1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samit i vakët - Në Kankun shkon drejt fundit samiti për klimën

10 Dhjetor 2010

Samiti për klimën në Kankun po i afrohet fundit. Negociatat pritet të përfundojnë të premten vonë, rezultatet me pikëpyetje. Por që në fillim Kankuni nuk u konsiderua si një samit mjaft shpresëdhënës.

https://p.dw.com/p/QUb5
Pamje nga samitiFotografi: picture alliance / dpa

"Këtu në Kankun na duhet të ecim përpara. Kjo është një maratonë, jo sprint. Ndryshimi i klimës nuk ka ndodhur për një natë, gjithashtu ai nuk do të ndalet nga njëra ditë në tjetrën. Por po qe se arrijmë të veprojmë së bashku, mund të gjejmë një përgjigje të përbashkët dhe afatgjatë për ndryshimet e klimës. Çdo vend duhet të jetë pjesë e zgjidhjes, çdo vend duhet të luajë një rol."

Kështu u shpreh Ban Ki Moon, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara në fjalimin e tij drejtuar samitit në Kankun.

Ban Ki Moon in Afghanistan
Ban Ki Moon, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të BashkuaraFotografi: AP

Pritshmëritë ndaj këtij samiti u zbehën që para fillimit të tij në 29 nëntor. Atëherë u bë e qartë se në Kankun nuk do të arrihej ndonjë marrëveshje triumfale e bashkësisë botërore për klimën, një marrëveshje e gjerë, e obligueshme dhe e drejtë. Në vend të kësaj po punohet me hapa të vegjël. Por edhe ata nuk po hidhen ashtu si duhet.

Stanjacion - samit me hapa breshke

Në Kankun nuk ka ende shenja të qarta për krijimin e një fondi global për klimën. Më shumë po bëhet fjalë për arritjen e një ujdie për strukturën që duhet të ketë ky fond, i cili mund të miratohet vetëm në samitin e ardhshëm të klimës në qytetin afrikanojugor, Durban.

Gjendjen gati në stanjacion të bisedimeve e kritikon edhe e ngarkuara e OKB-së për klimën, Christiana Figueres: "Bukuria e këtij ambienti nuk duhet të na bëjë të harrojmë se steka e kësaj konference është shumë e lartë. Edhe stekat e politikës janë shumë të larta, sepse po vihet në rrezik efektiviteti dhe kredibiliteti i një procesi ndërqeveritar dhe multilateral, pjesë e të cilit jemi të gjithë ne. Edhe steka e ambientit është shumë e lartë sepse kemi gjithnjë e më pak kohë për të siguruar të ardhmen tonë."

"Në raundin e takimit në nivel ministrash të Ambientit nuk u kursyen paralajmërimet. Por nëse ministrat bien dakord për çështje kyçe si protokolli i Kiotos, financimi, ulja emetimit dhe detyrime të tjera, nuk dihet.

Chefin des UN-Klimasekretariats Christiana Figueres
E ngarkuara e OKB-së për klimën, Christiana FigueresFotografi: picture-alliance/dpa

Shenjat e ndryshimit klimaterik janë të pamënjanueshme

Por së paku një gjë nuk shtrohet më për diskutim, as nga ministrat dhe as nga delegacionet. Fakti që ndryshimet klimaterike po ndjehen në të gjithë botën. Pasojat më të shumta po i ndjejnë shtetet ishuj të Paqësorit. Figueres thotë:

"Lista e vendeve që vuajnë pasojat e ndryshimit të klimës është shumë e gjatë dhe do të bëhet edhe më e gjatë. Tuvalu, Maledivet, Kiribati dhe Vanuatu që sot po kërkojnë mundësi të evakuimit të të gjithë popullatës, sepse uji i pijshëm ka tregues të kripës, dhe niveli i detit po rritet gjithnjë e më ndjeshëm. Nuk do të zgjasë shumë dhe këto shtete do të kërkojnë strehim në vende që gjenden më lart. Fati i tyre duhet të jetë një paralajmërim për të gjithë ne."

Sipas Figueres edhe vendet e privilegjuara që nuk i ndjejnë shumë pasojat e klimës apo shpresojnë në avantazhe nga ndryshimi i saj duhet të masin veten me kutin se çfarë bëjnë ata për njerëzit që vuajnë.

Autor: Helle Jeppesen/Lindita Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti