Shkup: Në prag të përmbylljes së fushatës presidenciale

Marrëveshja e Prespës, emri i ri i shtetit, anëtarsimi në NATO dhe në BE, zhvillimi ekonomik, raportet ndëretnike dhe politikat për rininë janë temat kyç në fushatën presidenciale të kandidatëve në Maqedoninë e Veriut. 

Kandidati për president i partive të koaliciont qeveritar Stevo Pendarovski në paraqitjet para qytetarëve theks të veçant iu kushton mardhënjeve ndëretnike.Sipas tij shumë vendbanime në Maqedoni janë shembull për unitet dhe bashkim të llojllojshmërive andaj ai u bënë thirrje  qytetarëve nga të gjitha bashkësitë etnike ta shfrytëzojnë votën e tyre dhe të zgjedhin përparim për ardhmëri të sigurtë në NATO dhe BE. Sipas tij, në plan të brendshëm vendi arriti kohezion të brendshëm me përmbylljen e Marrëveshjes së Ohrit dhe pas kësaj mbetet përkushtimi për zhvillim ekonomik.

 "Se vendi po ecën në kahje të duhur, konfirmim janë 625 milion euro investime të huaja. Pas dhjetë vitesh sundim të regjimit, po hapen perspektivat evropiane që të ndërpritet trendi i shpërnguljeve të të rinjve, që të rinjve t'u sigurohet jetesë më e mirë dhe vende të reja të punës. Prandaj të bashkuar të gjithë duhet të përkrahin opsionin që na shpie drejt NATO-s dhe BE-së”, vlerson kandidati për kryetar shteti Stevo Pendarovski.

Kandidati për president i mbështetur nga partit e koalicionit qeveritar Stevo Pendarovski në prezantimin para votuesve ka thënë se marrëveshja me Greqinë përveç që ruan identitetin, ajo garanton edhe të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut.

"Tani me marrëveshjen kemi gjithçka që ka të bëjë me identitetin maqedonas, kemi institucionet maqedonase, kemi gjuhën maqedonase. Marrëveshja e Prespës është marrëveshja më e mirë e mundshme që kemi mundur të arrijmë dhe të ruajmë identitetin tonë. Me këtë marrëveshje që nuk pranohet nga opozita, por që është e vetëdijshme se nuk do të mund të revidohet, zhbllokohet procesi euro-integrues, de fakto ne jemi në NATO dhe presim së shpejti marrjen e datës për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE”, ka deklaruar Pendarovski.

Siljanovska: Maqedonia ka nevoj për sundimin e së drejtës

Kandidatja për president shteti e përkrahur nga opozita maqedonase Gordana Siljanovska Davkova , në paraqitjet para elektoratit  kërkon mbështetje edhe nga etnitetet tjera për ta rrëzuar siç thotë këtë të keqe të përbashkët  që ka kapluar vendin. Sipas saj, shqiptarët, turqit, vllehët nuk mund të ketë demokraci të plotë në vend.

"Maqedonia asnjëherë më e ndarë se sot nuk ka qenë, ndërsa nga ana tjetër thërrasin për pajtim, por pajtimi nuk mund të bëhet me veprime kërcnuese. Po u drejtohemi të gjitha etniteteve, sepse pa ato nuk mund të ketë demokraci, sepse Maqedonia është atdheu i të gjithëve. Pa dialog të ndërsjellë dhe pa kritika nuk mund të ecim përpara, sepse kritika është gjë e shëndoshë, e cila na përmirëson në ecurinë tonë politike. Ne na duhet një shtet funksional europian, por jo me imponim të politikave", vlerëson kandidatja për kryetare nga opozita maqedonase  Gordana Siljanovska Davkova.

Gordana Siljanovska Davkova kërkon që populli ta ndihmojë në kthimin e pushtetit në dorë të sigurt dhe të ndërtohet Evropa në vendin tonë.

"Qëllimi  kryesor i yni është sundimi i ligjit, sepse vetëm atëherë të gjithë njerëzit do të kenë shanse të barabarta, vetëm atëherë drejtësia do t'i ndjek të gjithë. Drejtësia e tanishme është selektive. Nuk është e drejtë revanshizmi. Të drejtë dhe drejtësi në Maqedoni do të ketë kur të shohim zyrtarë të lartë përpara Prokurorisë Publike. Drejtësi do të ketë kur të shohim njerëz nga pushteti të dënuar, por ata janë të paprekshëm, sepse nuk është e tyre vetëm politika qeveritare, i tyre është edhe gjyqësori”, vlerson  kandidatja për presidente  Gordana Siljanovska Davkova.

Reka: Do ta jetësoj konceptim "shtet për të gjithë”

Kandidati i partive opozitare shqiptare Blerim Reka thotë se në Maqedoninë e Veriut duhet të ketë koncept për shtet e jo vetëm për shoqëri për të gjithë. Reka ka diskutuar rreth konceptit të platformës për krijimin e një Republike gjithëpërfshirëse me ligjin mbi të gjithë.

"Ky koncept për "Republika për të gjithë", është koncept për Republikën në të cilën do të sundojë ligji, dhe jo individi  në fakt është një koncept universal i sprovuar në demokracitë liberale, dhe ajo që i ka munguar tani e tridhjetë vite Maqedonisë së Veriut. Me konceptin "Republika për të gjithë", qytetarët do të kenë të drejtën që të kërkojnë llogaridhënie prej atyre që janë në pushtet dhe jo siç është tash faktikisht, qytetarët u binden do si do politikave qeveritare”, vlerson Reka .

Maqedonia e Veriut  ka nevojë për drejtësi, për vende të reja pune, për perspektivë dhe shpresë që të ndalojmë ikjen e rinisë. Reka duke folur për dukurin e migracionit ka premtuar se do të punojë për parandalimin e integrimit në BE si shtet i zbrazur.

"Qytetarët po shpërngulen jo vetëm nga papunësia, por edhe nga korrupsioni institucional, nepotizmi. Nëse tani nuk e rikthejmë Republikën në binaret euro-atlantike, çfarë na duhet nesër anëtarësimi në BE si shtet i zbrazur kur veç më gjysma e popullatës do të jetë e "integruar” në BE. Si president i ardhshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut, do të punoj në parandalimin e integrimit në BE si shtet i zbrazur”, ka thënë kandidati i pavarur për president Blerim Reka.

Me 21 prill qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të votojn për njërin nga tre kandidatët për president, ndërsa me 5 maj është raundi i dytë i votimit kur edhe zgjidhet presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut.

Na ndiqni!