1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkurtime masive të Telekomit & Pokeri i koalicionit në Berlin

3 Nëntor 2005

Temë kryesore në komentet e shtypit të sotëm është lajmi i Telekomit gjerman për planet e shkurtimit të rreth 32.000 vendeve të punës në degën e telefonisë fikse. Sa i përket politikës së brendëshme tema më e komentuar është zgjedhja e Matias Platcek, si kryetar i partisë socialdemokrate (SPD).

https://p.dw.com/p/Art3
Logoja e Telekomit gjerman
Logoja e Telekomit gjerman

"Handelsblatt" komenton njoftimin e Telekomit për shkurtime masive të vendeve të punës: "Në sektorin e telefonisë fikse, ku do të bëhen shkurtimet më të mëdha në personel, 50% janë nëpunës dhe 30% të tjerë janë punonjës që në bazë të kontratave nuk mund të shkurtohen. Nëse kreu i telekomit Rike do t´i heqë qafe ata, atëherë ai do të jetë i detyruar t´ua zbusë largimin me kompensime të majmura financiare. Natyrisht që mund të shtrohet pyetja, përse janë të nevojshme këto shkurtime, kur në të njëjtën kohë janë punësuar 6.000 punonjës të rinj. Përgjigja ndër të tjera ka të bëjë me strukturën e moshës së punonjësve të Telekomit. Shumica e tyre janë mes 35 dhe 55 vjeçarë. Kjo do të thotë që koncerni më i madh i telekomunikacionit në Evropë rrezikon të thinjet gjatë viteve të ardhëshme. Nga ana tjetër teknikat e reja të telefonisë së internetit, apo rrjetet e shpejta të fibrave optikë kërkojnë punonjës, njohuritë teknike të të cilëve duhet t´i përgjigjen fjalës së fundit. Telekomit do t´i kushtojë shumë shtrenjtë politika e personelit, por zgjidhje tjetër nuk ka", konstaton "Handelsblatt".

"Stuttgarter Zeitung" shkruan: "Nëse e sheh gjendjen hollë kupton, që problemet janë krijuar nga brenda. Kjo nuk duket në asnjë ndërmarrje tjetër kaq qartë sa tek Telekomi. Ish-ndërmarrja shtetërore ndonëse po përpiqet prej vitesh që të krijojë struktura më efikase, shumë gjëra dështojnë. Për herë të parë në fillim të këtij viti shefi i Telekomit Kai- Uve Rike u kërkoi punonjësve të jenë më miqësorë me klientët, sepse më parë kishte mjaft ankesa për shërbim të mangët. Gjërat e neglizhuara Rike po përpiqet tani t´i kapërcejë duke u rënë trumpetave të alarmit. Por rezultati nuk dihet; sepse miliardat, që duhet t´u japë koncerni si kompensim nëpunësve të shkurtuar do të bien mbi kurriz të uljes së nevojshme të çmimeve për t´i bërë ballë konkurrencës. Telekomi me shkurtimet në personel rrezikon të harrojë sërish atë që është më e rëndësishmja, klientelën e kënaqur", komenton "Stuttgarter Zeitung".

Mbi këtë temë edhe një citat nga artikulli i "Südwest Presse": "Shkurtimi i 13% të vendeve të punës në Telekom është shenjë e paaftësisë. Shefit Kai-Uve Rike i duhet që të trasnformojë gjigandin e telefonisë në një koncern multimedial pasi atij tashmë i janë atashuar edhe sistemi i telefonisë mobile, si dhe dega e internetit. Humbje të kuotës në sektorin e bisedave telefonike brenda dhe jashtë vendit si rjedhojë e ofruesve të çmimeve të leverdishme nga rrjeti i telefonisë mobile, ofertat më të favorshme në internet si dhe sistemi agresiv i konkurrencës po e dobësojnë gjigandin Telekom. ... Teknologjitë e të telefonuarit në internet nxjerrin në pah skizofreninë e biznesit: nëse ato injorohen, humbet pjesë në treg, nëse i ofron ato, dobëson degën tënde. Rekordi i kësaj ndërmarrjeje është i rremë, pavarësisht nga shifrat e mira ekonomike koncerni mund t´i bëjë ballë ristrukturimit vetëm duke shkurtuar vendet e punës. 100.000 vende pune gjatë dhjetë viteve të shkuara kanë hyrë në histori, ndërsa tani do të shkurtohen 32.000 syresh vetëm në Gjermani", analizon "Südwest Presse".


Kalojmë në temën e politikës së brendëshme, kryetari i ri i partisë socialdemokrate Matias Platcek. "Darmstädter Echo" vëren: "Të paktën vazhdon të funksionojë shtabi i menaxhimit të krizave tek socialdemokratët. Pas rëzimit të Franc Myntefering, që e goditi partinë si rufe dhe që siç doli më vonë ishin të shumtë ata që nuk e kanë dashur, në mbrëmjen e ditës pasuese shokët e partisë zgjodhën një pasardhës: Matias Platcek. Socialdmeokratëve u ka mbetur ende pak arësye dhe logjikë shtetërore. Kjo të qetëson, sepse mjaft dyshime u ngjallën pas krizës që shkaktoi zgjedhja e sekretarit të përgjithshëm në parti", shkruan "Darmstädter Echo".

"Badische Neueste Nachrichten". tërheq vëmendjen për mungesën e përvojës tek stafi i ri drejtues i socialdemokratëve: "Garda e re e socialdemokratëve me pak përjashtime nuk ka fare përvojë për t´iu përjgigjur ambicjeve të drejtimit të qeverisë. Pretendimi i tyre për t´i drejtuar në të ardhmen vet fatet e partisë së tyre,
është në një diskrepancë të madhe me atë që kanë arritur ata deri më sot. ... Edhe nëse njëri apo tjetri kandidat nga brezi i ri i partisë mund të jetë i përshtatshëm për postin e sekretarit të përgjithshëm, aytre do t´u duhet kohë që të mësojnë të qeverisin", nënvizon "Badische Neueste Nachrichten".