1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkelje me qëllim

Anila Shuka, Berlin13 Nëntor 2005

Marrveshja e koalicionit mes unionistëve dhe socialdemokratëve, e cila u prezantua të shtunën në Berlin, shkel rregullat e kushtetutës gjermane dhe kriteret e Mastrihtit.

https://p.dw.com/p/Aqhm
Myntefering, Merkel, Shtoiber të shtunën në Berlin
Myntefering, Merkel, Shtoiber të shtunën në BerlinFotografi: AP

Për herë të parë në historinë e Gjermanisë, buxheti i qeverisë gjermane për vitin 2006 do të jetë në kundravajtje me kushtetutën. Këtë e bëri të ditur të shtunën në Berlin, kancelarja e ardhshme e Gjermanisë Angela Merkel, me rastin e prezantimit të kontratës së koalicionit. Ajo siguroi se kjo do të ndodhe vetëm në vitin 2006. Për të arritur në 2007 zbatimin e rregullit të kushtetutës, sipas të cilit borxhi nuk duhet të jetë më i lartë se shuma e investimeve shtetërore, Merkel tha se do të nevojitet një sforcim i madh nga e gjithë shoqëria.

Te hapen vende të reja pune

Qëllimi i koalicionit është të ndalojë trendin e të tatëpjetës, ku tashmë ka hyrë ekonomia gjermane, që konsiderohet si një nga më të fuqishmet në Evropë. Suksesi i koalcionit do të matet në sasinë e vendeve të reja të punës. Tri janë shtyllat parimore mbi të cilat ngrihet koalicioni: paksim i borxhit, reformim dhe investim, tha Merkel të shtunën në Berlin.

Gjermania "shtrëngon rripin"

Megjithë synimin për konsolidmin e buxhetit, borxhi i ri për 2006 do të kapë shumën prej 41 miliardë Euro. 8,5 miliardë shpresohet të fitohen nga rritja e tatimit mbi vlerën e shtuar nga 16 në 19 për qind. 200 milionë shpresohet të fitohen nga shkurtimi i i parave për fëmijë. Ndërsa më parë çdo i ri deri në moshën 27 vjeçare kishte të drejtë të merrte një shumë parash, tani kjo e drejtë do të garantohet deri në moshën 25 vjeçare.

500 milionë kursime të tjera pritet të vijnë nga heqja e pjesshme e subvencionimit të shtesave të pagave për të djelat dhe festat. 700 milionë pritet të vijnë nga rritja e kontributeve për sigurimet shoqërore edhe për pagat e ulta. Afro 1 miliardë pritet të vijnë nga rritja po me tre për qind, e tatimeve mbi sigurimet. Deri në vitin 2008 do të zvogëlohet deri në zero kontributi ndihmë që jep shteti për sigurimet shoqërore.

Mbështetje për Merkelin

Kryetari i partisë socialdemokrate, Franc Myntefering, tha se partia e tij është e interesuar që koalicioni të qendrojë për katër vjet. Për socialdemokratët ky hap i bashkimit në një koalicion me kundërshtarin kryesor të deritanishëm nuk është kurrsesi i lehtë. Ne jemi të gatshëm të mbajmë përgjegjësi, në mënyrë që ky vend të qeveriset sa më mirë theksoi Myntefering, i cili që javën e ardhshme pritet të zëvendësohet në postin si kryetar i Partisë Socialdemokrate nga kryeministri i landit të Brandenburgut, Matias Placek.

Megjithëse jo direkt në kabinetin e Merkelit, ndihmë dhe mbështetje për koalicion premtoi edhe Edmund Shtoiber, i cili dy javë më parë e beri të ditur që do të qendronte në Bavari, si kryeministër i landit të tij. "Gjendja e buxhetit është më e vështirë dhe dramatike se ç‘patëm llogaritur në fillim të bisedimeve për koalicion," tha ai, duke justifikuar kështu shkeljen e rregullave të kushtetutës në planbuxhetin e vitit 2006. "Vetëm kursime do të shkatërronin tërësisht ekonominë," – tha Shtoiber, duke vënë theksin në rëndësinë e nxitjeve të investimeve në sektorin e ekonomisë së mesme.

Kontrata do të duhet të miratohet të hënën nga të kongreset partiake të socialdemokratëve dhe kristiandemokratëve e kristsocialëve, në mënyrë që të nënshkruhet përfundimisht e t’i hapi rrugë krijimit të qeverisë.