazhdon të reflektojë botën e pas Luftës së dytë Botërore, por jo të reflektojë rëndësinë në rritje të Japonisë dhe të Gjermanisë së bashkuar. Unë falenderoj të gjitha ato vende dhe shtete anëtare që përkrahin Gjermaninë për të pasur një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit“. Edhe nëse këto fjalë janë thënë dhjetë vjet më parë, ministri i jashtëm Joshka Fisher mund t'i përsërisë ato, po ashtu, si i ka thënë pararendësi i tij në post,Klaus Kinkel. Sepse po ashtu si dhjetë vjet më parë mundësia e marrjes së vendit të përhershëm varet nga reformimi i Kombeve të Bashkuara dhe zgjerimi i Këshillit të Sigurimit. Të dyja tema që ndodhen sot në rendin e ditës.

„Reformimi dhe zgjerimi i Kombeve të Bashkuara është i nevojshëm. Unë po ripërsëris për Gjermaninë se ne jemi të gatshëm të marrim më shumë përgjegjësi në kuadër të një reforme të tillë." - thotë kancelari gjerman Shrëder.

Propozimet për reformimin do të prezantohen në fund të vitit nga grupi i eskpertëve që ka mbledhur Kofi Annan. Sekretari i Përgjithshëm nuk ka thirrur në këtë grup asnjë gjerman, megjithë insistimet e ministrit të jashtëm. Tani duket sikur propozimet vijnë për të rritur numrin e anëtarëve të Këshillit si dhe numrin e anëtarëve të përhershëm.

Ashtu si edhe në kohën e Kinkelit, për Gjermaninë vlerësohet se ka perspektivë të marrë një vend të përhershëm, përkrah Britanisë së Madhe dhe Francës.

MPJ Joshka Fisher thotë: „Pesha e vendit tonë në komunitetin e shteteve është rritur shumë edhe këtë vit, dhe pikërisht këtë vit kur ne nuk jemi anëtarë të mëvetësishëm të Këshillit të Sigurimit. Kjo nuk duhet të na bëjë arrogant, por modest, në mënyrë që të mos heqim dorë nga këto çështje ndërkombëtarë.“

Mbrojtësi i modestisë , Joshka Fisher ka të drejtë. Ndikimi i Gjermanisë në Nju-Jork është rritur. Jo vetëm për shkak të madhësisë së vendit të ribashkuar, por edhe prej angazhimit të madh të Republikës Federale nën qeverinë e Schrëderit. Gjermania nuk është vetëm shumë zemërgjerë në dhënien e ndihmave por është edhe vendi që ka trupën më të madhe në misionet e Kombeve të Bashkuara në botë.

Anëtarësinë aktuale në Këshillin e Sigurimit, ambasadori gjerman në Kombet e Bashkuara e ka shfrytëzuar për të ripozicionuar rolin e Gjermanisë në Komunitetin e shteteve. Kështu ai ka arritur të krijojë një forcë të tillë të dhjetë anëtarëve jo të përhershëm pa të cilën as anëtarët me të drejtë vetoje nuk mund të bëjnë gjë. Uashingtonit iu desh ta shihte këtë gjatë krizës së Irakut dhe diskutimeve për Gjykatën Ndërkombëtare. Kjo ia ka shtuar pikët Berlinit në 191 vendet anëtare të organizatës, po ashtu siç ka distancuar edhe më shumë Shtëpinë e Bardhë.