1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbët lejojnë kalimin e trupave të KFOR-it

14 Shtator 2011

Serbët në veri të Kosovës kanë lejuar kalimin e konvojit të trupës mbrojtëse ndërkombëtare, KFOR, i penguar fillimisht prej tyre.

https://p.dw.com/p/12YzH
Mitrovica
MitrovicaFotografi: DW

Rreth 15 automjete të KFOR-it kaluan bllokadën e rrugës në komunën e Zveçanit të shoqëruar nga policia serbe, njoftuan politikanë serbë. Një natë më parë rreth 20 automjete të KFOR-it ishin penguar të kalonin. Atyre iu desh të ktheheshin në bazën e tyre. Me protestat serbët duan të parandalojnë që qeveria e Kosovës të marrë nën kontroll kalimet kufitare Jarinje dhe Brnjak, të kontrolluara deri tani prej tyre.

Serbia mobilizon opinionin publik ndërkombëtar

Presidenti serb Boris Tadiç
Presidenti serb Boris TadiçFotografi: dapd

Serbia ngre zörin kundër planeve të qeverisë së Kosovës për të zgjeruar ndikimin edhe në veriun e vendit, të banuar nga serbët. "Serbia nuk do ta pranojë një gjë të tillë, nën çfarëdo presioni qoftë", tha presidenti serb Boris Tadic të martën në Beograd. "Përfaqësuesit ndërkombëtarë, që luajnë me paqen nuk mund t'i kuptoj. Ky është kulmi i papërgjegjësisë", kritikoi Tadic duke aluduar në mbështetjen e planeve të Prishtinës nga jashtë. KFOR-i nuk duhet të bëhet "shërbim transporti" për të ashtuquajturit doganierë shqiptarë nga Prishtina. Ai i referohej njoftimeve që KFOR-i dhe EULEX-i do të sjellin doganierët dhe policët kufitarë nga Prishtina në dy kalimet kufitare Jarinje dhe Brnjak.

Edhe zëvendeskryeministri Ivica Dacic paralajmëroi për një "eksod biblik" të bashkëkombasve të tij nga Kosova. "Unë nuk e kuptoj se përse disa njerëz nuk e kuptojnë, që kjo mund të çojë në konflikte edhe më të mëdha", tha ai. Ai kritikoi në këtë kuadër "Uashingtonin, Brukselin dhe Berlinin", që qëndrojnë prapa planeve të qeverisë së Kosovës, për të vendosur veriun e Kosovës nën kontrollin e saj. Sipas njoftimeve të shtypit të së martës qeveria e Serbisë i është drejtuar edhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon.

Autori: Angelina Verbica

Redaktoi: Mimoza Kelmendi