1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shans i madh - por edhe nevojë për informacione

21 Dhjetor 2009

Liberalizimi i regjimit të vizave hap një faqe të re për të ardhmen e Maqedonisë. Ky ishte vlerësimi i përgjithshëm i të anketuarve pas fillimit të zbatimit të liberalizimit të regjimit të vizave.

https://p.dw.com/p/L9wq
Të rinj në aeroportin e Shkupit
Të rinj në aeroportin e ShkupitFotografi: Fatos Musliu

Që nga dita e shtunë, qytetarët e Maqedonisë kanë të drejtën të udhëtojnë në vendet e zonës Shengen pa viza. Vendkalimet kufitare me Bullgarinë dhe Greqinë gjatë fundjavës kanë qenë të frekuentuara nga shumë qytetarë, të cilët për kureshtje kanë vizituar vendet fqinje anëtare të BE-së vetëm për të parë mundësinë se si udhëtohet pa viza. Agjencitë turistike kanë informuar se pas 19-të dhjetorit është shtuar dukshëm numri i të interesuarve për të udhëtuar në vendet e BE-s. Shumica e tyre kanë vendosur që festat e Krishtlindjes dhe të fundvitit t'i festojnë në ndonjë metropol evropian.

“ Të gjithë me padurim e kemi pritur heqjen e vizave, për të udhëtuar lirshëm në Europë. Do të ketë shumë lëvizje pozitive, si në ekonomi, kulturë e në të gjitha sferat “, thotë Viktor Stojanovski student nga Shkupi.

“Nëse do të kem para, do ta shfrytëzoj mundësinë që t'i vizitoj kushërinjtë. Ai që ka para mund të udhëtojë, tani me heqjen e vizave do ta kemi shumë më të lehtë,” thotë Nysret Hamdiu, në fakultetin juridik në Shkup.

Për vizitë në zonën e Shengenit
Për vizitë në zonën e ShengenitFotografi: Fatos Musliu

Afet Baftijari është pensionist nga Shkupi. Ai thotë se gjatë jetës së tij nuk ka patur mundësi asnjëherë të dalë jashtë Maqedonisë, heqja e vizave është me një rëndësi të veçantë sidomos për të rinjtë. “ Do të jetë më mirë, sidomos për të rinjët, të dalin jashtë dhe të shohin se si është atje”.

Violeta Janevska është studente e fakultetit filologjik. Ajo është e mendimit se dalja jashtë Maqedonisë do t'i mundësojë që të jetë edhe me tepër në kontakt me gjuhët e huaja.

“Do të ketë shumë lehtësira për ne, do të kem mundësi që gjatë vizitave jashtë vendit të furnizohem edhe me libra në gjuhët e huaja, të ve kontakte me kolegët e mi, që studiojnë në universitetet gjithëandej në Europë”, thotë Violeta.

Liberalizimi i vizave është mirëpritur shumë pozitivisht te të rinjtë. Por te shumica e tyre mungojnë informatat: ata mendojnë se dalja në Europë do t'u mundësojë atyre të sigurojnë ndonjë punë ose të studiojnë në universitetet e atjeshme.

Të rinj maqedonas në Paris
Të rinj maqedonas në ParisFotografi: Fatos Musliu

“Ndoshta do të udhëtoj, por kushtet janë të vështira, dikush mund të ketë e dikush jo mundësi për të udhëtuar”,-thotë Agron Rustemi nga Tetova.

Udhëtimi pa viza në vendet e zonës Shengen nuk do t'i ndihmojë qytetarët e Maqedonisë që të punojnë apo studiojnë në Europë. Ata që dëshirojnë të sistemohen në punë, apo të jenë studentë të ndonjë universiteti Europian duhet të kalojnë procedura të veçanta të marjes së vizave, në ambasadat e vendeve anëtare të BE-s , të thonë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë.

Liberalizimi i vizave para së gjithash mundëson qëndrimin turistik në vendet e BE-s për 90 ditë, në një periudhë prej 6 muajsh. Nga Ministria e Jashtme qytetarët informohen se për të udhëtuar në vendet e BE-së duhet të posedojnë përveç pasaportës biometrike edhe dokumente të tjera plotësuese. Në to bëjnë pjesë garancia për qëndrim tek personi ku udhëtohet, një sasi e konsiderushme e mjeteve financiare, sigurim shëndetësor apo vërtetim nga agjencitë turistike për qëllimin e udhëtimit. Nëse qytetari nuk plotëson ndonjë nga këto kushte atij mund t'i ndalohet hyrja në vendet e Zonës Shengen.

Autor: Fatos Musliu/ Shkup

Redaktoi: Auron Dodi