1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Salman Rushdie: „Të luftosh për lirinë“

Sabine Kieselbach24 Nëntor 2015

A do të fitojë e keqja në fund? Shkrimtari britanik me origjinë indiane, Salman Rushdie, flet mbi romanin e tij të ri, që papritur u bë shumë aktual, si dhe mbi kulturën, që duhet ta mbrojë lirinë më shumë se kurrë.

https://p.dw.com/p/1HBTf
Salman Rushdie
Fotografi: Getty Images/AFP/G. Julien

DW: Në romanin tuaj të ri „Dy vite, tetë muaj dhe njëzet e tetë netë“ – gjithsej këto bëjnë 1001 netë – ju përshkruani luftën midis njeriut dhe xhindit. Kush fiton?

Salam Ruschdie: Libri përfundon mirë! Në të vërtetë unë nuk dëshiroj ta tregoj fundin (qesh). Kur fillova të shkruaj, shumë gjëra që për ne sot janë një shqetësim i madh, atëherë nuk ekzistonin. Nuk kishte IS, për shembull, prandaj është e çuditshme, se si libri, gati krejt pa dashur, u bë kaq aktual.

Çfarë ju frymëzoi, katër vite më parë, kur nisët të shkruanit librin?

Unë doja të krijoja diçka të egër dhe krejt të paqenë. Kjo më çoi përsëri drejt historive të vjetra të stilit të „Njëmijë e një netëve“. Histori të tilla në Indi ka akoma edhe më shumë, prandaj dhe unë u dashurova pas tyre. Edhe Günther Grass ka luajtur rolin e vet. Ai merrte nga bota e përrallave e maleve të Schwarzwald-it ose nga vëllezërit Grimm dhe i kthente ato në letërsi bashkohore: „Shojëza“, „Daullja prej llamarine“ ose „Miushja“.

Ju sapo rrëfyet se në librin tuaj çdo gjë përfundon mirë. Arsyeja fiton mbi marrëzinë. A do të ndodhë kjo edhe në jetën e vërtetë?

Ndoshta është pikërisht ky trilli i vërtetë në roman. Por unë sidoqoftë besoj se duhet të mbajmë të gjallë besimin se fitorja e së keqes është e shmangshme. Shumëçka tregon se kërcënimi i tanishëm nuk do të na shqetësojë më pas 20 apo 30 vitesh. Por nëse unë do të kisha qenë i ulur këtu me ju në janar të 1989-ës dhe do ju kisha thënë, se për Krishtlindje muri nuk do të jetë më, do të më kishit marrë për të çmendur! Por ndodhi pikërisht kështu. Ne jetojmë në një kohë kur bota mund të rrotullohet plotësisht dhe krejt papritur, me 180 gradë, prandaj është e padobishme që të rrish e të spekulosh se si do të bëhet më vonë.

A jua kanë rritur sidoqoftë sado pak frikën sulmet terroriste në Paris?

Po, por, paçka ngjarjeve të javës së kaluar, më ka bërë përshtypje vullneti i parizienëve për t'i lënë mënjanë frikërat dhe për të vazhduar jetën e zakonshme tipike pariziene. Duke shkuar përsëri në restorante, duke shkuar përsëri në koncerte dhe ndeshje futbolli, duke vazhduar të jenë parizienë të vërtetë. Kjo është përgjigjja e duhur.

Megjithatë, Presidenti frances Holland i ka shpallur luftë IS-it. A jemi në luftë?

Me siguri që ekziston dikush që është në luftë me ne. Mua asnjëherë nuk më ka bindur shprehja e qeverisë Bush: „lufta kundër terrorit“, sepse një luftë e tillë nuk mund të fitohet. Me terrorin nuk mund të nënshkruash asnjë kontratë paqeje. Lufta bëhet kundër njerëzve të thjeshtë, por është edhe një luftë kundër kulturës. Kundër gjithë asaj çka ne në Perëndimin liberal e çmojmë – kundër muzikës, zbavitjes, ushqimit të mirë, ndeshjeve të futbollit – kënaqësi të tilla janë armiku i fanatikëve. Qejfi duket se është ajo që ata urrejnë më shumë, prandaj ne pikërisht këtë duhet të vazhdojmë të bëjmë.

Cili është roli i shkrimtarëve në këto kohëra?

Librat duhet të krijojnë një botë në të cilën ndihesh mirë dhe e cila hedh një dritë ndryshe mbi botën aty jashtë. Kur lexuesi largohet përsëri nga bota dhe faqet e librit, një pjesë e asaj bote mbetet brenda tij dhe bëhet pjesë e mënyrës se si ai mendon dhe ndikon në mënyrën se si ai e percepton botën rreth tij.

Si ndodhi që ju shkruat një libër në të cilin, ndryshe nga librat e tjerë, ju nuk shfaqeni fare?

Mjaft fola për vete, mendova. Le të flasim për njerëzit e tjerë. Për ata që bëjnë një jetë krejt të zakonshme, deri kur papritur ndodh diçka e frikshme dhe që të ndryshon jetën. Si veprojmë ne në situatën e re? Mes gjithë këtyre njerëzve gjendet i fshehur një tis i hollë magjie prej xhindi. Ata janë pasardhësit e dashurisë së lashtë midis princeshës së xhindëve dhe një njeriu. Shpesh ne gjejmë në mesin tonë forcë, moral, ndihmë intelektuale dhe emocionale, dhe ne as që e dinim që e gjithë kjo gjendet mes nesh. Njerëzit papritur mund t'i bëjnë ballë çdo lloj katastrofe.

Ju keni qenë një nga kritikët më të egër të anëtarëve të PEN-it (shoqatë ndërkombëtare, jo politike dhe jo qeveritare, e shkrimtarëve), të cilët në mbrëmjen gala të përvitshme shpreheshin kundër Charlie Hebdo. Çfarë ju ka zemëruar më shumë?

Ata thjeshtë ishin kryekëput gabim, pavarësisht nëse e pëlqenin revistën ose jo. Karikaturistët u vranë sepse bënin vizatime. Dhe PEN është një organizatë e cila lirinë e mendimit duhet ta shkruajë me shkronja të mëdha. Kush nuk i respekton njerëzit të cilët herë pas here merrnin kërcënime dhe prapëseprapë vazhdonin punën e tyre, dhe të cilët si përfundim u vranë për shkak të disa kariakaturave politike, është krejtësisht patetik. Shumë kritikë, për shembull, nuk e dinin se karikaturistët nuk urreheshin e që përkundrazi njerëzit i donin. Dhe se revista nuk është raciste, por madje kundër racizmit, se armiku i tyre më i madh është partia radikale „Front National“. Për mua ishte e tmerrshme, kur të vdekurit u paraqitën në mënyrë aq të shtrembëruar, vetëm e vetëm që të mund të protestonin kundër tyre.

Në panairin e librit në Frankfurt, këtë vit, ju thatë: „Profesioni ynë ngjan gjithnjë e më shumë me një fushatë“. Për çfarë fushate e kishit fjalën?

Ne duhet të mbrojmë lirinë tonë të çmuar dhe të fituar me luftë të egër. Në shekujt e fundit, në Evropë janë zhvilluar koncepte të lirisë nga të cilat sot përfitojmë të gjithë. Këto ide kanë mbërritur deri në Amerikë, por çështja është kjo: Ne duhet të ndihemi me fat, që jetojmë në një pjesë të botës, ku mund të jemi të lirë. Shumica e vendeve të tjera nuk e kanë këtë liri. Kina? Jo. Një pjesë e madhe e botës islamike? Sinjal negativ. Pjesa më e madhe e Afrikës? Jo. Nëse ne i kemi këto vlera, atëherë duhet edhe t'i mbrojmë. Ne duhet të luftojmë për to, nëse duhet.

Shkrimtari britanik me origjinë indiane, Sir Salman Rushdie, është një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të letersisë bashkohore. Ai i pasuron tregimet e tij me elemente nga bota e përrallave. Për një pjesë të botës islamike ai është një figurë e urryer: Në vitin 1989, libri i tij “Vargjet satanike” i dha shkak klerikut dhe udhëheqësit revolucionar iranian, Ajatollah Chomeini, që përmes një fetvaje (në traditën muslimane, një shkresë me vlerë juridike e shkruar nga një myfti) ta dënojë me vdekje shkrimtarin Rushdie. Romani i tij i ri “Dy vite, tetë muaj dhe njëzet e tetë netë” është publikuar nga shtëpia botuese C. Bertelsmann.