1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shfaqet një video e re e kryesisë së Al Kaidës

Alexander von Uleniecki24 Qershor 2006

Numri 2 i El Kaidës, Axhman al Savahiri, ka deklaruar se do të hakmerret ndaj SHBA-s për vrasjen e udhëheqësit të tyre Abu Musab el Sarkavi. Kanali televiziv arab Al Xhazira, transmetoi të premten një videokasetë, në të cilën zëvendësi i Osama Bin Laden, i drejtohet direkt presidentit amerikan Xhorxh Bush.

https://p.dw.com/p/AqpX

Kanali televiziv arab Al Xhazira ka transmetuar sërish një video të re të Al Kaidës. Në këtë film flet vetë zëvendësshefi i organizatës terroriste, Al Savahiri. Ai flet për larjen e hakut të shefit të Al Kaidës irakiane, Al Sarkavi.

Al Sarkavi u vra në fillim të muajit qershor nga forcat ajrore ushtarake amerikane. Zëvendësi i Bin Laden, betohet në videon e tij, se do të hakmerret. Al Savahiri qëndron përpara një fotografie të Sarkavit, në të cilën buzëqesh, dhe i drejtohet me fjalët e tij direkt presidentit Bush. Askush nuk vritet pa u hakmarrë me ndihmën e Zotit, thotë egjiptiani Al Savahiri ndër të tjera në mesazhin e tij të ri.

Ai vazhdon se vrajsa e udhëheqësve të Al Kaidës nuk do të sjellë fitoren, sepse këtu nuk luftohen persona të vetëm, por një komb i tërë mysliman. Dhe ky komb është i gatshëm për luftën e shenjtë, thotë ndër të tjera Al Savahiri. Numri 2 i Al Kaidës e lavdëron Al Sarkavin me fjalët më të zjarrta. Ai ka qënë një hero, një njeri i shenjtë, një princ martir, vazhdon Al Savahiri në videon e tij.

Zëvendësshefi i Al Kaidës i kritikon ashpër aleatët e SHBA-s. Në videon e tij, Al Savahiri akuzon kryeministrin irakian Al Maliki, se ka shitur islamizimin për të marrë pushtet qeveritar. Edhe Turqia akuzohet nga Al Savahiri se mbështet amerikanët duke vënë në dispozicion baza ushtarake për forcat amerikane, dhe se e njeh ekzistencën e Izraelit si shtet suvran.

Kjo ishte videoja e tetë e Al Savahirit gjatë këtij viti. Sipas ekspertëve për terrorin, kryesia e Al Kaidës po përpiqet tani, që të forcojë moralin brenda rradhëve të simpatizantëve të tyre pas vrasjes së Al Sarkavit. Këta njerëz janë ende të shokuar mbi vrasjen e papritur të udhëheqësit të tyre.