1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Schavan për një libër të përbashkët historie në shkolla

Dagmar Freudenreich2 Mars 2007

Nga takimi i ministrave të arsimit të BE-së që po zhvillohet në Heidelberg

https://p.dw.com/p/Aqmp
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ministrat e arsimit të BE-së janë mbledhur për një takim joformal në Heidelberg të Gjermanisë. Në kuadër të presidencës gjermane të BE-së, ministrat po diskutojnë dy ditë me radhë për rolin e formimit arsimor si një nga burimet më të rëndësishme për të ardhmen dhe si një bazë e mirë për të përballuar konkurencën në një botë gjithnjë e më globale.

Ministrja gjermane e arsimit, Annette Schavan, u bëri thirrje homologëve të saj nga BE-ja dhe vendet fqinje që të nxjerrin në pah vlerat dhe perspektivat e përbashkëta kulturore të evropianëve. Një nga idetë është, që të shkruhet një libër i përbashkët historie për të gjithë fëmijët në Evropë, duke ndjekur shembullin e një libri franko-gjerman, i cili përdoret aktualisht në disa shkolla.

Projekti i librit të përbashkët të historisë, në rang Evrope, është ende në fillime, ka thënë ministrja gjermane e arsimit, Annette Schavan: "Ka shumë reagime pozitive, që na kanë ardhur këto ditë nga vendet anëtare të BE-së, por ka pasur edhe zëra kritikë nga Polonia. Por, mbas një bisede që kam bërë me kolegët e mi polakë, mësova se edhe në Poloni ka një numër të madh historianësh, që janë të interesuar për zhvillimin e një debati në rang Evrope dhe për këmbime mes hitorianëve. Prandaj edhe ne do të përpiqemi ta realizojmë," - tha Schavan.

Debati katërorësh i ministrave të arsimit për vlerat e përbashkëta evropiane ishte me dyer të mbyllura. E ashtuquajtura tryezë familjare kishte si qëllim të afronte jo vetëm Evropën por edhe ministrat me njëri-tjetrin. Leo-Felix Lee nga ministria federale e arsimit sqaron: "Një takim i tillë joformal ofron edhe mundësi, që krahas protokollit të zhvillohen biseda bilaterale, qoftë edhe për të hapur tema, që nuk janë çdo ditë pjesë e axhendës politike e që megjithatë për të gjitha vendet dhe ministrat e tyre janë me interes."

Ndërsa ministrat po bënin mbledhje, përjashta në mbrëmjen e së enjtes ishin mbledhur afro 200 demonstrues. Sindikalistë, nxënës, studentë dhe kundërshtarë të globalizimit, që donin të tërhiqnin vëemendjen për kërkesën e tyre, arsimin falas për të gjithë, siç thotë folësja e tyre, Merlin Wolf: "Ne kërkojmë që t'i jepet fund komercializimit dhe privatizimit në sektorin e arsimit. Ne duam të kemi një politikë arsimore të njerzishme dhe të bazuar në solidaritet, ku në qendër të vëmendjes është njeriu, dhe jo përfitimi ekonomik."

Në takim marrin pjesë nga Shqipëria, ministri i arsimit Genc Pollo, ndërsa nga Kosova, ministri Agim Veliu dhe drejtuesi i zyrës ministrore të UNMIK-ut për arsimin, Steffen Felbrich.