1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Schwarzenegger në ekip me Greta Thunberg në Samitin e Klimës

29 Maj 2019

Një samit për klimën i organizuar nga organizata mjedisore e Arnold Schwarzenegger u hap në Vjenë. Aktivistja e re suedeze Greta Thunberg tha gjatë fjalës së hapjes se liderët janë të dështuar me masat e tyre.

https://p.dw.com/p/3JL0X
Österreich R20 Austrian World Summit in Wien
Fotografi: picture-alliance/dpa/APA/M. Langthaler

Aktivistja e re suedeze Greta Thunberg u bëri thirrje të martën liderëve që të informojnë publikun për ndryshimet klimatike pa i dhënë tone të zbutura „krizës më të madhe me të cilën po përballet njerëzimi".

Shumë njerëz nuk ia kanë idenë shkallës së emergjencës klimatike sepse „atytre nuk është thënë, ose më saktë, nuk u është thënë nga njerëzit e duhur", tha Thunberg, e cila ka frymëzuar miliona njerëz në botë për të marrë pjesë gjatë të premteve në grevat e Shkollës të së Ardhmes.

Njerëzit i dëgjojnë dhe ndikohen nga politikanët, të famshmit, drejtuesit dhe gazetarët, duke u dhënë atyre një përgjegjësi gjigande, tha ajo në samitin e rëndësishëm të klimës në qytetin austriak, në Vjenë. „Dhe le të tregohemi të sinqertë, kjo është një përgjegjësi, në sipërmarrjen e së cilës kanë dështuar shumica prej jush" i tha ajo tubimit të nivelit të lartë. „Ne jemi njerëz… Jemi pjesë e natyrës. Jemi natyrshëm të tërhequr drejt udhëheqësve tanë."

"Ju nuk mund të mbështeteni tek njerëz që lexojnë mes rreshtave ose kërkojnë informacione për veten e tyre” rreth çështjeve të detajuara të ndryshimeve klimatike, tha Thunberg, teksa bëri thirrje për një ndryshim tërësor në mënyrën se si shoqëria vepron me këtë çështje.

Kriza klimatike është një emergjencë dhe duhet të trajtohet si e tillë, dhe jo të trajtohet si një mënyrë për të prodhuar vende pune për çështjet e natyrës dhe rritjen ekonomike, tha ajo.

"Për një kohë të gjatë, njerëzit në pushtet kanë vijuar duke mos bë kryesisht asgjë për të ndaluar rrënimin klimatik dhe ekoërlogjik. Ata janë mësuar duke vjedhur të ardhmen tonë dhe duke e shitur atë për përfitimet e tyre. 

Thunberg, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres dhe presidenti austriak Alexander Van der Bellen hapën Samitin Botëror Austriak R20, i organizuar nga ylli hollivudian dhe njëkohësisht ish - Guvernatori i Kalifornisë, Arnold Schwarzenegger.

Schwarzenegger e vlerësoi Greta Thunberg si një ëndërrimtare e cila krijoi lëvizjen rinore për të mbajtur nën presion njerëzit e pushtetshëm për zotimet e tyre për tu angazhuar seriozisht me ndryshimet klimatike.

"Nëse ne dështojmë së vepruari është e ardhmja e tyre në rrezik, jo e jona. Vizioni i tyre duhet të na udhëheqë ne në veprim," tha Schwarzenegger.

Samiti Botëror Austriak R20 bëri bashkë zyrtarët më të lartë, biznesmenët, investitorët, shoqërinë civile dhe ekspertët klimatikë si dhe përfaqësues të vendeve dhe qyteteve nga e gjithë bota për të promovuar dhe zbatuar Marrëveshjen Klimatike të Parisit dhe qëllimet e zhvillimit të qendrueshëm të Kombeve të Bashkuara.

Samiti i përvitshëm organizohet nga organizata mjedisore R20 Rajonet e Aksionit Klimatik të Schwarzenegger, e krijuar në vitin 2011 për të përshpejtuar investimet dhe projektet e infrastrukturës së gjelbër në nivel kombëtar.