1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sfida të reja - Doktrina e fundit ruse e sigurisë

5 Korrik 2009

Presidenti amerikan Barack Obama filloi sot (06.07) një vizitë në Rusi, ku para disa javësh hyri në fuqi një doktrinë e re sigurie. Sipas saj politika e jashtme luan rol dytësor, SHBA dhe NATO mbeten armiq të Kremlinit.

https://p.dw.com/p/Ih5q
Medwedwev dhe Obama, si ninoshka ruse.
Në skenarët kërcënues të politikës së jashtme ruse vazhdojnë të mbeten "të dyshuarit e zakonshëm", SHBA-ja dhe NATO-ja.Fotografi: AP

„Rusia i ka kapërcyer pasojat e krizës politike dhe ekonomike të fundit të shekullit të 20-të, kriza që kishin të bënin me sistemin," - me një besim të tillë në vetvete nis doktrina e re ruse e sigurisë, që hyri në fuqi në muajin maj nga presidenti rus, Dmitri Medvedjev. Dokumenti, që përmban 116 teza do të jetë deri në vitin 2020 udhëzuesi kryesor i politikës së jashtme dhe të sigurisë së Rusisë. Siç nënvizon zëvendësdrejtori i Këshillit rus të politikës së jashtme dhe të mbrojtjes, Dmitrij Suslov: "Detyrat më të rëndësishme dhe njëkohësisht rreziqet më të mëdha për Rusinë, kanë të bëjnë me vetë Rusinë. Prej tyre del domosdoshmëria e modernizimit, e ngritjes së një sistemi efektiv shtetëror, luftimit të korrupsionit dhe kështu me rradhë."

Për herë të parë në historinë e re ruse, siguria kombëtare e vendit nuk përcaktohet vetëm nga rreziqet e jashtme dhe aftësia mbrojtëse e vendit. Kjo është e logjikshme, thotë Alexander Rahr, ekspert për Rusinë në Shoqatën gjermane për politikën e jashtme (DGAP): "Sfidat në politikën e brendshme janë sot në plan të parë për Rusinë. Kjo është normale, sepse me ardhjen e Obamës në post, marrëdhëniet me Perëndimin janë përmirësuar."

Arsenali i armëve bërthamore i SHBA dhe Rusisë.
Arsenali i armëve bërthamore i SHBA dhe Rusisë.


Siguria kombëtare e Rusisë, thotë dokumenti përcaktohet kryesisht në kategoritë ekonomike dhe sociale. Fushat relevante shihet të jenë zhvillimi ekonomik, sektori i shëndetësisë, i shkencave, i arsimi, i kulturës dhe i nivelit të jetesës. Synimi ambicioz që duhet të arrihet në një afat të mesëm është, që Rusia të jetë sërish kryesuese në botë edhe në këto fusha që janë vërtet problematike për të. Ndër rreziqet që kërcënojnë sigurinë kombëtare përmenden ndër të tjera papunësia, rritja e dallimeve sociale, tkurrja e popullsisë dhe rritja e çmimeve në vend.

Dokumenti trajton në mënyrë të detajuar edhe temën e sigurimit të energjisë. Moska bazohet në tezën se lufta ndërkombëtare për të arritur burimet energjetike do të ashpërsohet, për burimet në Detin Barent, rreth Antarktidës, në Detin Kaspik dhe në Azinë Qendrore. Meqenëse nuk përjashtohet mundësia e përdorimit të mjeteve të dhunës në luftën për burimet energjetike, rezulton rrezik në rritje në kufijtë rus. Rezervat e lëndëve të para cilësohen hapur si mjete që do ta sjellin Rusinë më afër synimit të saj, për të rifituar statusin e superfuqisë.

Në doktrinën e re ruse nuk ka ndryshime në analizimin e temave klasike të politikës së jashtme dhe të sigurisë. Për shembull hapësira aziatiko - paqësore nuk ekziston pothuajse fare për Moskën. Në skenarët kërcënues në politikën e jashtme vazhdojnë të mbeten "të dyshuarit e zakonshëm", SHBA-ja dhe NATO-ja, megjithëse ato nuk përmenden me emër.

Obama takohet me Medwedewin në Londër.
Presidenti amerikan, Barack Obama do të takohet me 7 korrik në Moskë me homologun e tij rus Dmitrij Medvedev, dhe një ditë më vonë me Kryeministrin Vladimir PutinFotografi: picture-alliance/ dpa

Doktrina ngre ankesa për mungesën e një arkitekture të fuqishme ndërkombëtare të sigurisë dhe përpjekjet për vendosjen e epërsisë ushtarake. Ndër to nuk numërohet vetëm modernizimi i armëve atomike, por edhe zhvillimi i teknologjive të larta ushtarake, armatosja strategjike në fushat joatomike, ngritja e një sistemi të njëanshëm raketash, stacionimi i elementëve të mbrojtjes nga raketat në Evropën Lindore, militarizimi i kozmosit. Lista bën të qartë për kë po flitet, po flitet për SHBA-në. Ajo shihet si burimi kryesor prej nga vjen rreziku për Rusinë. Po ashtu, "zgjerimi i infrastrukturës së NATO-s në kufijtë e Rusisë," është i papranueshme.

E çuditshme është që NATO-ja cilësohet faktor i rëndësishëm i kërcënimeve kundër Rusisë, por dhe si partnere strategjik për ruajtjen e sigurisë ndërkombëtare. Dmitrij Suslov shpjegon: "NATO është një sfidë e vështirë për Rusinë. Aleanca është një partner i rëndësishëm për Rusinë, sepse përpunon zgjidhje të çështjeve që janë të rëndësishme për sigurinë e Rusisë, përshembull në Afganistan. Përveç kësaj NATO është shtyllë e rëndësishme e arkitekturës euro-atlantike të sigurisë, i pëlqen apo jo Rusisë. Dhe nëse Rusia dëshiron të marrë pjesë në një sistem të tillë, atëherë duhet të punojë në marrëdhëniet e saj me NATO-n."

E njëjta gjë vlen edhe për SHBA-në, me të cilën Rusia kërkon të matet. Megjithëse SHBA shihet nga njëra anë si burim rreziku, Rusia bën përpjekje për të arritur partneritet të barabartë me Amerikën për të bashkëpunuar në përmirësimin e regjimeve Non-Proliferations (që nuk kanë nënshkruar paktin për mosshpërndarjen e armëve bërthamore) dhe luftimin e terrorizmit.

Autor : Nikita Jolkver / Aida Cama
Redaktoi : Vilma Filaj - Ballvora