1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sa të sigurta janë linjat e fluturimit në Evropë?

Anke Hagedorn14 Dhjetor 2004

Sa të sigurta janë linjat e fluturimit në Evropë? Jo së fundi numri në rritje i shoqërive të lira të fluturimit ka bërë që të shtrohet kjo pyetje. Që në të gjitha shtetet anëtare të BE të vlejnë të njëjtat standarte sigurie dhe që në qarkullim të lejohen vetëm ata avionë që u përgjigjen këtyre standarteve, për këtë është përgjegjëse EASA. Agjencia Evropiane për Sigurinë e Fluturimit u themelua në shtator 2003. Në fillim ajo e kishte qendrën në Bruksel. Që prej më pak se një viti, rezidenca kryesore e EASA-s është Këlni.

https://p.dw.com/p/ArFa
Fotografi: Airbus

Ndërtesa e EASA-s, një godinë gjysmë e rrumbullakët prej xhami me vështrim nga Katedralja e Këlnit nuk ka përfunduar krejtësisht. Në katet e sipërme vazhdon puna, kurse në katet e poshtme, bashkëpunëtorët vazhdojnë punën që prej një muaji. Norbert Lohl është drejtor i sektorit të dhënies së lejeve. Këtu vendoset për lejimin e tipave të avionëve si dhe për lejimin e uzinave që prodhojnë, shesin dhe mirëmbajnë avionë. Deri tani, cdo vend evropian ka pasur direktivat e tij, kurse tani për të gjitha vendet anëtare duhet të vlejnë të njëjtat standarde, shpjegon Lohl:

"Ideja bazë që qëndron pas kësaj është në thelb, nga njëra anë dëshira politike e Evropës, sa më fort të rritet i bashkuar ky Bashkim Evropian, aq më e madhe është dëshira në Evropë për të pasur një vend të vetëm për miratimin, për lejimin e aparaturave të fluturimit dhe për uzinat që merren me këtë."

Nga ana tjetër, industria evropiane e fluturimeve ka kërkuar prej kohësh një partner të vetëm në cështjet e sigurisë:

"Duhet ta merrni me mend, se po të ishit prodhues avionësh në një Evropë të madhe me 25 shtete anëtare, do t'ju duhej të merreshit me 25 autoritete të vecuara nacionale dhe t'i kërkonit lejet atje."

Me themelimin e EASA-s në shtator 2003 u mbajtën parasysh këto nevoja dhe kërkesa. Fillimisht, agjencia e kishte rezidencën në Bruksel, dhe që prej një muaji ajo zyrtarisht është vendosur në Këln - Deutz. Qeveria gjermane bëri publicitet për këtë vend. Lohl e vlerëson afërsinë me autostradat në Këln, me aeroportet Këln-Bonn dhe Frankfurt si dhe me metropolet evropiane si Parisi, Londra dhe së fundi Brukseli. Rreth 100 bashkëpunëtorë nga më shumë se 17 vende të BE janë punësuar ndërkohë në qendrën e EASA-s. Në vitet e ardhshme numri i tyre do të rritet deri në 450. Vështirësi për t'u kuptuar në këtë qendër multinacionale nuk ka, thotë Norber Lohl.

"Cështja e gjuhëve është shumë e rëndësishme. Pjesërisht ne duhet të punojmë me përkthime në të gjitha gjuhët evropiane, kjo nuk e lehtëson tamam punën. Por në praktikën e përditshme ne flasim të gjithë me njëri-tjetrin anglisht."

Pas një muaji në Këln, bashkëpunëtorët janë mësuar me Këlnin, ata e vlerësojnë qëndrimin e hapur të popullsisë. Massimo Mazzoleti, përgjegjës për lejimin e helikopterëve dhe ballonave me ajër të nxehtë vazhdon të udhëtojë cdo fundjavë në atdheun e tij Milano, por edhe ai ka zbuluar një copë Itali në Këln:

"Ata kanë restorante shumë të mira këtu. E kam fjalën për ato italiane, në radhë të parë. Kështu që përsa i përket të ngrënit, nuk ka probleme të vërteta."