1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA i bën thirrje për përmbajtje Prishtinës dhe Beogradit

Bekim Shehu
9 Shkurt 2019

Një deklaratë e presidentit të Serbisë, se “nuk i njeh dy pikat kufitare në Kosovën veriore", nxiti reagimin e qeverisë në Prishtinë duke e cilësuar këtë deklaratë si kërcënuese dhe luftënxitëse.

https://p.dw.com/p/3D2yf
Pristina Haupstadt Kosovo
Fotografi: DW

Qeveria e Kosovës e cilësoi sulm të hapur ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës një deklaratë të Presidentit të Serbisë, i cili citohet të ketë thënë se "nuk i njeh dy pikat kufitare të Kosovës me Serbinë në Jarinje dhe Bërnjak në veri të Kosovës”. Në një deklaratë të qeverisë në Prishtinë thuhet, se "Qeveria e Kosovës vlerëson se deklaratat e fundit kërcënuese, agresive dhe luftënxitëse të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq më 7 shkurt 2019 në qytetin e Vranjës në Serbi, se nuk i njeh kufijtë e Kosovës, kufijtë ndërkombëtarisht të njohur dhe të pranuar, në Jarinjë dhe Bërnjak, janë të papranueshme dhe paraqesin cënim serioz të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”.

Qeveria e Kosovës këto deklarime i cilëson si një sulm që rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë, rajon dhe më gjerë, ndërsa, kryeministri Haradinaj ka thënë se "do të ndërmarë të gjitha veprimet kushtetuese dhe ligjore me qëllim ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, në përputhje me Deklaratën e Pavarësisë së 17 shkurtit 2008 dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Në të njejtën kohë me një deklaratë të përbashkët dolën edhe dy ambasadorët e SHBA-së, Philip Kosnet në Prishtinë dhe Kyle Scott në Beograd, të cilët kërkuan nga Prishtina dhe Beogradi që të ndalin provokimet, të përmbahen në deklarime dhe të angazhohen për një marrëveshje gjithpërfshirëse. Ata i kërkuan qeverisë së Kosovës që ta pezullojë taksën prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, ndërsa nga Serbia që të jetë konstruktive në këtë proces.

"Është koha që Kosova ta pezullojë taksën, që Serbia të përgjigjet në mënyrë konstruktive, që të marrin fund provokimet nga të dy anët, që Beogradi dhe Prishtina t'i kthehen dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe që të dyja palët ta përqafojnë paqen guximshëm. Nëse e bëni këtë, jemi optimistë, se mund të arrini një marrëveshje historike për normalizim në vitin 2019”, thuhet në deklaratën e përbashkët të dy ambasadorëve që e botuan mediet në Prishtinë.

Të dy ambasadorët, thonë se Serbia dhe Kosova e kanë mbështetjen e plotë amerikane dhe se ShBA do të bëjë gjithçka për të ndihmuar Beogradin dhe Prishtinën të krijojnë besimin e nevojshëm për të arritur një marrëveshje në qendër të së cilës do të ishte njohja reciproke. Ambasadorët tërheqin vërejtjen se nëse Prishtina dhe Beogradi dështojnë që ta shfrytëzojnë këtë mundësi, ato rrezikojnë të humbasin mundësinë më të mirë në një brez.

Të dy ambasadorët i kanë rikujtuar Prishtinës dhe Beogradit, letrën që presidenti i SHBA-së Donald Trump u ka dërguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nga të cilët ka kërkuar që ta shfrytëzojnë këtë moment për të arritur një marrëveshje.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me t'u kthyer nga SHBA-ja, ku ishte pjesëmarrrës në ceremoninë e lutjeve të mëngjesit, tha se nga takimet që ka zhvilluar në SHBA, atij i kanë thënë që "taksa e qeverisë së Kosovës duhet pezulluar në mënyrë që t'i hapët rruga dialogut”.

"Në Uashington më është thënë se duhet të ndodhë pezullimi i taksës për të vazhduar dialogu me Serbinë”, tha presidenti në një konferencë për medie (08.02)duke kërkuar që raportet me SHBA-në të ruhen.

"Kultivimi i këtyre raporteve garanton konsolidim dhe të ardhme të sigurt të shtetit tonë. Qëndrimi i SHBA-së siç e ka theksuar edhe presidenti Trump dhe ambasadorët, është se Kosova duhet të jetë e përgjegjshme në angazhimet e veta shtetërore, të ruajë raportet me shtetet që e kanë ndihmuar Kosovën”, tha Thaçi. Sipas tij, thirrja e zyrtarëve të SHBA-së për institucionet e Kosovës është që "Kosova ta kalojë këtë pengesë dhe të vazhdojë dialogun dhe arritjen e një marrëveshje”.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, nga ana tjetër thotë se qeveria e Kosovës duhet ta heqë taksën ndaj produkteve të Serbisë në mënyrë që të vazhdojë dialogu me Prishtinën. "Ne nuk e dimë çfarë po duan, çfarë po duan nga ne, nga bota. Serbia po undjek politikë racionale, serioze dhe të përgjegjshme, politikë paqësore dhe me hapa shkallë-shkallë, po shkojmë drejt afrimit te kompromisi. Nëse dikush nuk e do kompromisin, ne jemi mjaft të fuqishëm që edhe pa marrëveshje ta vazhdojmë ndërtimin e së ardhmes më të mirë për popullin dhe qytetarët tanë”, citon portali "Blic” i Beogradit Aleksandër Vuçiqin. Mirëpo megjithë këto thirrje që Prishtina ta heq, apo pezullojë taksën e vendosur ndaj produkteve të Serbisë, kryeministri Ramush Haradinaj, nuk duket se do të lëvizë nga pozicioni tij. Pas mbledhjes së qeverisë që zhvilloi në fundjavë, Haradinaj tha se "kjo taksë nuk do të hiqet edhe pse Serbia po bën shtantazhe në mënyrë që të hiqet. Taksa do të qëndrojë edhe për Bosnje-Hercegovinën”, u shpreh i vendosur kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.