1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Seanca e posaçme e Këshillit të Sigurimit për Kosovën

18 Qershor 2009

KS vazhdoi të jetë i ndarë ne qëndrimet ndaj Kosovës

https://p.dw.com/p/ITFq
Selia qëndrore e UNMIK-ut në KosovëFotografi: picture-alliance/ dpa

Këshilli i Sigurimit i OKB-së, shqyrtoi një raport të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, i cili u bën apel të gjitha palëve, që të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive për rikonfigurimin e UNMIK-ut. Në këtë seancë mori pjesë edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni.

Në seancën e Këshillit të Sigurimit ministri i jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, kërkoi që misioni i UNMIK-ut të përfundojë mandatin. Ndërkohë nga ana tjetër ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, kërkoi që UNMIK-u të vazhdojë mandatin dhe kërkoi që procesi i rikonfigurimit të UNMIK-ut të ndalet. Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannieri, i cili paraqiti zhvillimet në Kosovë gjatë tre muajve të fundit, tha se misioni i UNMIK-ut tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare të rikonfigurimit. Sipas tij ky mision që nga vendosja e misionit evropian EULEX po luan një rol ndërmjetësues në bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve.

Lamberto Zannier
Shefi i UNMIK-ut Lamberto ZannierFotografi: picture-alliance/ dpa

“Gjatë tërë periudhës raportuese UNMIK-u ka bashkëpunuar ngushtë me misionin evropian EULEX. Ky mision po funksionon në mbarë territorin e Kosovën nën autoritetin e plotë të OKB-së në një kornizë neutrale ndaj statusit. Pra EULEX është plotësisht funksional prej gjashtë prillit dhe tashmë ka 2500 pjestarë aktivë në Kosovë”, tha Lamberto Zannieri.

Të njejtin vlerësim për misionin EULEX e shfaqi edhe ministri i jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni. Ai tha se institucionet e Kosovës tashmë kanë marrë shumë përgjegjësi dhe kjo është arsyeja se përse UNMIK-u duhet ta përfundojë mandatin.

“Anëtarë të nderuar të këshillit siç e kam theksuar edhe në seancën e marsit në këtë forum për shkak të arsyeve praktike dhe pragmatike ne kërkojmë që të përmbyllet misioni dhe mandati i UNMIK-ut dhe në hijen e zhvillimeve positive në Kosovë dhe shtrirjen e gjithëmbarshme të misionit evropian EULEX unë e përsëris këtë kërkesë edhe sot”, tha ministri Hyseni.

Mirëpo ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, tha misioni i UNMIK-u ende është i nevojshëm në Kosovë dhe kërkoi që ky mision të vazhdojë mandatin dhe të mos zvogëlohet stafi.

“Inkurajoj të gjitha palët që t'u përmbahen zotimeve, që dalin nga rezoluta 1244, ku posaçërisht paragrafi shtatë i cili parasheh që të gjitha palët ta respektojnë rezoltën”, tha Vuk Jeremiq. Vuk Jeremiq edhe njëherë përsëriti që Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe kërkoi që plani gjashtëpikësh i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, të implementohet në Kosovë.

Sidoqoftë në seancën e KS-it shumica e anëtarëve kërkuan si nga Beogradi ashtu edhe nga Prishtina që të angazhohen për një qëndrueshmëri në Kosovë, të mundësohet kthimi i të gjithë të zhvendosurve në shtëpitë e tyre dhe të promovohet bashkëjetesa.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica