1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shefi i diplomacisë së BE-së në Gjermani - Solana jep lëvdata për përgatitjet e misionit të Kongos

Bernd Gresler8 Qershor 2006

I ngarkuari i BE-së për politikën e jashtme, Havier Solana, shprehu bindjen, se misioni në prag i BE-së në Republikën Demokratike të Kongos do të jetë i sukseshëm. "Jam i sigurtë, se ky do të jetë një sukses i madh për njerëzit në Kongo dhe për Evropën", tha Solana.

https://p.dw.com/p/Aqpk
Havier Solana dhe Angela Merkel në Berlin
Havier Solana dhe Angela Merkel në BerlinFotografi: AP

Në një kazermë në afërsi të Pocdamit ndodhet selia e komandës për drejtimin e misioneve të Bundesverit, kjo është qendra për misionet që po shtohen dita ditës të ushtarëve gjermanë jashtë vendit. Meqënëse një gjeneral gjerman do të komandojë misionin e Kongos të përbërë nga 1.600 ushtarë të BE-së, kësaj radhe këtu po zhvillohen të gjitha aktivitetet e përbashkëta përgatitore për misionin evropian. Qendra e operacionit zakonisht e izoluar hermetiksiht të mërkurën (07.06) hapi për herë të parë për pak minuta portat e saj për kamerat dhe mikrofonët e mediave.

Në tri radhë qëndrojnë monitorët e sheshtë, prej nga janë shuar të gjitha të dhënat relevante ushtarake, për shkak të vizitës së gazetarëve. Orët e varura në murin qendror tregojnë kohën në rajonet e ndryshme të botës. Dy oficerë finlandezë, që dallohen prej shiritit me flamurin bardh e blu në krah, qëndrojnë përpara një harte të Kongos. Siç duket kjo hartë tregon sheshet e mundshme për uljen e avionëve në këtë shtet gjigand afrikan. Krahas saj ndodhen edhe harta të tjera: harta e përgjithshme e Kongos dhe një plan gjithëpërfshirës i zonave elektorale për zgjedhjet e 30 korrikut.

Në sallën pa dritare oficerët nga 18 vende kryejnë detyrën e tyre për misionin e përbashkët të evropianëve në Afrikën e largët. Koloneli Mihael Knop, oficer shtypi i BE-së nga Brukseli sqaron detyrën e operacionit në kuartierin qendror në Pocdam: "Ne në Pocdam jemi kuartieri qendror evropian. Ne jemi "muskuli i punës" së BE-së politike në Bruksel. Ne si nivel strategjik planifikojmë të gjithë operacionin, dhe kuartieri qendror i trupës në Kinshasa do të drejtohet në frëngjisht nga një gjeneral francez. Ky i fundit ndodhet nën gjeneralin gjerman Vierek, në një hierarki mëse normale në ushtri. Ushtarët vijnë nga 20 kombe. Por kjo s´ndryshon gjë tani. Ne flasim anglisht me njëri-tjetrin. Natyrisht që ne e dimë, se gjuha zyrtare në Kongo është frëngjishtja dhe në ndonjë pozicion të caktuar do të dërgojmë atje edhe ushtarë që flasin frëngjisht."

Gjithçka shkon për mrekulli, theksoi koordinatori i politikës së jashtme të BE-së, Havier Solana, pasi vizitoi kuartierin qendror të operacionit në Pocdam. Ai sheh që përpjekjet e BE-së në Kongo janë në rrugë të mbarë: "Ne jemi angazhuar politikisht, kemi ndihmuar për të shkruar kushtetutën dhe ligjet më të rëndësishme. Ne kemi dhënë ndihmë humanitare. Ne kemi dhënë shumë euro donacione dhe duam që të kapërcehet me sukses edhe pengesa e fundit për demokracinë në Kongo që janë zgjedhjet në korrik."

Sigurimi i zgjedhjeve është detyra e trupës së BE-së të përbërë kryesisht nga ushtarë gjermanë dhe francezë. Trupa do të qëndrojë katër muaj në këtë vend të Afrikës Qendrore dhe do të jetë përgjegjëse për evakuimet eventuale nga kryeqyteti Kinshasa.

Se si do të zhvillohet vërtetë situata në Afrikën e largët, kjo do të analizohet çdo ditë në qendrën e operacionit në Pocdam përmes raporteve mbi gjendjen nga Kongoja dhe kjo analizë do t´i përcillet më pas atyre që janë përgjgjës për politikën në Bruksel.