1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sejdiu pranon humbjen

Bekim Shehu19 Nëntor 2007

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, njëkohësisht edhe kryetar i LDK-së, u pajtua me humbjen e partisë së tij në zgjedhje e 17 nëntorit. Për të e rëndësishme është që zgjedhjet u zhvilluan në një frymë deokratike.

https://p.dw.com/p/CJIi
Fatmir Sejdiu
Fatmir SejdiuFotografi: picture-alliance/dpa

LDK-ja ka qenë që nga përfundimi i luftës forca politike në pushtet, por në zgjedhjet e djeshme humbi edhe pse zyrtarisht rezultatet e zgjedhjeve akoma nuk janë publikuar. Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i LDK-së, tha se sapo të komunikohen zyrtarisht rezultatet e zgjedhjeve ai do ta urojë fituesin, në këtë rast, Hashim Thaçin,
i cili udhëheqë PDK-në, e cila fitoi zgjedhjet e 17 nëntorit.

Kryesia e LDK-së, është ende duke analizuar shkaqet e humbjes në këto zgjedhje, me një rënie të madhe prej 50 përqind, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2004. Për këtë shkak, nënkryetari i parë i kësaj partie, Eqrem Kryeziu, i cili vlerësohet si figurë kryesore në LDK, ofroi dorëheqjen.

Në zgjedhjet e 17 nëntorit një rënje të dukshme ka pësuar edhe partia politike Ora e udhëhequr nga Veton Surroi, i cili tash për tash është edhe anëtar i grupit negociator në procesin e zgjidhjes së statusit. Partia e zotit Surroi, madje rrezikon që mos të jetë as pjesë e parlamentit të Kosovës, për faktin që rezultati prej 4 përqind, nuk i mundëson asaj që të kalojë pragun zgjedhor prej 5 përqindshit, kusht për tu futur në parlament.

Sidoqoftë, rezultatet e pjeshme të zgjedhjeve të 17 nëntorit do të publikohen sonte nga KQZ-ve, mirëpo, nuk pritet ndonjë ndryshim i madh nga rezultatet e organizatave joqeveritare që vëzhguan zgjedhjet dhe sipas të cilave PDK-ja ka fituar në nivel vendi shumicën e votave. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se e rëndësishme është që zgjedhjet u
zhvilluan nën një frymë deokratike, ndërsa nuk është i kënaqur me pjesëmarrjen e qytetarëve në votime. Megjithatë, ai tha se është shumë e rëndësishme që shumë shpejtë të krijohen institucionet e reja dhe Kosova të vazhdojë rrugën e saj drejt zgjidhjes së statusit final.