1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sfidat e politikës së jashtme për qeverinë e Obamës

Christina Bergmann20 Janar 2009

Luftë në Irak dhe Afganistan, tensione mes Pakistanit dhe Indisë, luftime mes Izraelit dhe Hamasit, konflikt atomik me Iranin - lista e detyrave të politikës së jashtme për Barak Obamën është e gjatë.

https://p.dw.com/p/GcYj
Hillary Rodham Clinton, ministre e jashtme në qeverinë e Obamës
Hillary Rodham Clinton, ministre e jashtme në qeverinë e ObamësFotografi: AP

Duket e pamundur që të gjitha problemet të trajtohen njëherësh, për shkak të krizës financiare globale dhe problemeve të rënda në SHBA. Por grupi i punës për politikën e jashtme ka kohë që ka filluar nga puna. Ministrja e Jashtme e emëruar, Hillary Clinton, bëri të qartë në seancën para senatit amerikan, se në drejtim të politikës së jashtme do të fillojnë kohë të reja. "Amerika nuk mund t'i zgjidhë e vetme problemet urgjente të botës, dhe bota nuk mund t'i zgjidhë ato pa Amerikën."

Barack Obama para flamujve të Iranit, Irakut, Israelit
Barack Obama para flamujve të Iranit, Irakut, IsraelitFotografi: AP/DW

Në vend të veprimeve unilaterale, në Uashington ka ardhur koha për të ashtuquajturin "smart power", pushtetin e mençur". Kështu deklaron Ministrja e Jashtme e emëruar, Hillary Clinton. "Ne duhet të ndjekim një politikë të mençur, një politikë inteligjente pushteti dhe të përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion: diplomatike ekonomike ushtarake, politike, juridike dhe kulturore. Për çdo situatë duhet të kemi mjetin e duhur ose kombinimin e mjeteve të duhura."

Edhe Alen Keiswetter, nga Instituti për Lindjen e Mesme në Uashington pret që Barack Obama, në fjalimin e tij me rastin e marrjes së postit të bëjë të qartë se SHBA-ja në politikën e tyre të jashtme do të përdorin si tonet e ulëta, ashtu edhe kërcënimet. Në konfliktin e Lindjes së Mesme, së pari duhet stabilizuar gjendja në Rripin e Gazës, pra përfundimi i luftimeve dhe furnizimi me artikuj ushqimorë dhe mallra ushqimorë. I mundur është gjithashtu edhe stacionimi i një trupe ndërkombëtare. Keiswetter: "Si hap i dytë duhet të jetë rifillimi i bisedimeve të paqes mes palestinezëve dhe izraelitëve. Sepse për të dyja palët është e domosdoshme të mos humbasin shpresat për paqen."

Barack Obama në Afganistan, 20 korrik, 2008.
Barack Obama në Afganistan, 20 korrik, 2008.Fotografi: AP

Por lufta mes izraelitëve dhe palestinezëve është vetëm një nga problemet në tërësinë e konflikteve në rajon, probleme që fillojnë që nga Iraku dhe shkojnë deri në Indi. Obama të dielën e kaluar në televizionin ABC u shpreh: "Mendoj se Irani është një nga sfidat më të mëdha për ne. Siç kam bërë të ditur që gjatë fushatës elektorale, Irani nuk eksporton vetëm terrorizëm me ndihmën e Hamasit dhe Hisbollahut, por ka edhe qëllime atomike. Duhet ta ndryshojmë strategjinë tonë - dialogu është një fillim i mirë."

Vanda Felbab-Brown, nga Brookings-Institute në Uashington, një nga institutet më të njohura politike amerikane e mbështet këtë strategji. Studiesja e shkencave politike sqaron, se lufta në Irak që dominonte për një kohë të gjatë opinionin nuk është më në qendër të vëmendjes. Gjendja e sigurisë në Irak ka shënuar përmirësime, dhe dhuna është ulur. Gjithashtu marrëveshja ushtarake parasheh tërheqjen e trupave amerikane deri në vitin 2011. Felbab-Brown: "E rëndësishme është, që qeveria amerikane të mbetet aktive në nivelin politik, të ruajë trysninë ndaj qeverisë shiite dhe grupeve sunite dhe kurde për arritjen e një ujdie politike. Qeveria e Bushit nuk u morr aq shumë me këtë temë."


Barack Obama, ka deklaruar se do të përqëndrohet tek lufta në Afganistan. Por, krahas këtyre konflikteve të pazgjidhura, Barack Obama trashëgon në politikën e jashtme një marrëdhënie të tensionuar me Kinën, Korenë e Veriut dhe Rusinë. Presidenti amerikan nuk mund t'ja lejojë vetes luksin të përqëndrohet vetëm në një vatër konflikti.

(la/aca)