1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shefi i shërbimit sekret Maaßen përzihet me politikën

13 Shtator 2018

Një vëzhgues bën politikë: Shefi i shërbimit sekret të vendit ka zënë prej ditësh axhendën e politikës së brendshme. Procesi tregon se si e intepreton Hans-Georg Maaßen detyrën e tij "në shërbim të demokracisë".

https://p.dw.com/p/34mnH
Verfassungsschutzpräsident Hans-Georg Maaßen
Hans-Georg Maaßen, Presidenti i Entit për Mbrojtjen e KushtetutësFotografi: picture-alliance/dpa/J. Kalaene

Teorikisht çështja është e thjeshtë dhe e qartë: Enti federal për mbrojtjen e kushtetusës (BfV) dhe 16 zyrat e tij nëpër lande duhet të zbulojnë në kohën e duhur rreziqet për shtetin dhe shoqërinë.

Emërtimi "sistem i paralajmërimit të hershëm", siç quhet shpesh, e tregon këtë. Presidenti i BfV, Hans-Georg Maaßen e përmend shpesh kur flet për ekstremizmin e majtë ose të djathtë, terrorizmin islamik ose spiunazhin e shteteve të huaja dhe firmave ekonomike. Në jetën e përditshme autoritetet e kanë të vështirë që ta meritojnë këtë pretendim të formuluar vetë.

Maaßen dora vetë, sapo solli shembullin më të mirë për këtë, kur shprehu në publik dyshime për vërtetësinë e një videoje, ku shihehin me sa duket sulmet raciste në Chemnitz. Ndërkohë ai i ka relativizuar shprehjet e veta, për të cilat nuk mund të sjellë dëshmi bindëse. Në fillim të javës atij iu desh t' i raportonte ministrit të Brendshëm, Horst Seehofer (CSU). Ditën e mërkurë deputetët e Komisionit për çështjet e brendshme të Parlamentit dhe organizmit parlamentar për kontrollin e shërbimeve sekrete (PKGr) donin të dinin se çfarë pati parasysh shefi i BfV me dyshimet e paqarta.

Maaßen duhet ta dijë, "se mund të shkaktojë implikime politike"

Sondersitzung des Innenausschusses im Bundestag
Takim i veçantë i Komisionit për politikën e brendshme në BundestagFotografi: picture-alliance/dpa/B.v. Jutrczenk

Rezultatin e takimit jo-publik pjesëmarrësit e vlerësojnë në mënyra shumë të ndryshme. Kryetari i PKGr, Armin Schuster nga partia Kristiandemokrate e vlerësoi raportimin e Maaßenit si shumë "bindës". Motivet e tij donin të "qetësonin gjendjen". Megjithatë Schuster kritikoi formën e zgjedhur me një intervistë në gazetën bulevardedske "Bild". Një shef zyre duhet ta dijë se "me të ai shkakton implikime politike". Të cilat edhe erdhën.

Kërkesat për dorëheqjen ose shkarkimin e shefit të BfV, Schuster i vlerëson si "jo- proporcionale", edhe duke patur parasysh "punën e mirë" të tij gjashtë vitet e fundit. Kaq gjatë është ai në post, duke qenë kështu presidenti me kohë më të gjatë në shërbim të një autoriteti gjerman të sigurisë. A do jetë në gjendje ai të vazhdojë ende, kjo është një pyetje tjetër. Socialdemokrati Uli Grötsch, partia e të cilit është në koalicion me atë të Angela Merkelit, CDU, mendon se besimi i autoritetit të sigurisë "është dëmtuar" prej sjelljes së Maaßenit.

Dyshime, "që ky president do qëndrojë gjatë në post"

Deputeti i Të majtës, André Hahn, njëkohësisht nënkryetar i PKGr, jep gjykim më të ashpër: Nuk mund të thuash se vitet e fundit Maaßen ka bërë punë të mirë. Ai është përgjegjës "për një seri avarish dhe skandalesh". Hahn mendon para së gjithash për dështimin në lidhje me grupin terrorist "ilegaliteti nacionalsocialist"(NSU), serinë e vrasjeve të së cilës Mbrojtja e Kushtetusë nuk arriti t' i pengonte. Ai nuk beson se "ky President do të qëndrojë gjatë në post". 

Berlin: Verfassungsschutzpräsident Maaßen und Horst Seehofer
Maaßen dhe shefi i tij, Horst Seehofer Fotografi: picture-alliance/dpa/B. von Jutrczenka

Debatet për Mbrojtësin më të lartë në post të Kushtetutës tregon me sa duket se personi dhe posti nuk mund të jenë instancë neutrale, ose nuk duan të jenë. Kritikët akuzojnë Maaßen prej kohësh, se e interpreton rolin e tij me shumë bujari. Që shefi i shërbimit sekret të jetë aktiv edhe politikisht në një fushë shumë konfliktuoze, vjen detyrimisht prej detyrës së tij. Imazhi i "shërbyesit të demokracisë" tingëllon shumë më poetik se sa është në jetën e përditshme, të rrezikshme.

A ishte intervista e motivuar politikisht?

BfV me 3500 punonjësit e saj mbron Gjermaninë nga lloj lloj armiqsh të brendshëm dhe të jashtëm. Duke patur parasysh potencialin e madh të rreziqeve, autoritetet arrijnë ta bëjnë këtë mirë. Mbi gjendjen e rreziqeve Maaßen dhe shefat e tjerë të autoriteteve të sigurisë bisedojnë rregullisht në zyrën e kancelares. Aty koordinohen të gjitha aktivitetet e shërbimeve sekrete. Vlerësimet e tyre janë për qeverinë me rëndësi të madhe. Dhe ato mund të bëhen në çdo kohë shkak për grindje politike, madje edhe brenda koalicionit të konservatorëve, kristiandemokrat dhe kristiansocial,(CDU/CSU) dhe socialdemokratëve (SPD).

Screenshot Video Chemnitz Ausschreitungen
Shkallëzime të dhunës kundër të huajve në ChemnitzFotografi: Alihassan S.

Në debatin aktual për incidentet pjesërisht kundër të huajve në Chemnitz, ministri i Brendshëm Seehofer përkrahte pa kufizim Maaßen. Ndryshe nga kancelarja ata të dy bashkë nuk donin të shihnin "gjuetinë" kundër të huajve. Pretendimi se në të vërtetë kishim të bënim me vazhdimin e grindjeve pa fund për azilin midis CDU dhe CSU, duket të jetë i qartë. Duke patur parasysh këtë shtrohet pyetja, nëse Maaßen ka kapërcyer kompetencat për arsye politike.

Një akt lojaliteti kundrejt Angela Merkelit

Parimisht funksionarët e punësuar për gjithë jetën kanë një marrëdhënie të veçantë luajaliteti dhe besnikërie me punëdhënësin, shtetin. Prandaj ata gëzojnë privilegje që punëmarrësit e tjerë ose të vetëpunësuarit nuk i kanë. Ata nuk duhet të kenë frikë se mos humbasin punën, dhe janë financiarisht të sigurt. Garanci të tilla janë të lidhura me kufizime të tjera, sidomos ndalimit të grevës. Ata lejohet të demostrojnë për çështjet e tyre, por në çështjet politike pritet prej tyre që të jenë të përmbajtur dhe të moderuar.

Deutschland | Merkel trifft Seehofer im Kanzleramt
Merkel nuk mund ta shkarkojë Presidentin e Mbrojtjes së KushtetutësFotografi: picture-alliance/dpa/P. Zinken

Reagimi i Maaßenit për ngjarjet e Chemnitzit e tregon jo edhe luajal ndaj Merkelit, e cila foli shprehimisht për "gjueti" ndaj të huajve në Chemnitz. Që kancelarja të jetë e zemëruar me prezantimin kokëfortë të Maaßenit nuk ka dyshim. Por edhe nëse do të donte ajo nuk mund ta shkarkojë presidentin e Mbrojtjes së Kushtetutës. Sepse kontrollin mbi autoritetin e ka ministri i Brendshëm, Seehofer. Ai tha mbas një takimi të Komisionit për çështjet e Brendshme, se nuk sheh arsye për pasoja në personel.