1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samiti i ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel

Christofer Plaas27 Shkurt 2006

Debati mbi programin bërthamor të Iranit, dorëzimi i kriminelëve të luftës nga qeveria serbe dhe ndihma financiare e BE-së për palestinezët, ishin në qendër të konferencës së ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel.

https://p.dw.com/p/Aqqn
Fotografi: AP

Vëmendja e ministrave të jashtëm të BE-së u përqëndrua të hënën në Moskë. Pasi grupi i ashtuquajtur BE-3, pra Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe deklaroi se nuk arriti ndonjë kompromis me Iranin në lidhje me programin e tij bërthamor. Tani duket sikur Moska është shpresa e fundit. Të dielën Teherani zyrtar kish deklaruar se ka rënë dakord me Moskën në shumë pika të rëndësishme që kanë të bëjnë me programin e tij bërthamor. Por ministri i jashtëm gjerman Frank Valter Shtajnmajer, e vuri në pyetje besueshmërinë e këtyre informacioneve, të cilat vijnë vetëm nga burime iraniane:

"Sidoqoftë jam i kënaqur që bisedimet do të vazhdojnë. Por përpara se të arrijmë në konkluzione, le të presim edhe reagimet e palës ruse lidhur me këtë çështje" u shpreh ai.

Edhe i ngarkuari i BE-së për politikën e jashtme Javier Solana u shpreh në mënyrë të ngjashme. Le të presim se si do të zhvillohen këto bisedime, tha Solana.

Temë tjetër e rëndësishme e bisedimeve gjatë ditës së hënë ishte se si mund të rritet presioni ndaj qeverisë serbe, që të bashkëpunojë më ngushtë me Tribunalin e Hagës. BE-ja kërkon që qeveria serbe të dorëzojë sa më parë kriminelët e luftës Mlladiç dhe Karaxhiç në Hagë. Madje BE-ja ka kërcënuar se do të ndërpresë bisedimet për marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Serbinë, në rast se Beogradi zyrtar nuk do të ndërmarrë sa më parë hapat e nevojshëm. Kështu u shpreh Solana, dhe ministri i jashtëm gjerman Shtajnmajer e mbështeti gjithashtu këtë qëndrim:

"Kjo nuk do të thotë se ne do t´i vëmë një ultimatum Serbisë, por pas takimit të sotëm, vendosëm t´i ndërpresim të gjitha bisedimet për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, në rast se Serbia nuk do të bashkëpunojë me ne."

Shtajnmajer do ta bëjë këtë qëndrim të qartë edhe gjatë vizitës që do të kryejë gjatë kësaj jave në Beograd. Homolgu i tij luksemburgas Aselborn, mendon gjithashtu se me ultimatume nuk arrihet ndonjë përparim:

"Nuk besoj se do të arrijmë ndonjë gjë me ultimatume. Sigurisht që duhet ta rrisim presionin dhe t´i bëjmë të qartë Serbisë se pa një bashkëpunim absolut dhe pa Mlladiçin dhe Karaxhiçin, nuk ka asnjë marrëveshje me BE-në."

Edhe pyetja se si do të jetë bashkëpunimi i BE-së me qeverinë palestineze që tani udhëhiqet nga Hamasi, ishte një pikë e rëndësishme e samitit të ministrave të jashtëm të BE-së. Komsionerja e BE-së për politikën e jashtme Benita Ferrero Valdner, deklaroi se Brukseli do të transferojë një ndihmë prej 121 milionë euro për refugjatët, për faturat e energjisë elektrike dhe për rrogat e nëpunëseve shtetërorë. Por BE-ja e la të hapur pyetjen nëse ajo do të vazhdojë ta mbështesë edhe në të ardhmen financiarisht qeverinë palestineze që udhëhiqet tani nga Hamasi.