1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Salzburgu nënvizon perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor

Anila Shuka, Salzburg12 Mars 2006

Ren: Lehtësimet në procedurat e vizave varen nga politika ndërkufitare e vendeve të Ballkanit

https://p.dw.com/p/ArBo
Olli Rehn
Olli RehnFotografi: AP

„Pa Ballkanin bashkimi i Evropës do të mbetet i pjesshëm, “ - ky ishte mesazhi që arriti të nxjerrë ministrja austriake e punëve të jashtme, Ursula Plassnik nga takimi i ministrave të jashtëm në Salzburg. Perspektiva evropiane e rajonit u forcua edhe një herë në një deklaratë të përbashkët të nënshkruar nga 33 përfaqësues të vendeve pjesëmarrëse, 25 antarët dhe tetë të tjerë që shpresojnë që herët a vonë të hyjnë në gjirin e familjes evropiane.

Perspektivë, jo antarësim

Deklarata thotë se për zgjerimin mëtejshëm duhet të merren parasysh kapacitetet prauese të BE-së. Ajo nuk e lidh perspektivën evropiane të rajonit me debatin për identin dhe kufijtë e Bashkimit Evropian. Ky debat nisi vitin e kaluar, kur Franca dhe Holanda i thanë jo projektit të kushtetutës. Por në deklaratë nuk bëhet fjalë për anëtarësim. Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Frank Valter Shtajnmajer ka sqaruar, se „perspektiva evropiane duhet të kuptohet ashtu siç e thotë vet fjala. Ajo e lë të hapur anëtarësimin për të gjitha vendet, por se a do të arrijnë të gjithë të hyjnë në BE, kjo do të varet nga zhvillimi i brendshëm ekonomik e politik i tyre.“ Shtajnmajeri shtoi më tej se perspektiva evropiane është domosdoshmëri edhe për të zgjidhur problemin më të vështirë në rajon, statusin final të Kosovës.

Kosova të ketë përfaqësi në BE

Krahas të ngarkuarit të posaçëm të OKB-së me këtë çështje, Marti Ahtisaarit, i cili e ka theksuar këtë domosdoshmëri edhe ndaj ministrave të shtunën paradite, mbrojtësi i kësaj ideje është edhe përfaqësuesi i lartë i OKB-së në Kosovë, Sëren Jesen Petersen, i cili në fjalën e tij nënvizoi mes të tjerash përparimet e bëra gjatë katër javëve të fundit në drejtim të realizimit të standardeve dhe mbrojtjes së të drejtave të serbëve. Petersen ka kërkuar edhe përfaqësimin e Kosovës në Evropë. „U thashë, që jemi tani duke planifikuar situtatën pas zgjidhjes së statusit dhe që shqiptarët e Kosovës i ftojnë institucionet evropiane të përfaqësohen në Kosovë, por edhe që Kosova kërkon të ketë përfaqësi në Evropë, “ tha Jesen Petersen.

Vizat të lidhura me kontrollin ndërkufitar

Ministrat evropianë konstatuan se Ballkani tashmë ishte më afër Evropës në nivel politik dhe diplomatik. Ajo që mbetet është afrimi konkret, siç do të theksonte komisioneri i zgjerimit, Oli Ren: „Duhet të lehtësojmë kontaktin ndërmjet njerzve përmes involvimit të tyre në programet tona arsimore dhe shkencore dhe të bëjmë më shumë për lehtësimin e regjimit të vizave.“ Por Oli Ren shtoi, se kjo varet në masë të madhe edhe nga përmirësimi i kontrollit ndërkufitar në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Zonë e lirë tregtare

Ministrat gjithashtu u bënë thirrje vendeve të Ballkanit, që të krijojnë një zonë të përbashkët të tregitsë së lirë, sipas modelit të CEFTA-s. (Central European Free Trade Agreement: Marrëveshja e Tregtisë së Lirë për Evropën Qendrore)), ku aktualisht bën pjesë edhe Bullgaria dhe Rumania. Ren tha se shtysa e parë në këtë drejtim do të ndërmerret më 6 prill në Bukuresht të Rumanisë, që është kryetare e radhës së CEFTA-s. Ajo do të zëvendësonte 31 zonat e lira që ekzistojnë aktualisht në rajon.