1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Scholz mbështet integrimin e Ballkanit Perëndimor

19 Shkurt 2022

Kancelari gjerman, Olaf Scholz në fjalimin e tij të parë në Konferencën e njohur të Sigurisë në Mynih i kushtoi vëmendje të posaçme edhe Ballkanit Perëndimor.

https://p.dw.com/p/47HOg
Pressekonferenz nach Ministerpräsidentenkonferenz Olaf Scholz
Fotografi: Michele Tantussi/AP/Pool/picture alliance / ASSOCIATED PRESS

Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, kancelari gjerman, Olaf Scholz në fjalimin e tij të shtunën, ku në qendër ishin tensionet aktuale me Rusinë, foli edhe për stadin e integrimit të Ballkanit Perëndimor. Ai kërkoi më shumë përpjekje për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. "Nuk mjafton që të përmendim perspektivën e zgjerimit për këtë rajon si qëllim strategjik", tha Olf Scholz, "por duhet ta çojmë përpara atë në mënyrë aktive".

"Dhe kur flas për Bashkimin Europian atëherë i përfshij edhe vendet e Ballkanit Perëndimor", tha Scholz. Në të njëjtën kohë ai paralajmëroi nga "zhvendosjet gjeopolitike të pushtetit", që mund ta lenë BE mbrapa. "Ne europianët do të ruajmë aftësinë tonë vepruese, autonominë tonë vendimmarrëse vetëm atëherë kur ta bashkojmë vullnetin tonë dhe aftësitë tona në Bashkimin Europian", tha Scholz. Për kancelarin gjerman, "BE është kuadri ynë veprues, shansi ynë të mbesim fuqi mes fuqive. Për këtë bëhet fjalë, kur flasim për sovranitet europian."

Slowenien l Westbalkan-Gipfel der EU in Brdo
Samiti i BE me Ballkanin Perëndimor në Brdo me kancelaren Merkel, tetor 2021Fotografi: Joe Klamar/AFP

Bisedimet për hapjen e negociateve me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut ecin shumë ngadalë përpara, ndërkohë që vende të tjera si Kosova apo Bosnje-Hercegovina kanë ngecur në rrugën e integrimit në BE. Asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ka momentalisht një perspektivë të qartë kohore për anëtarësim edhe për shkak të rezervave brenda vendeve të BE.

la/ag